E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gordon Brown: Plani ynë anti-krizë

Mendohej se ylli i tij po perëndonte, por që kur shpërtheu kriza financiare globale, Kryeministri britanik, Gordon Brown, është shfaqur si një lider i vërtetë. Ai miratoi një ligj për planin e shpërthimit, që krijoi shembullin për Evropën dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat pak a shumë ndoqën udhëheqjen e tij. Tani, këmbëngulja e tij për krijimin e një kuadri të ri financiar global është mbështetur edhe nga udhëheqës të tjerë në botë. Presidenti Bush do të thërrasë një samit të vendeve të G20 në Washington më 15 nëntor, për të diskutuar një plan të tillë.

Në këtë intervistë Brown reflekton në lidhje me krizën.

Kur ju dhe Tony Blair erdhët në pushtet, u duk se e kishit larguar nga socializmi Partinë Laburiste. Tani duket se po ktheheni mbrapsht...

E keni gabim. Ne po bëjmë atë që po bën çdo shtet tjetër, që është marrja e aksioneve në bankat tona për t‘i rikapitalizuar dhe më pas do t‘i shesim këto aksione sa më shpejt që të jetë e mundur.

Pra, ju po investoni në banka?

Si një masë e përkohshme. Absolutisht e përkohshme. Ne mund t‘i rikapitalizojmë, t‘i bëjmë më të fuqishme dhe më pas do të ishim shumë të lumtur që të tjerët të blinin aksionet.

A po fiton forcë tërheqëse plani juaj?

Po funksionon në kuptimin që bankat janë më të fuqishme. Gjithashtu po krijon hapësira për më shumë huadhënie. Ka pasur huadhënie transatlantike mes bankave amerikane dhe evropiane. Por, do të duhet kohë.

Sa shumë kohë?

Ky është problemi. Unë mendoj se ngjarjet në ekonomi, jashtë sektorit financiar, po fillojnë të kenë një efekt njëkohësisht. Gjatë vitit të fundit, ajo çfarë ka pasur ndikim në jetët e njerëzve në Amerikë dhe në Britani ka qenë rritja e çmimeve të naftës dhe ushqimeve. Tani çmimet e naftës po bien. Çmimet e ushqimeve me shumë gjasa do të bien gjithashtu. Kështu që ky efekt mbi standardet e jetesës së njerëzve do të mund të zbutet.

A keni parë ndonjëherë diçka të ngjashme me këtë krizë ekonomike?

Kjo është e para krizë financiare e epokës globale. Ne kemi pasur disa avantazhe duke qenë pjesë e ekonomisë globale, kemi pasur norma më të ulëta interesi për 10 vjet; kemi pasur 10 vjet me çmime më të ulëta konsumatore në mallrat elektronike dhe në veshje, si dhe në çdo gjë tjetër që vjen nga Azia. Tani do të na duhet të përballemi me sfidat: ristrukturimin e vendeve të punës, problemet e energjisë... Sot kemi këtë sistem financiar global, i cili po përpiqet të reagojë ndaj të metave financiare globale që janë masive. Ne kemi vetëm mbikëqyrje nacionale të sistemit... dhe kjo është një prej arsyeve përse duhet ta reformojmë atë.

Çfarë mendoni si të përshtatshme, si strukturë të re të sistemit të epokës aktuale?

Ne kemi nevojë me ekuivalentin e asaj që u bë në vitin 1945 në Bretton Woods. Nevojitet një sistem i hershëm paralajmërimi për ekonominë botërore, kështu që nevojitet të ngrihet ose Forumi i Stabilitetit Financiar, ose që Fondi Monetar Ndërkombëtar të jetë sa më efektiv në vëzhgimin e tendencave dhe forcave nëpër kontinente. Nevojitet që të kemi rregulla për mbikëqyrje globale, të cilat do të jenë të ngjashme mes shteteve. Kështu nevojiten rregulla të standardizuara kontabiliteti; nevojiten mënyra standarde për shlyerjet dhe falimentimet; nevojiten mënyra standarde për zbulimin dhe transparencën.

A nuk mendoni se kjo do të jetë e vështirë për t‘u arritur?

Mendoj se është e mundur të arrihet pikërisht në atë mënyrë si njerëzit treguan vizion në vitet 1940, për të krijuar një sistem të ri. Ne duhet të tregojmë të njëjtin vizion.

Çfarë duhet bërë me shpejtësi?

Rendi i shpejtë duhet të jetë: duhet ndihmuar rifillimi i huadhënies; stimuluar tregtia botërore, me qëllim shmangien e proteksionizmit; të shohim reforma të sistemit financiar ndërkombëtar si transparenca; t‘u jepet fund veprimtarive jashtë bilancit financiar, që nuk janë transparente dhe që kanë të bëjnë me atë që njerëzit e quajnë sistemi bankar hije.

Sa i thellë mendoni se do të jetë recesioni në vendin tuaj?

Nuk do të isha i gatshëm të bëja një parashikim për momentin. Mendoj se më e rëndësishmja është që të tregojmë një masë bashkërendimi ndërkombëtar, që do t‘u jepte njerëzve besim se mund ta kalojmë këtë situatë.

Sa i madh është hendeku mes SHBA-së dhe Britanisë, aktualisht?

Po punojmë shumë mirë me administratën e SHBA-së. Presidenti Bush ka treguar lidership në organizimin e konferencës së 15 nëntorit. Është e qartë se plani i administratës për asetet e dëmshme dhe rikapitalizimi i bankave nuk është shumë i pangjashëm me atë që po bën çdo vend i Evropës.

Disa njerëz thonë se për këtë merita është e juaja...

Ne ishim ndoshta i pari vend që i bëmë këto gjëra.

A e ka transformuar kjo të ardhmen tuaj politike, e ndoshta edhe atë të partisë suaj?

Politika është plot me ulje-ngritje. Mendoj se e rëndësishme është të tregojmë se mund të përballemi me një sfidë reale dhe ta udhëheqim vendin duke e nxjerrë nga kriza. Dhe, them se është e rëndësishme të bindim shtetet e tjera se ka veprime që mund t‘i ndërmarrim së bashku.

A nuk mendoni se Evropa dhe Mbretëria e Bashkuar janë më shumë pro rregullave se SHBA-ja?

Nuk e shoh në këtë kontekst. Amerika ka ligjin Sarbanes-Oxley, i cili është ndoshta më intervencionist sesa çdo gjë që ne kemi pasur në Londër. Atje ku ka probleme duhet të jesh i ashpër si mbikëqyrës. Atje ku ka kompani që kanë vepruar përherë brenda bilancit, mund të kesh rregulla më të lehta.

A do ta krahasonit atë që po ndodh me SHBA-në me periudhën kur ndikimi i Britanisë së Madhe po zbehej? A mendoni se Amerika do të kthehet ndonjëherë atje ku ishte?

Amerika është një shtet me një aftësi shëruese të jashtëzakonshme. Ka forcë shumë të madhe. Ka sipërmarrës të jashtëzakonshëm dhe disa kompani të mëdha. Amerika do të jetë gjithmonë një shtet shumë i fuqishëm. Mendoj se aftësia ripërtëritëse që do të shfaqë në kohët që do të vijnë do të demonstrojë se Amerika është një fuqi e madhe në botë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›