E Diel, 1 Nëntor 2026

Tokat e lëna djerrë, qeveria ua merr fshatarëve dhe i jep me qira



Ervin KOÇI

“Toka i takon vetëm atij që e punon(!)”. Ky duket se do të jetë parimi i ri i qeverisë e cila ka vendosur t’ua heq të drejtën e pronësisë fermerëve që nuk e punojnë dhe kultivojnë atë, duke ua marrë dhe dhënë me qira tek të tjerë pronarë më nikoqir. Kjo çështje ishte dje dhe tema e debatit në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, i cili vendosi që tokat bujqësore të lëna djerrë dhe të papërdorura prej kohësh të jepen me qira për ata fermerë që dëshirojnë t'i punojnë. Komisioni i Ekonomisë miratoi në parim projektligjin “Për përdorimin dhe shfrytëzimin e tokave bujqësore të papunuara”. Ky projektligj konkretizon nismën e qeverisë për lëshimin me qira të tokës bujqësore që nuk kultivohet nga pronarët aktual që e kanë në zotërim. Kjo do të thotë se pronësia nuk ndryshon, dhe se qiraja nuk do jetë më shumë se pesë vjet. "Sipas këtij modeli, nuk preket tagri i pronësisë mbi tokën, ajo tokë vazhdon të mbetet pronë e fermerit që e ka fituar me ligjet që përmenda në fillim",- tha deputeti i PD-së, Jemi Gjana.

Toka djerë
Në çdo dhjetë hektarë tokë bujqësore sipas shifrave zyrtare, një mbetet djerrë, ndërkohe që sasitë e papunuara realisht mund të jenë edhe më të mëdha. Për Shqipërinë, një vend me sasi të kufizuar të tokës bujqësore e që po kufizohet dita-ditës, kjo gjë përbën një problem shqetësues. Relatori i këtij projektligji, bëri me dije para deputetëve se si janë të shfrytëzuara sipërfaqet e tokës bujqësore në vendin tonë aktualisht. "Koncepti i funksionit social për pronën realizohet më mirë, pra, duke mos cenuar pronësinë private mbi këtë pronë, por natyrisht duke i krijuar dhe mundësinë e përdorimit të këtij aseti të çmuar për ekonominë e vendit. Megjithëse sipërfaqja në projektligj nuk ka hapësira të mëdha, por unë desha të theksoj se kjo sipërfaqe, që nga pikëpamja e vlerave ekonomike është një sipërfaqe e dobishme",- tha Irfan Tarelli, drejtor i burimeve në MBUMK-ë. Shumë prej fermerëve që kanë përfituar toka bujqësore me ligjet e miratuara pas vitit 1992, nuk i përdorin ato. Ndërkohë, moskultivimi i tyre ka bërë që shumë prej tyre nuk janë më të përshtatshme për mbjellje.

Shpërblimi
Njësitë vendore do të përcaktojnë kriteret dhe masën e shpërblimit për pronarët e tokave që nuk e kultivojnë më atë, pas kalimit të pronës pronarëve të tjerë në përdorim. Ky është thelbi i projektligjit të miratuar nga Komisioni Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, për "Për përdorimin dhe shfrytëzimin e tokave bujqësore të pakultivuara". Sipas relacionit të këtij projektligji, qiradhënia e tokës do të jetë për një periudhe maksimale 5 vjeçare, ndërsa taksën e tokës bujqësore do ta paguajë sërish pronari i ligjshëm i tokës. Sipas të dhënave që disponon Ministria e Bujqësisë, rezultojnë të pakultivuara rreth 50 mijë ha tokë nga sipërfaqja në pronësi private.

Durrës, bllokohen dy kontejnerë me mish importi

DURRËS- Në pikën e kalimit kufitar në Portin e Durrësit janë bllokuar dy kontejnerë me mish dhe dhjamë gjedhi të ngrirë, pasi certifikata që shoqëronte ngarkesën ishte e destinuar për në Rusi. Kontejnerët përmbanin respektivisht mish gjedhi të ngrirë në sasinë 27.600 kg dhe dhjam gjedhi të ngrirë në sasinë 28.400 kg, të cilat janë zhdoganuar në doganën e Tiranës. Burime nga Ministria e Bujqësisë bëjnë të ditur se nga verifikimi i certifikatave veterinare që shoqëronin produktin pranë Shërbimit Veterinar në Paraguaj
rezultoi se ngarkesa e dhjamit të gjedhit ishte lëshuar për mish të ngrirë pa kocka, kurse ngarkesa tjetër me mish ishte destinuar për në Rusi. Autoriteti Kompetent në Paraguaj konfirmon se firma e veterinerit zyrtar në të dy certifikatat është false. Inspektorati i Sigurisë Ushqimore së Tiranës ushtroi kontroll në magazinat frigoriferike të kompanisë dhe konstatoi se dhjami i ardhur nga Pragauaj nuk gjendej në magazinë. Drejtuesit e kompanisë pretendojnë se e gjithë sasia është futur në përpunim për prodhim nënproduktesh me origjinë shtazore, ndërsa sasia e mishit të gjendur në magazinë u bllokua. Ministria e Bujqësisë vlerëson se këto raste përbëjnë një shqetësim shumë të madh për sigurinë ushqimore, pasi janë mbartës të mundësisë së transmetimit të sëmundjeve që rrezikojnë shëndetin e konsumatorit shqiptar si dhe të kontaminimit të mjedisit.

Erozioni, nis inspektimi i zonave bregdetare

Në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për miradministrimin e territorit të vendit dhe në mënyrë të veçantë të tokave bregdetare, u zhvillua dje nën drejtimin e ministrit të Punëve Publike dhe Transportit mbledhja e grupit ndërinstitucional të punës, për kryerjen e studimit të gjendjes së erozionit detar dhe përcaktimin e masave të mbrojtjes ndaj tij.
Grupi i punës do të bashkëpunoje me Bankën Botërore dhe me PNUD për realizimin e këtij studimi të rëndësishëm për bregdetin shqiptar. Studimi i vijës bregdetare që nga Velipoja deri në Nartë do të evidentojë gjendjen e vijës bregdetare, si edhe tendencat erozive të detit, si pasojë e ndryshimeve klimaterike. Studimi synon të jetë konkret e kompleks dhe do të përfshijë planin e veprimit dhe masat e ndërhyrjet eventuale afatshkurtra, afatmesme e afatgjata, të cilat mund të ndërmerren me qëllim frenimin e fenomenit të erozionit detar. Në të, do përcaktohet gjithashtu kostoja financiare e ndërhyrjeve në segmente të caktuara të vijës bregdetare, si dhe kostoja e përgjithshme për një ndërhyrje të gjerë e të plotë. Ministritë, institutet shkencore dhe të gjitha institucionet e tjera shtetërore do vënë në dispozicion të grupit të studimit ekspertët më të kualifikuar të kësaj fushe, si dhe gjithë të dhënat që mund t’i shërbejnë kryerjes në kohë e cilësi të këtij studimi.

Interesat bankare
Përditësimi i fundit: 24.03.2010

Interesat në tregun ndërbankar të parasë
TRIBID 'Interesi i kërkuar për pranimin e depozitave'
o/n njëditor 3.98%
12M 12-mujor 7.51%
6M 6-mujor 6.49%
3M 3-mujor 5.60%
1M 1-mujor 5.15%
1Ë njëjavor 4.88%
TRIBOR 'Interesi i ofruar për vendosjen e depozitave'
1M 1-mujor 6.90%
1Ë njëjavor 6.18%
o/n njëditor 5.98%
12M 12-mujor 9.30%
6M 6-mujor 8.02%
3M 3-mujor 7.38%

26 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›