E Diel, 1 Nëntor 2026

GUANTANAMO, ME TE KEQINJTE E TE KEQINJVE?

Kur një gjykatës federal urdhëroi lirimin e 17 të burgosurve të Guantanamo Bay, në fillim të këtij muaji, ishte rasti i parë i vërtetë në historinë shtatëvjeçare të burgut që ndonjë prej të burgosurve të mund të transferohej në SHBA. Duke e marrë këtë vendim, gjykatësi kategorikisht refuzoi deklaratat e administratës së Bushit, se cilido nga të burgosurit e liruar, të cilët ishin myslimanë kinezë, ishin "luftëtarë armiq" apo shfaqnin rrezik ndaj sigurisë së SHBA-së. Vendimi ishte i pezulluar përkohësisht nga Gjykata e Apeleve, por gjykatësi ishte i vendosur.

Kontradiktat rreth politikës së administratës së Bushit që të mbajë luftëtarët armiq në Guantanamo është rritur që nga hapja e këtij burgu në vitin 2002, i ndezur kryesisht për shkak të mungesës së mbrojtjeve legale që u jepen të burgosurve dhe thënieve se po keqtrajtoheshin. Shpesh i shpërfillur, sidoqoftë, është fakti se shumica e këtyre të burgosurve kurrë nuk kanë shfaqur ndonjë rrezik ndaj Amerikës, për arsyen e thjeshtë se shumica e tyre kurrë nuk kanë qenë "luftëtarë armiq" në rend të parë. Para se të arrijmë te statistikat e reja, të cilat e vërtetojnë këtë fakt, pikë së pari ndihmon një rishikim i shpejtë mbi atë se si shkojnë të burgosurit në Guantanamo. Duke pasur parasysh mjegullën e propagandës që i rrethon të burgosurit e Guantanamos, të cilët ish-sekretari i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, njëherë i pati përshkruar si "më të këqijtë e më të këqijve", mund të befasoheni kur të kuptoni se, sipas vetë Pentagonit, vetëm 5 për qind e të burgosurve në burg ishin kapur nga forcat e SHBA-së, si fillim. Dhe për vetëm 4 për qind thuhet se kanë luftuar.

Pse ndodh kjo?

Pothuajse të gjithë të burgosurit iu ishin dorëzuar forcave të SHBA-së nga ana e të huajve, që shumë shpesh ishte për ndonjë shpërblim me të holla. Pasi forcat e SHBA-së pushtuan Afganistanin në fund të vitit 2001, ata u dhanë shpërblime pakistanezëve apo afganëve prej afro 5000 dollarësh a më shumë, për secilin të burgosur që do dorëzonin. Përkundër praktikave standarde të ligjit, ushtria e SHBA-së pranoi deklarata të pavërtetuara të atyre që morën shpërblimet, me shumë pak hulumtim të pavarur. Tani, nën shumë presion, Pentagoni ka liruar më shumë se 50 të burgosur gjatë tri viteve të kaluara, gjersa afro 270 mbeten ende të burgosur. Bazuar në statistikat rreth fatit të të burgosurve të tjerë të liruar në kontekste të tjera, nuk do të ishte befasuese nëse shumica e këtyre njerëzve kanë vazhduar jetët e tyre me krime terroriste dhe luftime ilegale. Në SHBA, më shumë se dy e treta e të burgosurve burgosen sërish për krime të reja e serioze të bëra brenda tri viteve, sipas Departamentit të Drejtësisë. Terroristët janë kriminelë gjithashtu, në fakt, të përkushtuar ideologjikisht.

Çdo probabilitet i arsyeshëm do të çonte te përfundimi se shkalla e përsëritjes së krimit për terroristët duhet të jetë e lartë, nëse jo edhe më e lartë sesa është për kriminelët e tjerë. Por qëllojani se çka iu ndodhi më shumë se 500 të burgosurve terroristë që SHBA-ja i ka liruar gjatë tri viteve të fundit? Vetëm një grusht prej tyre i është kthyer terrorizmit, apo fushëbetejës. Afro një e katërta e të burgosurve të Guantanamos, të cilët janë liruar, janë kthyer në Arabinë Saudite. Duke u përballur me një kërcënim të konsiderueshëm nga terrorizmi në shtetin e tyre, autoritetet saudite kanë qenë rigoroze, disa mund të thonë të vrazhda, në burgosjen dhe dënimin e cilitdo terrorist, për të cilin mendohej se paraqiste rrezik. Por nga statistikat e reja, të cilat na i ka dhënë Ministria e Brendshme në Riyad, zero nga 121 të burgosur të Guantanamos, të cilët u morën nga sauditët, ishin konsideruar si të rrezikshëm dhe të papërshtatshëm për lirim.

Ka edhe më keq. Nga ata të burgosur, të cilët i kthehen Arabisë Saudite nga Guantanamo, më shumë se gjysma janë liruar dhe tani janë të lirë, shumica pasi e kanë kaluar një periudhë në një shtëpi të dizajnuar që të promovojë një kthim të lëmueshëm në shoqëri. Vetëm gjashtë ish të burgosur të Guantanamos janë arrestuar sërish në Arabinë Saudite për çfarëdo arsye, një shkallë tejet e ulët e përsëritjes së krimit prej më pak se 9 për qind. Edhe pse përpjekjet saudite që t‘i riintegruar këta të burgosur brenda në shoqëri janë definitivisht për lëvdatë, i vetmi shpjegim për një shkallë të tillë të ulët të kthimit në krim është se të burgosurit kurrë nuk ishin fajtorë për akte terroriste në rend të parë. Me vite, zyrtarët e Pentagonit kanë thënë se shkalla e kthimit në krim për të burgosurit e liruar nga Guantanamo është afro 7 për qind. Informatat e publikuara në muajin maj nga Departamenti i Mbrojtjes edhe më tej përkrahin gjetjet saudite të një shkalle shumë të ulët të kthimit në krim. Lista e Departamentit me emrat e të burgosurve të liruar, të cilët më pas janë involvuar në aktivitete militante, apo terroriste, kudo në botë, tregon se 12 nga ata e kanë bërë këtë, një shkallë prej vetëm 2 për qind.

Në fakt, Pentagoni mund të citojë vetëm gjashtë raste, kur një i burgosur i liruar nga Guantanamo i mori armët kundër SHBA-së. Kur shkalla e kthimit në krim zakonisht shkon në më shumë se 60 për qind, dhe kur në Guantanamo ke një shkallë që është vetëm njëshifrore, nuk ke aq shumë popullatë kriminele (ose në këtë rast terroriste) pikë së pari. Nuk po themi se nuk ka terroristë në Guantanamo. Khalid Sheikh Mohammes, komandanti operacional i sulmeve të 11 shtatorit dhe të tjerët, të cilët janë transferuar aty nga burgjet sekrete të CIA-s në vitin 2006, definitivisht janë anëtarë të thelbit të Al-Qaedas. Ajo që po themi është se statistikat e reja nga Ministria e Brendshme saudite, e lidhur me vetë gjetjet e Pentagonit, tregojnë se shumica e individëve të burgosur në Guantanamo jo vetëm që nuk ishin terroristë, por ka gjasa se janë të pafajshëm për çfarëdo krimi.

Duke pasur parasysh historinë pikëlluese të burgosjes së njerëzve pa akuza apo dëshmi, rastet e vërtetuara të izolimit të vrazhdë dhe tani dëshmi këmbëngulëse, të cilat tregojnë se shumica e të burgosurve ishin të pafajshëm ndaj çfarëdo aktiviteti terrorist, duhet të jetë në mesin e prioriteteve më të larta të presidentit të ardhshëm të SHBA-së, që të mbyllë Guantanamon menjëherë. Guantanamo ka qenë një mjet i fuqishëm për rekrutimin e ekstremistëve dhe një njollë në reputacionin e SHBA-së. Tani ne mund të themi, me pak dyshim, se madje nuk ka shërbyer as për largimin e terroristëve, apo kryengritësve nga fushëbeteja.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›