Shkëlqejnë shqiptarët

Ekipet shqiptare e kanë filluar në mënyrë të shkëlqyeshme aventurën në garat ndërkombëtare - rrethin e parë të kualifikimeve për Europa League.
Nënkampioni i Shqipërisë, Flamurtari ka shkelur Buduçnostin midis Podgoricës, duke e mposhtur me rezultat të lartë 1:3. Kuqezinjtë qysh në minutën e 23-të realizuan gol nëpërmjet Ardit Shehajt.
Ndërsa në fillimin e pjesës së dytë, malazezët barazuan me anë të Boshkoviçit, këtë herë pas një gabimi të mbrojtjes vlonjate. Por, në minutën e 63-të, Flamurtari ka kaluar sërish në avantazh. Idrizaj devijoi në rrjetë një top të Shehajt, ndonëse topi u prek njëkohësisht edhe nga mbrojtësi malazez, Radunoviç.
Pa kaluar ende dy minuta, Flamurtari përfiton një penallti, që u ekzekutua saktë nga Artan Sakaj. Skuadra e Maganit ka arritur një mision thuajse historik në Podgoricë, duke fituar ndaj një ekipi, që të paktën në letër, konsiderohej më i mirë.
Edhe Vllaznia e Shkodrës është kthyer me gjah të plotë nga Malta, pasi ka mposhtur skuadrën modeste Birkirkaras 0:1. Golin e vetëm për shkodranët e ka realizuar Xhevahir Sukaj, qysh në minutën e dytë. Por ky gol mund të jetë shumë i vlefshëm që Vllaznia të kalojë në rrethin e dytë.
Në anën tjetër, skuadra shqiptare nga Maqedonia, Renova, që udhëhiqet nga trajneri kosovar, Bylbyl Sokoli ka fituar ndeshjen e parë përballë ekipit nga Irlanda Veriore, Glentoran.
Përveç kësaj, edhe ekipet ku luajnë shqiptarët kanë shkëlqyer. Skuadra nga Azerbajxhani, Karabakh, ku luajnë dy reprezentuesit e Shqipërisë, Admir Teli e Ansi Agoli, kanë mposhtur me rezultat bindës ekipin nga Lituania, Banga Gargzdai0:4. Ekipi i dyshes shqiptare tash duhet të mendoj për rrethin tjetër.