E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dashuria në letra e aktores

Të shkruarit nuk thuhet të ketë qenë një pasion i saj. Ajo ishte ende Marie Çurçia kur vizatonte një kalë, një vogëlushe, apo një lule. Edhe kur këndonte me mandolinën e saj. Jemi në vitet e largëta të Shkodrës së 1930-ës, atëherë kur kjo vajzë ende nuk e dinte se për rastësi, për tekë të fatit, apo të një pasioni të fshehur, do të bëhej Marie Logoreci, një nga aktoret më në zë të skenës teatrore e të filmit. Do ta njihnin si Lokja e "Toka jonë", Fatimja e "Halili dhe Hajrija", si Ledi Milford, apo si Gertruda e Hamletit. Por e ardhmja, me vitet që nuk do të ishin më vetëm të sajat, nuk ia fashiti të shkuarën. Ajo kishte kujtime. I ka shënuar në faqet e një blloku të vogël, që për të është "Kujtim i amël i voçërisë s‘eme". Shënoi edhe kur provoi për të parën herë dridhmat e një dashurie. Maria takoi Kolë Logorecin, djaloshin e diplomuar në Vjenë për Ekonomi, e që me të ndante pasionin e përbashkët të muzikës. Që në vitet e para do të provonin të jetonin disa kohë në largësi. Boshllëku mbushej me letra të gjata që shkruanin në adresë të njëri-tjetrit. Janë një tufë të tilla. Në kokë të fletëve të verdha shënohet kryesisht viti 1937. Janë kohët e para të martesës me djaloshin nga Tirana, por Maries i duhet të kthehet në Shkodër. Prindërit e saj janë vetëm e "i dhimbsen". Me shkodrançen e saj i shkruan fjalë përkujdesjeje, i rrëfen se çfarë ka ndodhur në një ditë të saj, i tregon mallin larg tij e i lutet të mos mërzitet. Pak ditë para së të martohen i kërkon që edhe lulet t‘ia sjellë nga Tirana. Ndonjëherë ka edhe fije humori. I nis me "i dashtuni burrë" dhe të gjitha i nënshkruan me Tushi. Ai ishte njeriu që më së shumti duhet ta thërriste me emrin e saj përkëdhelës që prej vogëlisë. Largësia ishte ndoshta një shkak i hidhur i një letërkëmbimi, ndërsa pasoja është e bukur. Këto letra ruhen edhe sot, të futura në kuti, që përsipër mbajnë emrin e Maries. I trashëgon i biri, Pjerin Logoreci. Dikur botues, prej disa vitesh ai jeton në Amerikë. Pak muaj më parë, një përvjetor i së ëmës e ktheu në Tiranë. U desh ky rast që të ngacmohej "plogështia" e këtyre letrave, të mbyllura në kuti. Disa prej tyre po ia ofrojmë për herë të parë edhe një lexuesi më të gjerë, atyre që ndoshta njohin vetëm Marien e skenës. "Kanë shkëmbyer goxha letra të dy. Për një periudhë kohe Maria ka qëndruar në Shkodër, sepse kishte prindërit vetëm. Qëndrimet e saj u bënë më të shpeshta kur i vdiq i ati. Letrat mbeteshin komunikimi i vetëm. Duket se posta ka qenë shumë e rregullt në atë kohë, sepse ndonjëherë thotë se ka shkruar dy herë në ditë", tregon Pjerini. As ai vetë nuk e ka parë më parë gjithë këtë letërkëmbim mes tyre. I shkruan njëri-tjetrit deri sa prindërit e Maries ishin gjallë. Më tej nuk ka më. "Letrat private nuk i kam lexuar më përpara. Kur prindërit janë gjallë, ti nuk shfaq interes për ato që ata ruajnë. Sa herë që ka një përvjetor nëna unë detyrohem të nxjerr diçka të re dhe t‘i lexoj", thekson i biri. Ai nuk kujton që ajo të fliste më vonë për to. Pas viteve ‘45, angazhimi i saj fillon si këngëtare e një emisioni direkt në Radio Tirana, që zgjaste për 20 minuta. Pak vite më vonë do të ngjitej në skenën e Teatrit Popullor e më tej do të shfaqej në shesh-xhirime. Pjerini kujton se gjithë kohën ishte shumë e angazhuar. Suksesi i skenës i dha popullaritet, ndërsa kënga e çoi përtej kufijve. Për këtë, mes letrave të saj nuk mungojnë edhe ato të adhuruesve. Janë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, por edhe nga Kosova. Këta të fundit e njohën më shumë pas viteve ‘70, kur Maria shkoi me një turne në Kosovë. Mes adhuruesve, Pjerinit i ka mbetur në mendje një anonim. "Është një letër e shkruar nga një djalë i ri. Pasi kishte parë ‘Toka Jonë‘, i shkruan se i kishte bërë shumë përshtypje pjesa, sepse edhe ‘unë vetë jam rritur pa nënë‘", tregon ai. Jo më kot Kol Jakova ka thënë se "Loken e kam shkruar për Marien". Pjerini vazhdon të tregojë se ai i flet për dramën që e kishte parë në një turne dhe në fund nuk i vë as emrin letrës. "Është e kotë që unë të them se kush jam. Është njëlloj sikur ti kur je në shfaqje, nuk e di se kush janë ulur nëpër karrige. Pra, kjo është një duartrokitje si ato të sallës", e përfundon adhuruesi letrën. I biri kujton se kohët e para Maria përgjigjej. Por më pas ajo shkruante pak, ose aspak. "Më vonë nuk ka shkruar. Këndonte shumë pak, vetëm në shtëpi, ndërsa muzikë dëgjonte vazhdimisht. E pëlqente muzikën popullore, por ndonëse dëgjonte nga të gjitha krahinat, i pëlqente më shumë ajo shkodrane". Pjerini është i sigurt se mes sendeve të saj ka shumë gjëra interesante. Po ashtu edhe letra të tjera të hershme, siç është ajo që i drejton një shoqes së saj gjatë kohës së shkollës. Është ende e çiltër dhe me naivitetin e saj, shënon me laps gëzimin që kishte ndjerë, kur "baba prej Tiranet më ka prue nji palë petka që mi pëlqyen mjaft". Por ndoshta asnjëherë s‘do të dalin të gjitha. Do të qëndrojnë aty, të palosura brenda kutive, në intimitetet e ndjenjave të hedhura mes rreshtash.

I dashtuni Kol

Kol mos harro, atij fmis qi më mban velin jepi një tufë lule të bardha me ken se do ti maj unë këtu në Shkodër më pas për ti marrë për tri ose katër orë veshken e deri të vij atje smë duhen gja

A po e bin fmin Cini me vete, më shkruaj?

Shkoder 23.X.37

I dashtuni burr!

Kam qesh fort kur pava letren të hollë e të gëjate, një herë kujtova se më kishe shkrue vjersha, e thaçë sa gadi i paska pasë? Por besa më duket se kjo asht leter zholit se kshtu i perdorin ktu.

Peliçet i kam çue dje te sarta me m‘i matë, ajo e çepuna m‘i rrite mirë por mungon nji çopë kshtu qi ajo më tha qi t‘i ndali të dyja per pak së po baj tamah, por më difto çmimin.

Së kam ça baj se s‘asht as koha se ja drue sherrin atyne peliçe, aj soj bjen shpejt po ishalla e kam fat e me qindrojne ma shum. Ajo e çepuna sidomos m‘a prishe fort se e kan njite me gjithfar copash.

Po per pallepë a ke folë? Nr 35 e 3 pal taka të nalta fort, por sa të mundesh shpejto me m‘i çue do të fillohet puna,me çmimet pra mos harro.

Tash jam mire së po na lanë gjindja me punue un kam qefë qi vinë edhe ato e din por po na sjellin, at dite qi je nis ti 5 veta kan ardh masdite, 4 ishin shoqe të mijat.

Së po mund të shruej ma teper se u ba vone por i u bajmë shum të fala të gjith ne familjes t‘Uej e te Marta.

Të dergon shum të puthuna

Grueja e jote

Tushi

26. X. 1931

Nji letër

Fort e dashtuna shoqe

Njimënd u shtye tepër vonë pa të shkrue, por jam ma se e sigurtë se nuk do të më jesh idhnue.

Anjeze, me shëndet si po je? Si po shkon me shkollë, a po të duken mësimet e zorshme? Unë deri tash mir jam tue shkue e jam rue e ra mendjen ma fort se ma përpara, mësimet nuk po më vin fort të zorshme, në shkollë jam tue shkue përditë e edhe mësimet i çoj përditë të kryeme, pse, përndryshe po ma fikun pikat!... Kam fillue me punue një jestek, krejt si e ke pasë ba ti vjet, e ashtë tue më dalë për bukuri; kur ta maroj kam menden me fillue nji shtroje tavolinet.

Uh! moj Anjeze na ka gjet nji rrezik d.m.th. nuk jena ma në të parën normale, por në gatimoren.

Mramë erdh baba prej Tiranet e më ka prue nji palë petka që mi pëlqyen mjaft. Më siguroi se në kalofsha klasë, kishte me më ba nji dhuratë fort ma të bukur.

Tash nuk po më rri tjetër pa të shkrue, por po të falem me shëndet fort e fort si ty dhe pjestaerve të familjes, tue u dishrue përherë e paharrueshmja shoqja e jote.

Maria Çurçia

Shkoder 27.XII.37

I dashtuni Kolë!

Jam tue marrë vesht se kenke merzitë shum e besoj se edhe mue më ka marrë madhi, me të diftue të drejten jam krejtë pshtjellueshem nder mendime; atje më duhet me ardhë kta më dhimen me i lanë sidomos Riza qi do të rrinë gjithditen vetem e tue më dishrue me më pa. Përkundrazi dhe un atje pa ty merzitem (asht e dijtun së mund të rrijshë me mue) mrendë e mrendë pa pasë me kë të dal se në mrame se po mundem prej dhimës së kres e kam provue e mandej gjithkush ka nevoj per ndrrim ajrit, sidomos per disa rasa, të kam shkrue edhe mramë nji leter të madhe 4 faqesh por tue mendue dishka per ty e shkjeva 400 copash; nuk e dij por asht tue m‘u ba keq fort me i lanë.

Stufen ndeze e mos merdhit se ftofe a s‘e din si kujdesohem per ty? Rueju në gjithshka, duhan mos pi shum, më ndigjo se pendohe, mos u ban krye fort.

Po Nana a u forcue? M‘i ban të fala ashtu edhe Babës, i falna nderës per leter qi i dergote Tatës.

Ty të perqafon me mall

E jotja Tushi

Fotografijat a i pate marrë

Si t‘u dukne?

Më ka ble Tata pemë Kshnellash e e kam gaditë si per-vjetë.

Sot asht tue ra bor. Mos më harro e shkrueji shpesh

Tushit t‘and.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›