E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një zonjë vetëm fitohet!

Dhe vjen një lajm te ne. Dhe jo vetëm! Kudo ku flitet shqip, në bashkësitë e mërgimtarëve e në diasporë. Shqipëria e paskëtajme do të jetë krejt ndryshe prej asaj që ishte deri dje. Gjërat kanë ndryshuar me themel. Përfundimisht gratë shqiptare i kanë të garantuara me shtatë palë kyçe të drejtat e tyre, barazinë e vërtetë, atë të kërkuarën fort. Dhe së fundi me ligj, jo me fjalë. Gratë shqiptare do të kenë 30 për qind të vendeve në institucionet e përfaqësimit. Madje jo vetëm atje. Ato do të kenë të ruajtura me ligj edhe 30 për qind të funksioneve të larta administrative shtetërore. Me ligj, një e treta e fuqive (angl. "power") pushtetore do të jenë vetëm për gratë, me qëllim që ato të plotësojnë barazinë e tyre, barazinë që u takon. Në çdo tre deputetë, dy do të jenë burra (në fakt pak më shumë se dy), dhe një do të jetë grua se s‘bën, sepse ne jemi një popull që kemi ecur përpara dhe nga viti në vit po europeizohemi!

Lajmi i rrufeshëm ka gëzuar mbi të gjitha gratë vetë, të cilat tani mund të jenë krenare se nuk do të jenë dy a tri nëpër aulat parlamentare dhe në pritjet ceremoniale shtetërore, por do të jenë plot një e treta. Këtë barazi, që e thonë dhe vetë, as që e kishin ëndërruar ndonjëherë! Një e treta është gati-gati sa opozita, s‘ke ç‘i thua! Dhe opozita, megjithëse nuk është pushtet, i ka disa fuqi ("power"). Dhe graria shqiptare gëzon fitoren që ka arritur. Çfarë fitoreje se! Një me dy! Kjo është një fitore që meriton të përhapet anekënd vendit me tam-tam e tambura! Sepse graria shqiptare as që e kishte ditur deri tani që barazia në ligj s‘është si në aritmetikë, ndaj mund të arrihej kaq lehtë, vetëm me 30 për qind!

Heroi pozitiv i ngjitet kodrës dhe thotë: "E shikoni?! Kjo është fitorja!". Kështu ndodhte dikur në letërsinë skematike përmbi-optimiste të realizmit socialist. Kështu ndodh edhe sot me botën grarishte shqiptare. Një gëzim i yndyrshëm, që shpërthen vetiu në fytyrat e zonjave tona. Të thuash se po përjetojnë hiç më pak se një nga ato gjendjet që gjuhësisht mbarojnë me "-azë" apo "-azmë"!

Ndërsa ekranet përcjellin portretet e vetëkënaqura të zonjave me pushtet, me të zeza a me të bardha veshur-o qofshin, fjalët e Biblës më rrëshqasin nëpër mend: "Kjo tash është ashti i eshtrave të mi, dhe mishi i mishit tim! Le të quhet grua, sepse kjo u mor nga njeriu". Kështu ishte bota kur u nis në krye. Adami nuk e deshi vetminë dhe iu lut hyjit që t‘i krijonte Evën. Po ndiqeni me vëmendje atë çka lexoni! Sikur nuk i tha t‘i krijonte vetëm një të tretën e vet?! Apo jo! Ǒshaka për të nxjerrë botën nga orbita do të kish qenë sikur Adami t‘i ishte lutur hyjit që t‘ia thyente vetminë me 30 për qind të qenies tjetër! Buzëqesh lehtë se ndonjë i disiplinuar teknikisht do më marrë për "të dalë mendsh" paçka se më vjen të gajasem me këtë sendërtim mendimi. Dhe kam të drejtë, sepse thjesht kjo është ajo çfarë kanë kërkuar Lulushkat tona.

Relativistët mund t‘ia lejojnë vetes pak gëzim, edhe kur gjërat nuk shkojnë më së miri, por "pak më mirë se dje". Mirëpo kurrsesi nuk mund të arrij ta kuptoj shfrenimin e vetë zonjave, vetëmjaftueshmërinë e tyre me ç‘u jepet nga ata që i kanë gjërat në dorë, sidomos festimin "me lumni" të lajmit të madh që është përhapur.

Pjesa e mbrapshtë e mendjes sime, pikërisht ajo pjesë që më lejon të afrohem më shumë me të vërtetën, më shtyn të mendoj: nëse barazia para ligjit, para Kushtetutës, para së drejtës për të zgjedhur e për t‘u zgjedhur, është një (grua) kundrejt dyve (burra), atëherë i bie që populli shqiptar të jetë një popull poligam. Ose të paktën bigam. Dhe ashtu rreth pas rrethi mendja më përafron me këtë vërejtje të frikshme portretin e poetit patriark Lasgush Poradeci. Ai ishte i fundmi burrë në Shqipëri që nuk pranonte të thirrej ndryshe veçse "zotni", natyrisht, përveç gjykatësve e prokurorëve, që ashtu i quante ligji. "-Zonja juaj është shumë e bukur, i tha poeti i trilleve të panumërt, njërit prej mysafirëve të paktë që pranonte për vizitë nga kryeqyteti".

Në të pëlqen kaq shumë, merre, - iu përgjigj me shaka, "ky shoku". Ah, jo! Kjo është një zonjë dhe një zonjë nuk dhurohet. Një zonjë vetëm fitohet, shqiptoi prerë veten Lasgushi. Ashtu si dhe një zotëri!

"Poeti i liqenit dhe i nositit" nuk kish vetëm emrin, kish dhe mendjen prej zotnie, mendje europeiste, që gjysmën tjetër të botës s‘e sheh as me shaka si qenie që dhurohet, as si qenie që diçka duhet t‘u dhurohet. Një në tre deputetë, për shembull! 30 për qind?! Epo shumë mirë! Jepni për barazinë! Jepni për emancipimin! Jepni për gruan në përgjegjësi! Jepni për nënat! Jep kush më shumë se 30 për qind?! Çështja u mbyll, zotërinj! Gratë le të festojnë tani barazinë! Ato që janë në qeverisje të parat!

Prozatorja amerikane e gati një shekulli të shkuar, Sylvia Plath, në librin e vet jetëshkrimor "Këmbana e qelqtë", shkruante "përsosmëria është e tmerrshme". Ashtu do të kishte qenë dhe barazia prej së vërteti, ashtu si i bëri Hyji në krye të herës Adamin dhe Evën, dy qenie të kithëta që bashkërisht bëjnë një gjë të vetme: sferën, globin, përsosmërinë. Por të tilla gjëra ndodhkan vetëm në rendin hyjnor. Në rendin e kësaj bote ligji i bën të barabartë në të drejtën për përgjegjësi publike burrin dhe gruan krejt ndryshe, si dy pasqyra të mysëta, që qëndrojnë kundruall njëra-tjetrës, si dy gjysma molle shpinë më shpinë.

Victoria Lewis, emri letrar i Sylvia Plath, ishte një shenjë për njerëzimin. Atë e trembte përsosmëria. Në mesin e viteve 1960, e pafuqishme për të ndikuar që të ndryshojë fati i rruzullit, shkroi poezinë e fundme, me titullin "Humnera" dhe iku në tejbotë e shuar dalëngadalë nën një vdekje eutanasike, prej helmit të gazit që vetë e la hapur, duke i kumtuar njerëzimit se përsosmëria është vërtet një tmerr dhe s‘duhet pretenduar. "Një grua e dorëzuar" dhe ajo, ashtu si Simone de Beavoir, thuajse e së njëjtës kohë me të.

Ishte një kohë kur burrnimi i Evropës, i së njëjtës Evropë të sotme që ka filluar të mendojë se ndoshta emancipimi duhet kuptuar si një lëvizje për të barazuar burrat me gratë dhe jo anasjelltas, e mendonte botën e ligjit, të artit, të krijimtarisë, përjashtimisht të vetën. Sot pakkush e di se prapa emrit të "shkrimtarit" George Sand gjatë gjithë jetës "u fsheh" një zonjë, Amandine Aurore Lucile Dupin, e cila e dinte mirë se një shkrimtare në "republikën e letrave" do të refuzohej menjëherë, sepse kishte hyrë në "territore të huaja", në të drejtat e burrave. Ishte një kohë kur edhe Akademia franceze kryekrejet ishte vetëm burrërishte. Për herë të parë një zonjë hyri triumfalisht nën kurorën e nderit të kësaj akademie në gjysmën e shekullit të shkuar, kur Marie Curie tronditi botën me zbulimet e veta. Ashtu ka qenë. Kur lexon librin "Woman in the Nineteenth Century" - "Gruaja në shekullin e 19-të" të Sarah Margaret Fuller Ossoli-t, i konsideruar prej shumicës së sociologëve si themeluese e lëvizjes për barazinë e gruas në shoqëri. Shkrimet e saj plot patos në "New York Tribue", ku njoftohen përpjekjet e saj për të reformuar ligjërisht kontinentin e "Botës së re", të bëjnë të mendosh se rruga që duhet përshkuar në një vend si yni, ku një lëvizje e ngjashme pati nisur në mesin e viteve 1930 në formën e "protestës kundër ferexhesë", është shumë e gjatë. Për më tepër kur mëson se vetë Margaret Fuller, pati një fund të trishtë dhe trupit të saj ka 150 vjet që s‘i gjendet shenjë!

Gati dy shekuj përpjekje dhe flijime kanë kaluar përmes emrave të Rosa Luxembourg, Wirginia Woolf, Nathalie Sarraute, Isabelle Allende, Margaret Yourcenar, Elsa Triolet, Simone de Beavoir dhe shumë lady-ve të tjera euro-amerikane që i kushtuan barazisë së gruas në shoqëri veprimin dhe mendimin, talentin dhe vetë jetën. Kur mendon vetëmevete njeriu i sotëm se ç‘rrugë e gjatë i është dashur botës për të ndryshuar diçka në pozitën e gruas në shoqëri; kur kujton se sa zonja mendjendritura i kanë dhënë fund jetës dëshpërimisht si Sylva Plath, duke shpresuar të jetojë përsosmërinë dhe idealen, të duket se ndoshta po e qorton padrejtësisht festën e hareshme të zonjave shqiptare që kënaqen, modestisht të varfrat me 30-përqindëshin! Ravijëzon mendimin dhe ato të duken kaq të vogla dhe të lehta! Ato zonja që e kërkuan dhe nuk e besuan përsosmërinë, të paktën nuk bënë festë për një "fitore" një me dy! Nuk gjetën një rrugë më të efektshme për mospajtim dhe nuk pranuan për asnjë çast të jenë pjesë e mashtrimit të përgjithshëm. Dhe sot mashtrim më të përgjithshëm se të shesësh për barazi 30 përqindëshin nuk mund të ketë! Nocioni i "rezervimit" në aktet juridike është saktësisht për të mbrojtur të drejtat e një pakice, jo të gjysmës. A nuk u rregullua edhe në "pakon Ahtisaari" e drejta "e kyçur" e pakicave serbe pikërisht përmes instrumentit të "rezervimit"? E njëjta gjë. Graria shqiptare po kënaqet se ka fituar si barazi të drejtën e pakicës. Dhe as po ndërmendet për sa e sa flijime, bota e zonjave ka kryer deri tani, në emër të një barazie tjetër, si gjysma me gjysmën! Vallë t‘i kenë lexuar?!



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›