E Shtunë, 31 Tetor 2026

Daniel Craig, Bondi me seksi i te gjithe koherave

Para se të rrokte me dorë famën si agjenti më i famshëm në botë, Bond, Daniel Craig ka interpretuar me Anxhelina Zholi në "Tomb Raider". Pas suksesit të "Casino Royale" në kinematë e të gjithë botës, sapo ka dalë "Quantum of Solace", një tjetër sukses i paralajmëruar, që e ka shndërruar në Bond-in më seksi të të gjitha kohërave. Daniel jeton në Londër me të dashurën, që është producente, ndërkohë që ka një vajzë 17-vjeçare nga martesa e parë me aktoren Fiona Loudon.

Gjatë gjithë kohës që keni promovuar Bond-in e ri, jeni shfaqur me krahun e lidhur. Çfarë ju ka ndodhur?

Nxora shpatullën ndërsa po luaja në filmin e parë të Bond-it dhe kam pasur gjatë gjithë kohës probleme që m‘u shfaqën veçanërisht gjatë xhirimeve të pjesës së dytë të tij. Kam bërë disa operacione, por ende vazhdoj me probleme. Aktualisht as mund ta lëviz krahun dhe kam shpesh dhimbje, por bëj çdo ditë ushtrime dhe gjërat po marrin për mirë.

Filmat e Bond-it janë gjithmonë njëfarë zone e rrezikshme, apo jo?

Po, por për këtë të fundit nuk mund të ankohem. Ok, disa të çara në fytyrë, disa rrëzime, një apo dy aksidente, por nëse je Bond, duhet t‘i marrësh të gjitha parasysh. Megjithatë, të gjithë në fund jemi fizikisht një cope dhe kjo ka rëndësi.

Si arrini ta mbani kaq mirë trupin në formë?

Shkoj në palestër 5 herë në javë dhe çdo seancë zgjat 40 minuta. Nuk më pëlqen fare, por më duhet ta bëj. James Bond duhet të ketë një paraqitje fizike imponuese. Punova shumë me trupin për fillimin e mëparshëm dhe doli se kisha pasur të drejtë, pasi fiziku ishte një pjesë e suksesit. Kur James heq këmishën, duhet të duket sikur do të vrasë ndonjërin.

Cili është përfitimi më i madh i të qenit James Bond?

Oh, ka shumë të tillë. Një prej tyre është se jashtë skene kam mundësi të vesh të gjitha rrobat që më pëlqejnë. Gjithmonë më ka pëlqyer të vishem mirë, edhe pse deri në momentin e James-it nuk është se kam pasur shumë para për t‘i shkuar pas gustos sime. Por, që kur luajta Bond-in e parë, më kanë parë sytë kostumet më të bukur në botë, të cilat janë bërë posaçërisht për mua dhe do të ishte një tragjedi t‘i lija në gardërobë, kështu që i kam blerë të gjithë.

Po ç‘mund të më thoni për makinat?

Ah, sigurisht një tjetër veçanti. Jam shumë i lumtur që Aston Martin më ka lejuar të ngas makinat e kësaj marke, për t‘u praktikuar, para se të nisja xhirimet. Kam bërë goxha rrugë me disa prej pjesëve më të mira. Nuk e di nëse më është përmirësuar aftësia e të ngarit të makinës, por sigurisht që më është stërholluar shija për to.

A është e vërtetë që më i famshmi i Bond-ve, Sean Conery, ju dha bekimin për rolin e parë?

Po, edhe pse nuk kam folur me të personalisht, por është shprehur se i kishte pëlqyer shumë "Casino Royale" dhe se ishte i lumtur për mua. Ai ka qenë Bond-i që e ka personifikuar personazhin më mirë se askush tjetër. Ai ishte i keq, seksi, feminist e me shumë klas dhe pikërisht prej tij unë jam këtu ku jam sot.

Si e përballoni anën negative të famës?

Jam mësuar me vështrimet e njerëzve dhe kjo nuk më bën më përshtypje. Dikur mund të shijoja i vetëm e pa rënë në sy nja dy gllënjka në pub, por tani nuk e kam më këtë luks. Dhe çfarë bëj do të thoni ju? Kam mësuar të pi më shpejt dhe të largohem sapo pikas që më kanë vënë re. Rri më shumë me njerëzit që dua dhe në ambientet që dua.

A ndieni ndopak zili për reputacionin e Sean Coner-it si Bond-i më seksi?

Në filmin e fundit ka më pak skena të nxehta se në çdo film tjetër të Bond-it. Atij sapo i është thyer zemra dhe nuk ka shumë kuptim që të hidhet menjëherë në krahët e një gruaje tjetër. Megjithatë, më jepni pak kohë dhe do ta arrij nivelin e Sean.

A ju ndihmon e dashura të jeni me këmbë në tokë?

Nuk mund të jetoj pa të. Njeriu duhet të ketë një sens perspektive dhe ajo ma jep një gjë të tillë. Të qenit aktor vendos gjithmonë një lloj problematike në marrëdhëniet intime, sepse unë nuk jam kurrë në të njëjtin vend dhe nuk kam kurrë shumë kohë në dispozicion. Unë duhet të luftoj për të dhe për familjen time. Më duhet balanca dhe kjo është thelbësisht e rëndësishme. Kemi qenë së bashku në disa vende të mrekullueshme. Më kujtohet një natë në Kinë, kur ishim ulur në një lokal prej nga shihej qielli në majë të një hoteli shumë të bukur. Po pinim diçka e po shihnim Pekinin. Ishte një mrekulli. Janë gjëra dhe momente që po nuk pate njeri pranë për t‘i ndarë, nuk kanë kurrfarë vlere.

Kur mendoni se do t‘i propozoni për martesë?

Ky është një moment shumë i rëndësishëm në jetën e njeriut dhe nuk do të bëja kurrë një njoftim zyrtar, sepse nuk jam anëtar i familjes mbretërore.

Ju jeni shumë diskret me jetën tuaj, apo jo?

Nuk do të thosha diskret. Unë jam një libër i hapur. Ja, si tani, që po them gjithçka për atë që mendoj.

Çfarë bëni kur nuk punoni?

Pushoj. Pasi mbarova Bond-in e fundit, shkova në Itali për dy javë dhe pushova, piva dhe hëngra makarona, lexova dhe pashë shumë filma që kishin dalë gjatë kohës që unë punoja.

Çfarë keni mësuar për gratë?

Që t‘i respektoj. Ato kanë gjithmonë të drejtë.

Çfarë dhurate do të donit për Krishtlindje?

Të njëjtën që kam dashur gjithmonë: paqe në mendje dhe në shpirt. Nuk kam nevojë për tjetër gjë, sepse materialisht kam gjithçka që më duhet.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›