E Diel, 1 Nëntor 2026

Punëtorët e shtëpive, procedura për regjistrimin e sigurimit dhe pagesës



Hyn në fuqi detyrimi për të deklaruar dhe regjistruar pranë tatimeve kategorinë e atyre individëve që bëjnë punë shtëpie, shërbëtorët. Detyrimi lindi pas urdhrit të Kryeministrit, sipas të cilit edhe shërbëtorët kanë të drejtë të përfitojnë pension si gjithë të tjetër, por më parë nevojitet regjistrimi i tyre në tatime. Sa i takon kryefamiljarit, i cili në rastin konkret është një punëdhënës, duhet të derdhë çdo tre muaj kontributet shoqërore në llogarinë bankare të punëtorit të shtëpisë. Kontributi mujor që duhet të paguajë kryefamiljari është 1200 lekë, pavarësisht pagës që merr shërbëtori, ndërsa për efekt pensioni, qeveria do të japë një pjesë të kontributit. “Kryefamiljari, që punëson persona si punëtorë shtëpie, në momentin e paraqitjes për regjistrim në organin tatimor, duhet të dorëzojë atje kërkesën me shkrim, si dhe kopje të marrëveshjes së punës së nënshkruar ndërmjet palëve. Marrëveshja duhet të përmbajë numrin e sigurimit shoqëror, kohën e fillimit të punës, zgjatja e saj ‘me afat, pa afat’, si edhe pagën bruto mujore”, thuhet në paragrafin e dytë, pika 1 e udhëzimit. Tatimet, pasi verifikojnë kërkesën për regjistrim, i dorëzojnë NIPT-in kryefamiljarit brenda dy ditësh, ndërsa për këtë kategori punëdhënësish krijon një departament të veçantë. E njëjta gjë ndodh edhe me çregjistrimin, përgjigjja e së cilës jepet pas dy ditëve. Kryefamiljari duhet të paguajë kontributet e punëtorëve të shtëpive, edhe pse mund të jenë të punësuar paralelisht në vende të tjera dhe anasjelltas. Pas përfundimit të të gjitha procedurave, punëtorët e shtëpive, ashtu si edhe ambulantët dhe vetë të punësuarit, pajisen me librezën e kontributit, nga strukturat e sigurimeve shoqërore, duke vendosur shënimin “të siguruar vetëm për pension”.

Kursi valutor, monedha kombëtare fiton disa pikë ndaj euros

Euro humbi 33 qindarka në kursin e këmbimit kundrejt lekut, ndërkohë që monedha shqiptare shënoi kuotën më të lartë që nga 25 shkurti. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, të cilat pasqyrojnë kursin mesatar me pakicë të paradites, euro u këmbye për 138.7 lekë dje. Në tregun ndërbankar, ku valuta këmbehet në sasi të mëdha, kursi mesatar i këmbimit të euros ra deri në 138.2 lekë dje, ndërsa e mbylli ditën e punës rreth kuotës 138.5 lekë. Euro ka rënë kundrejt lekut për pesë ditë radhazi dhe ekspertët shpresojnë se në këtë mënyrë, po i largohet kuotës psikologjikisht të rëndësishme prej 140 lekësh.
Shkaku kryesor sipas agjentëve të këmbimit valutor, nuk lidhej me kërkesë-ofertën në tregun shqiptar, por me rënien e fortë të euros në tregun ndërkombëtar. Euro humbi 1.1 për qind të vlerës së vet kundrejt dollarit, duke shënuar kuotën më të ulët në 11 muaj, si pasojë e faktit që kompania e vlerësimit të borxheve “Fitch” i hoqi një notë cilësisë së borxheve sovrane të Portugalisë. Ky ndryshim në tregun ndërkombëtar u pasqyrua me shtrenjtim të dollarit dhe me ulje të euros në tregun shqiptar. Dollari shënoi kuotën më të lartë që nga mesi i vitit 2009 kundrejt monedhës sonë në 103.66 lekë, sipas kursit fiks të publikuar nga Banka e Shqipërisë. Vlera e dollarit në tregun shqiptar nuk përcaktohet nga kërkesë-oferta për shkak se sasia e dollarit në qarkullim është e papërfillshme. Historikisht leku shqiptar ka ndjekur euron në ndryshimet kundrejt monedhave të treta si USD apo Paund.

26 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›