Withers: “Zgjidheni krizën me kompromis, zgjidhjet e njëanshme, të padobishme”
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka hedhur kritika ndaj klasës politike shqiptare, duke shprehur keqardhje për mosarritjen e një marrëveshjeje për zgjidhjen e krizës politike që ka përfshirë vendin. “Shprehim keqardhje që deri sot nuk është arritur një zgjidhje për krizën politike”, - ka deklaruar ambasadori amerikan John Withers, i cili ka bërë thirrje që palët të angazhohen seriozisht për një zgjidhje në sallën e Kuvendit, dhe jo në rrugë. “Nxisim të gjitha palët që të vijojnë të punojnë brenda Kuvendit me dialog dhe kompromis. Toni i diskutimeve duhet të përqendrohet te pikat e përbashkëta, jo tek arritjet partiake”, - ka pohuar Ambasada nëpërmjet një deklarate për mediat. Më tej selia diplomatike ka shprehur mbështetjen e saj ndaj deklaratave të ambasadorit të OSBE-së, Robert Bosh, se seanca parlamentare e zhvilluar më 18 dhe 19 mars ishte e padobishme. “Veprimet e njëanshme nuk zgjidhin ngërçin aktual dhe as e çojnë përpara axhendën euroatlantike”, - ka shtuar Ambasada. “Kemi ndjekur me kujdes diskutimet në Parlament mbi situatën politike shqiptare. Shprehim keqardhjen që deri sot nuk është arritur asnjë zgjidhje për krizën e tanishme. Nxisim të gjitha palët të vazhdojnë të punojnë brenda Parlamentit për të zgjidhur dallimet që kanë me anë të dialogut dhe kompromisit. Toni i diskutimeve duhet të përqendrohet mbi gjetjen e pikave të përbashkëta, dhe jo mbi arritjet partiake”, - ka theksuar ambasadori i SHBA-ve. Deklarata ka ardhur vetëm pak orë para se të fillonte seanca parlamentare e pasdites së djeshme.
26 Mars 2010