E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompensimi me këste, ish-pronarët që do t’i marrin paratë të parët



Laureta Rryçi

Vendimi më i fundit i qeverisë ka përcaktuar mënyrën se si do të përzgjidhen ish-pronarët e parë që do të kompensohen me këste për pronat e humbura. Kompensimi i ish-pronarëve për vitin 2010 ka pësuar disa ndryshime në metodikën e tij, kjo pas rregullimeve që i janë bërë kohët e fundit ligjit “Për kthimin dhe kompensimin e ish-pronarëve të ligjshëm”. Pas botimit në Fletoren Zyrtare, ligji i ri parashikon disa ndryshime në mënyrën se do të bëhet shpërndarja e parave për të gjithë ish-pronarët në bazë të regjistrit rendor të emrave dhe aplikimeve. Sipas ekspertëve të AKKP-së, fondit të përcaktuar nga qeveria në buxhetin e shtetit për kompensimin e ish-pronarëve për vitin 2010 do t’u shtohen edhe paratë që do të kalojnë në llogari të Agjencisë nga ALUIZNI. Ky i fundit ka nisur tashmë prej disa javësh procesin e pagesave për dhënien e dokumenteve të legalizimit për ndërtimet informale, një pjesë e të cilave po bëhet me letra me vlerë nga banorët e këtyre zonave. Ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë dhe të Agjencisë së Kthimit e Kompensimit të Pronave kanë nisur hartimin e metodikës së re që do të ndiqet për kompensimin e ish-pronarëve. Por, prej një muaji, agjencitë vendore nëpër rrethe janë shkrirë dhe tashmë ka mbetur vetëm AKKP-ja që ka marrë në dorëzim situatën duke ndjekur procedurat e parashikuara në ligj. Sipas ligjit të ri, paralelisht me kërkesat për njohje dhe kthim fizik do të nisë puna dhe për ndarjen e fondit të parashikuar për këtë vit, si dhe mbi shumat që do të kalojnë në llogari gjatë procesit të legalizimit të ndërtimeve të paligjshme. Ndërsa pritet që sërish të përdoret kriteri i skualifikimit në renditjen e përfituesve të parë.
Kompensimin
Në kompensimin e pronarëve për vitin 2010 pritet të renditen dy kategori. Në kriteret e propozuara mësohet se është vendosur kualifikimi i përfituesve që nuk kanë përfituar më parë kompensim financiar apo dhe fizik. Kjo është një procedurë e ndjekur në të pesë vitet e shkuara. Ndërsa në rast se sërish do të duhet renditja e kritereve të tjera, në fuqi do të qëndrojë dhe kushti që ata ish-pronarë që do të përfitojnë kompensim në të holla të mos ketë përfituar prej kompensimit të 200 m2 të dhënë deri tani. Në këtë mënyrë do t’u jepet përparësi personave që nuk janë “dëmshpërblyer” për pronën që nuk u është kthyer ende. Ndërkohë, kriter do të mbetet dhe afati i kërkesës së bërë për njohjen e pronës. Gjithsesi, përfituesit do të kualifikohen për gjithë sipërfaqen që kanë kërkuar për kompensim, dhe jo vetëm për 200 m2 tokë. Kjo do të bëjë të mundur dhe një miratim të plotë të listës dhe nisjen e një procesi të pandalshëm për kompensimin financiar. Këtë vit, veç fondit 7 miliardë lekë, do të shtohen dhe të ardhurat nga legalizimet apo donacionet. Një tjetër kategori përfituesish do të jenë dhe ish-pronarët, tokat e të cilëve janë zënë me ndërtime të paligjshme. Për ta pritet që renditja të jetë në bazë të procesit të regjistrimit të pronave të paligjshme. Duke parë kompensimet e mëparshme pritet që aplikuesit, dosja e të cilëve daton në vitet 1996-1997, ose më parë, të jenë përfitues nga fondi financiar.
Fondi
Ashtu si në vitet e shkuara, edhe për 2010-n e në vazhdim trashëgimtarët do të duhet të paraqiten në AKKP me prokurë të noterizuar dhe të firmosur nga të gjithë trashëgimtarët e tjerë të ligjshëm (nëse ka). Ndërsa për të kërkuar kompensimin financiar do të duhet vendimi për njohjen e pronave, si dhe hartat përkatëse. Ekspertët tashmë kanë nisur hartimin e procedurës së ndarjes së fondit financiar. Burimet kanë bërë të ditur se pas konsultimeve me Ministrinë e Drejtësisë do të nisin dhe pranimet e dosjeve. Ndërsa është AKKP-ja, e cila administron procesin. Gjithsesi, afatet për ndarjen e fondit do të vendosen pas miratimit të projektit në qeveri.
Pagesa
Kompensimi financiar i pronarëve do të bëhet për të gjithë sipërfaqen e tokës së shpronësuar, por pagesa e të gjithë shumës së parave do të bëhet me këste. Qeveria ka zgjedhur të përdorë edhe për ish-pronarët të njëjtën skemë që do zbatohet për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë, duke e bërë kompensimin e parave me këste. Ligji i ri i propozuar nga qeveria për realizimin e kompensimit financiar të subjekteve të shpronësuara do të ndryshojë rrënjësisht skemën aktuale që po përdoret për këtë proces. Do të jetë Këshilli i Ministrave që do të nxjerrë një VKM për realizimin e këtij procesi, pasi e gjithë procedura që do të aplikohet është krejtësisht e re. Veçori të fondit përbën fakti që të ardhurat e tij do të mund të trashëgohen nga një vit në tjetrin. Ky përcaktim do t`i japë një impuls të ri procesit të kompensimit financiar të pronës. Ministria e Financave do të përcaktojë afatet dhe modalitetet për mënyrën dhe formën e kompensimit të ish-pronarëve në bazë të ligjit të ri, i cili parashikon dhe kompensimin e shtrirë në kohë dhe me këste. Një gjë e tillë sanksionohet edhe për ish-pronarët, të cilët përfitojnë kompensim financiar nga shteti, si pjesë e procesit të legalizimit të zonave informale, pasi në bazë të arkëtimit të të ardhurave, Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit të Financave, miraton shumën në dispozicion të pronarëve, si dhe shtrirjen kohore të përfitimit të kësaj shume. Pjesa e mbetur e fondit të kompensimit përdoret për kompensimin e subjekteve të shpronësuara në periudha të ndryshme kohore gjatë vitit, në varësi të të ardhurave, që gjenden në fondin e kompensimit të pronave. Kjo skemë do t’i japë mundësi qeverisë që të përcaktojë një afat konkret për përmbylljen e këtij procesi, si dhe do t’u japë mundësi ish-pronarëve të marrin të gjithë shumën për pronën e tyre, pasi deri vitin e kaluar kompensimi bëhej për sipërfaqe deri në 200 metra katrorë.

box
Si do të bëhet ndarja e fondit special

Qeveria ka përcaktuar një llogari të posaçme bankare që administrohet nga ana e AKKP-së dhe çelet në një llogari të posaçme të thesarit në Bankën e Shqipërisë. Për burimet e fondit të pronave, qeveria ka përcaktuar disa mënyra. Së pari, janë të ardhurat buxhetore ku përfshihen të ardhurat nga buxheti faktik i shtetit për kompensimin e subjekteve të shpronësuara. Së dyti, në këtë fond përfshihen të ardhurat të realizuara nga shitja me ankand e pasurive shtetërore, për të cilat nuk ka vendim të dhënë nga komisionet e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, në masën 65 për qind e vlerës së shitjes për objektet dhe 100 për qind e vlerës së shitjes për truallin. Së treti, janë të ardhurat e arkëtuara nga transferimi i pronësisë së parcelës ndërtimore, sipas ligjit "Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje", të ndryshuar. Ndërkohë që pjesë e fondit do të jenë edhe të ardhura të tjera, që sipas ligjeve të veçanta apo akteve nënligjore, kalojnë për llogari të kompensimit të pronave.

Përfitimi i parave

Shuma e të hollave të përfituara nga kompensimi financiar, e depozituar në llogarinë bankare, tërhiqet personalisht nga subjekti përfitues apo nga kujdestari i tij ligjor, kur ai ka humbur zotësinë juridike për të vepruar. Pagimi i shumës së depozituar në favor të subjekteve përfitues bëhet pas paraqitjes të së gjithë dokumentacionit ligjor të nevojshëm për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit.

.

26 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›