Hagë, 21 vende mbrojnë Kosovën, 13 janë kundër
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka deklaruar se 35 shtete të OKB-së, i kanë dorëzuar kërkesat për pjesëmarrje në procesin lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Prej tyre 21 janë pro pavarësisë, kurse 13 kundër. Ndërkohë Italia është tërhequr nga ky proces. Në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë, dokumente të shkruara kanë dorëzuar 21 vende: Çekia, Franca, Zvicra, Shqipëria, Austria, Gjermania, Polonia, Finlanda, Luksemburgu, Britania e Madhe, SHBA-ja, Estonia, Norvegjia, Holanda, Sllovenia, Letonia, Japonia, Irlanda, Danimarka, Maldivet dhe Sierra Leone. Nga 22 vende të BE-së sa e kanë njohur Kosovën, vetëm 8 nuk kanë prezantuar mendimin e tyre para Gjykatës: Belgjika, Bullgaria, Hungaria, Lituania, Malta, Portugalia, Italia dhe Suedia. Në mesin e vendeve mike që nuk ka paraqitur mendimin e vet në Hagë është edhe Turqia. Ndërkaq në favor të Serbisë janë deklaruar 13 vende: Qipro, Kina, Rumunia, Egjipti, Sllovakia, Rusia, Libia, Spanja, Irani, Brazili, Argjentina, Azerbajxhani dhe Bolivia. Presidenti Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Hashim Thaçi kanë shprehur besimin se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të japë verdiktin final në favor të pavarësisë së Kosovës. “Ne besojmë në verdiktin që do të sjellë gjykata dhe në punën e gjykatësit besojmë, sepse është një prej gjyqtarëve me famë në profesionin që kanë”, tha Sejdiu. Ndërsa Kryeministri Thaçi komentoi se, “nuk duhet të pretendojmë të politizojmë procesin e gjykatës. Duhet të besojmë plotësisht në drejtësi dhe dëshiroj të falënderoj të gjitha vendet që e kanë përkrahur procesin e pavarësisë së Kosovës. Tash edhe njohja nga Arabia Saudite është një mesazh i qartë, se procesi i njohjeve të shtetit të Kosovës do të ketë vetëm vazhdimësi pozitive dhe ne i besojmë drejtësisë”. Ndërsa Serbia është e bindur se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të vendosë kundër pavarësisë së Kosovës. “Jemi të mendimit se Prishtina e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare duke deklaruar pavarësinë, dhe se vendi më i mirë për ta provuar këtë është para GJND-së”, tha ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç për mediat e Beogradit, duke shfaqur shpresën se rasti do të pasohet me bisedime të reja për statusin e Kosovës. Por Jeremiç mori parasysh edhe rastin e kundërt, duke u shprehur se pavarësisht ndonjë vendimi pozitiv në favor të Prishtinës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, Serbia kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. “Qeveria në Beograd nuk do ta njohë Kosovën me asnjë çmim gjithnjë, derisa në këtë vend në fuqi është rendi demokratik i bazuar në Kushtetutën e Serbisë”, theksoi Jeremiç.
Irani
Irani ka paralajmëruar se do të shqyrtojë mundësinë për njohjen e Kosovës. Presidenti Mahmoud Ahmadinexhad, pas Konferencës për racizëm në Gjenevë të Zvicrës, ka folur edhe për diskutime në vendin e tij mbi njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe për marrëdhëniet e tij diplomatike me Shqipërinë. Ai ka deklaruar se politika e jashtme e Iranit bazohet në përkushtimin për paqe, siguri dhe vëllazëri dhe se ky shtet është duke kërkuar një zgjidhje për Kosovën, që do të jetë e përshtatshme për rajonin dhe botën, pa dhënë detaje se cila ishte zgjidhja e mundshme që propozonte Irani.
Takimi
Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, gjatë kësaj jave pritet të zhvillojë një takim të përbashkët, të insistuar, me Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe Kryeministrin Hashim Thaçi. Sipas zëdhënësit të UNMIK-ut, Aleksander Ivanko, tema të diskutimit do të jenë ato që kanë të bëjnë me rikonfigurimin e UNMIK-ut. Deri tani liderët institucionalë të Kosovës iu janë shmangur takimeve me kreun e UNMIK-ut, duke kërkuar vazhdimisht që misioni i Kombeve të Bashkuara t’i japë fund aktiviteteve në Kosovë, ndërsa rolin e UNMIK-ut
e kanë cilësuar të panevojshëm pas pavarësisë.