E Diel, 1 Nëntor 2026

Daniel Godelli, kampioni i Europes ne pranga



Peshëngritësi Daniel Godelli, medalisti i artë dhe kampioni i trefishtë i Europës për moshën U-17 në Eliat të Izraelit (6-30 shtator 2009), u arrestua nga policia e Vlorës, pas zbulimit të një sasie fishekësh në valixhen e udhëtimit të tij, ndërkohë që pas bashkëveprimit edhe më blutë e Peqinit, në shtëpinë e 18-vjeçarit u gjet një arsenal i vërtetë armësh. Arrestimi i një prej shtangistëve më të talentuar të brezit të gjashtë të Peshëngritjes shqiptare, fitues i tri medaljeve të arta në Kampionatin Europian U-17 të zhvilluar Amiens të Francës (korrik 2008), është një tjetër lajm i zi për botën e sportit.

ARRESTIMI
Ish-kampioni i Europës në Peshëngritje, Daniel Godelli, përfundon në pranga pas zbulimit të një arsenali armësh në makinën dhe banesën e tij në Peqin. Burime pranë Policisë së Shtetit bëjnë të ditur se peshëngritësi Godelli është arrestuar pasditen e djeshme në Portin e Vlorës, pas një kontrolli që policia ka bërë në makinën e tij dhe më pas është njoftuar policia e Peqinit, e cila ka ushtruar një kontroll në banesën e tij, ku ka gjetur dhe disa armë të tjera. “Pas informacioneve të marra në rrugë operative, policia ushtroi kontroll në automjetin e shtetasit Daniel Godelli, ku u gjet një sasi municioni dhe detonatorësh”, – bëjnë të ditura burimet nga policia. Sipas tyre, menjëherë është marrë masa e ndalimit për personin e dyshuar si mbajtës i armëve pa leje, kryesisht municione luftarake. Gjithashtu bëhet e ditur se në polici është shoqëruar dhe i ati i tij, Sulejman Godelli. Materialet hetimore në ngarkim të tij i kaluan prokurorisë për hetime të mëtejshme.

PRECEDENTËT
Daniel Godelli nuk është personazhi i parë i njohur që bie në pranga për kryerjen e veprave penale. Vetëm pak kohë më parë, një krim i rëndë tronditi qytetin e Vlorës dhe ku si protagonist ishte një ish-futbollist i “Flamurtarit”. Bëhej fjalë për Agim Bubeqin, i cili më 16 korrik 2009, pas një grindjeje për motive të dobëta, ai vrau me thikë shtetasin Edmond Guci, 26 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në lagjen “10 korriku” në qytetin e Vlorës. Sipas policisë, në këtë ngjarje mbetën të plagosur edhe shtetasit Enjard Nuraj, 21 vjeç, Juljan Islamaj, 27 vjeç, Gëzim Bardhaj, 40 vjeç dhe Musa Brahimaj, 28 vjeç, të cilët janë goditur nga Bubeqi me të njëjtën thikë dhe kanë marrë plagë në pjesë të ndryshme të trupit. Gjithashtu, të shumta kanë qenë rastet kur sportistë të ndryshëm janë arrestuar brenda, por edhe jashtë vendit, pasi u janë gjetur lëndë narkotike.

GODELLI

Në Europianin e të rinjve në Landskrona të Suedisë (26 korrik-2 gusht 2009), Godelli u rendit i pesti në shkëputje me 133 kg, ndërkohë që peqinasi fitoi medalje e bronztë në shtytje me 165 kg dhe po të bronzit në dygarësh me 298 kg. Pak javë më pas, në Eliat të Izraelit, Godelli fiksoi shtangën në shkëputje 137 kg, shtytje 160 kg, dygarësh 297 kg, duke thyer vazhdimisht në një numër të madh rekordesh kombëtare në peshën e tij. Daniel Godelli shihej si një nga shpresat e peshëngritjes shqiptare dhe, sipas sekretarit të Federatës së Peshëngritjes Shqiptare, Ilir Kraja, konsiderohej një kandidaturë e fortë për të qenë pjesë e delegacionit kuqezi në Lojërat e ardhshme Olimpike “Londër 2012”. Godelli i përket brezit të gjashtë të suksesshëm të shtangës, së bashku edhe me Xhulio Prronin, Hysen Pulakun, Romario Avdiajn, Arduen Hoxhën, Krenar Shonajn. Në Kampionatin Europian për të Rinj, që u zhvillua në Shqipëri në qytetin e Durrësit (2008), Godelli fitoi 3 medalje ari, ndërkohë që u përzgjodh nga paneli i gazetarëve sportivë në 10 më të mirët e vitit 2008 në anketën e përvitshme të gazetës sportive “Sporti Shqiptar”, Edicioni i 51-të të saj.

26 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›