E Diel, 1 Nëntor 2026

Dani Pedroza, "mbreti" i Spanjës

Dani Pedroza ka marrë fitoren e pestë në karrierë në MotoGp, triumf që ka një shije të veçantë, pasi është arritur përpara 130 mijë tifozëve të tij dhe me një diferencë të madhe nga ndjekësit (ofro tri sekonda nga Rosi dhe 4,5 sekonda nga Horge Lorenco). Ndërkohë, edhe Valentino Rosi gjen buzëqeshjen pas shumë kohësh. Piloti i Jamahas ka regjistruar podiumin numër 100 në karrierë (i pari me gomat "Brixhston"). Vendi i dytë i "Doktorit" është një sinjal pozitiv në garën për titullin botëror, ndërkohë që kampioni në fuqi, Keisi Stoner, ka mbetur tejet i zhgënjyer. Disa gabime gjatë garës i kanë kushtuar australianit të Dukatit, fitues i garës së parë të zhvilluar në Katar dhe Stoner nuk ka mundur të luftojë me më të mirët. Nga ana tjetër, Rosi është nisur shumë mirë: kalon Lorencon që në fillim të garës dhe mban vendin e dytë. Megjithatë, Pedroza është shumë larg, pothuajse i pakapshëm. Avantazhi i talentit të Hondas zyrtare kishte 2 sekonda e 6 të dhjetat distancë kur mungonin 18 xhiro nga fundi i garës. Kur mungonin 16 xhiro, distanca nga vendi i dytë ishte afro 4 sekonda. Një paraqitje që përkthehet ndryshe në dominim total për spanjollin, i cili e ka nisur garën nga vendi i dytë, pas Lorencos. Si vlerësim për garën e tij perfekte ka ardhur edhe vendi i parë momental në klasifikimin për pilotë (duke shtuar edhe pikët e fituara nga vendi i tretë në Katar).

Në konferencën pas Çmimit të Madh të Spanjës, Rosi është dukur shumë i lumtur: "Ishte një rezultat i rëndësishëm, sot (dje) ishte e rëndësishme që të hipnim në podium. Në fakt prisja që Lorenco të ishte më i shpejtë dhe Pedroza më i ngadaltë". Nga ana e tij, piloti i Hondas që mori çmimin nga mbreti Huan Karlos tha: "Nuk mendonim se do të fitonim, pohoi Pedroza. Është ende herët për të folur për titullin kampion, por triumfi në këtë pistë më jep shumë shtysë". Më i zhgënjyeri ka qenë Lorenco: "Mund të kishim bërë më shumë, tha piloti i Jamahas, që u rendit në shkallën më të ulët të podiumit. Gara tregoi se Dani dhe Valentino ishin më të fortë. Kisha probleme me gomat: motori rrëshqiste, nuk ishte stabël".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›