E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza shqiptare përçan në dy grupe Parlamentin Europian



Eljona Ballhysa
“Partia Socialiste e Shqipërisë duhet t’i japë fund bojkotit parlamentar”, - është shprehur dje kryetari i Grupit Parlamentar të Partive Popullore Europiane, që i përket spektrit të partive të djathta europiane, Jozef Doul. Kjo deklaratë vjen vetëm një ditë pas deklaratës së Grupit Parlamentar të së majtës europiane, të cilët i bënin thirrje politikës shqiptare për transparencë të plotë të procesit zgjedhor. Duket qartë se kriza politike në Shqipëri i ka kapërcyer kufijtë e shtetit shqiptar duke përçarë në dy grupe dhe Parlamentin Europian. Hapja ose jo e kutive të votimit ka ndarë më dysh Parlamentin Europian, i cili nuk ka një qëndrim të unifikuar për këtë çështje, duke e kthyer krizën shqiptarë në një krizë europiane.
Grupi i djathtë
Deklarata e Jozef Doul erdhi pas vendimit të marrë nga Partia Socialiste shqiptare, e cila nuk do të marrë pjesë në punimet e komisionit hetimor parlamentar që u miratua vetëm me votat e maxhorancës. “Shqipëria është një vend që pret të ndërmarrë hapa të mëdha drejt BE-së. Bojkoti parlamentar dhe vazhdimi i akuzave dëmton imazhin e Shqipërisë në BE dhe në veçanti në një kohë kur janë duke u diskutuar çështje të rëndësishme siç është liberalizimi i vizave. Parlamenti është vendi për të dialoguar dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet”, - është shprehur Doul. “Ne e konsiderojmë thelbësor funksionimin e shtetit ligjor, respektimin e vendimeve të gjykatave, transparencën, por edhe respektimin e parimit të ndarjes së pushteteve. Partia Socialiste duhet t’i drejtohet gjykatës për shqetësimet e saj. Praktikat bllokuese, protestat, kërcënimet dhe bojkoti e dëmtojnë shumë procesin integrues dhe imazhin e Shqipërisë”, - është shprehur Doul. Ai theksoi se delegacioni i PE-së në vendet e Europës Juglindore ishte impresionuar nga progresi i Shqipërisë dhe nga përmbushja e kushteve teknike që lidhen me përfitimin e liberalizimit të vizave. “Ne u bëjmë thirrje partive politike shqiptare që të bashkëpunojnë në Parlament dhe në institucionet shtetërore që të realizojnë reformën zgjedhore dhe të vazhdojnë normalisht me procesin integrues të vendit”, - përfundon deklarata e Doul.
Grupi i majtë
Vetëm një ditë më parë reagoi Grupi i Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian përmes një deklarate lëshuar liderëve politikë shqiptarë duke u kërkuar atyre që të zgjidhin ngërçin politik, pasi në të kundërt, Shqipëria rrezikon integrimin e saj në BE. Ky grupim politik thekson se shumica në pushtet akoma nuk i ka kthyer një përgjigje konkrete opozitës parlamentare për të realizuar kërkesën e saj mbi transparencën e plotë të zgjedhjeve duke hapur edhe kutitë e votimit. “Pas kthimit të pjesëtarëve të Partisë Socialiste të Shqipërisë në Kuvendin e Shqipërisë, nuk është dhënë ende nga ana e partive të maxhorancës qeverisëse një përgjigje e kënaqshme për kërkesat e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, që do të zhvillojë një hetim të plotë, duke përfshirë edhe hapjen e kutive të votimit, mbi mënyrën se si u zhvilluan zgjedhjet parlamentare të 2009-s. Shqipëria e gjen sërish veten në një krizë të thellë politike, e cila po bllokon seriozisht ambiciet europiane të vendit”, - thuhet në deklaratë. Më tej, në këtë deklaratë, Grupi i Socialistëve dhe Demokratëve në PE-së u bën thirrje forcave politike shqiptare dhe liderëve të tyre që të kryejnë transparencën e zgjedhjeve jo vetëm për zgjidhjen e situatës aktuale politike, por edhe për krijimin e një baze të qëndrueshme për përmirësimin e Kodit Zgjedhor dhe për mënyrën e organizimit të zgjedhjeve të ardhshme lokale apo parlamentare, me qëllim që këto zgjedhje të përmbushin standardet ndërkombëtare dhe të mos kontestohen si zgjedhjet e vitit të kaluar. Sipas socialistëve dhe demokratëve europianë, nevojitet që mënyra e zgjidhjes së krizës politike të realizohet përmes një dialogu konstruktiv midis maxhorancës dhe opozitës, me synimin për të rritur e forcuar edhe procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian. Madje dy zëvendëspresidentët e Grupit të Demokratëve dhe Socialistëve Europianë, përkatësisht Severin dhe Svoboda, kanë shprehur vullnetin e tyre politik që së bashku me përfaqësues të tjerë të Partive Popullore Europiane të vizitojnë Shqipërinë për të ndihmuar në një zgjidhje të ekuilibruar të krizës politike.

26 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›