E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Në Greqi janë 7 mijë aktorë pa punë, por unë luaj”

 

Alma Mile

Legjenda e Besës e ktheu pas 20 vjetësh në skenën e Teatrit Kombëtar. Aktori Karafil Shena është ngjitur për herë të fundit në skenën e teatrit shqiptar në vitin 1989. Sot i rikthehet në rolin e rrëfimtarit në baladën “Besa e vëllait të vdekur”, apo “Kostandini dhe Dhoqina” si njihet në Shqipëri. Një vepër 5-gjuhëshe që vjen nën interpretimin e aktorëve nga vende të ndryshme të Ballkanit. Një ndër rolet kryesore në të luhet nga aktorja Margarita Xhepa. Një tjetër shqiptare në këtë pjesë është edhe aktorja e re Kiti Selmani, e cila mori falënderime të veçanta nga regjisori grek Sotiris Haxaqis, për ndërtimin e zinxhirit të vazhdimësisë nga njëra gjuhë në tjetrën. Në një intervistë aktori Shena tregon për kthimin, shfaqjen dhe aktivizimin e tij në teatrin grek.
I keni munguar skenës për shumë vite, si e përjetoni këtë kthim?
U bënë shumë, rreth 16 vjet, që i mungoj skenës shqiptare. Në Teatrin Popullor, kam luajtur për herë të parë e të fundit në vitin 1989, në një pjesë të autorit brazilian Diaz Gomez, me regji të Arben Imamit. Kthimi në këtë skenë është kënaqësi shumë e madhe, por po kaq e madhe është edhe përgjegjësia. Më tepër emocione kam për shfaqjen e nesërme, sesa kur luaj në Greqi. Janë shumë ndjesia brenda vetes.
Cili është roli juan në veprën “Kostandini dhe Dhoqina”?
Pjesa është trajtuar në formën e tragjedisë greke dhe kori, ku bëj pjesë, ka rolin e protagonistit, por pozicioni im është ai i tregimtarit në shqip, që bëj qepjen e pjesës. Legjenda e vëllait të vdekur është shumë e njohur, brezi im e ka njohur qysh në klasë të gjashtë. Është vetëm 1 faqe e gjysmë tekst, me të cilën regjisori ka bërë një shfaqje prej një orë e gjysmë.
Kur keni nisur të angazhoheni në teatrin grek?
Hapat e mia të para në skenën greke, në profesionin tim janë në vitin 2000. Vitet që paraprijnë do t’i quaja vite për mbijetesë, për t’u ambientuar, për të mësuar gjuhën, e cila është shumë e rëndësishme në teatër.
Sa ndiheni pjesë e komuniteteit artistik grek?
Ashtu si edhe në çdo vend tjetër të Evropës, grekët kanë problemet e tyre në art. Nëse do t’ju thoja se 7 mijë aktorë janë pa punë dhe luaj unë, apo ndonjë tjetër koleg imi, do t’ju dukej çudi. Megjithatë nga ana shpirtërore mund t’ju them se ndihem shumë mirë dhe ndonjëherë më duket sikur luaj në teatrin tim, sepse artistët nuk kanë komplekse racizmi, inferioriteti, apo superioriteti, janë më të hapur, më të zhveshur nga ngjyrimet raciste, sepse i përkasin një niveli më të ngritur. Dihet që racizëm ka aty ku niveli është më i ulët.
Në Athinë ka një komunitet të madh shqiptarësh, ju ndjekin në teatër?
Më hapët një temë që më dhemb. Që të mos gënjejmë veten, teatri është një art elitar dhe nuk i takon popullit, siç thuhej në vitet e partisë. Do të ishte shumë mirë, që t’i takonte të gjithë popullit, por në të vërtetë është një art i përzgjedhur, kështu që duke e parë si të tillë, duke parë realitetin, nëse muratori grek nuk shkon në teatër, atëherë nuk ka përse të më vijë turp, apo të kem pretendimin që të shkojë atje muratori shqiptar. Njerëzit e thjeshtë në Greqi nuk shkojnë në teatër.
Keni luajtur edhe në kinematografi, shprehjet e Fotaqit tek filmi “në çdo stinë” janë pjesë e zhargonit të përditshëm...
Kam luajtur në katër filma grekë, por është tjetër gjë kur luan në gjuhën e mëmës. Thonë që flas mirë greqisht, por nuk ka si gjuha e mëmës. Sikur të del diçka nga shpretka, kur flet në gjuhën tënde. Është e çuditshme. Mund ta mësosh shumë mirë një gjuhë, por në teatër është e rëndësishme të ndjesh në të. Kur thua në një gjuhë tjetër “të dua”, të duket sikur do, ndërsa, kur thua “të dashuroj!”, është tjetër gjë. Shihni si del sh-ja...
E mendoni shfaqjen e nesërme si një mundësi të mirë për të tjera projekte në Shqipëri?
Nëse do të kisha edhe propozimin më të vogël, unë nuk do të vija, por do të fluturoja, por nuk kam pasur propozime. Në filma kam, ndërsa në teatër jo.
E keni ndjekur zhvillimin kulturor në Shqipëri, ç’mendoni?
Shqipëria po kalon ato probleme të një vendi që ka dalë nga diktatura, apo një ferr më mirë të themi. Në kalimet e sistemeve kjo është e natyrshme. Imagjinoni, kur ndërron një shtëpi, duhen 4-5 muaj të marrësh veten, le të ndërrohen sistemet. Dhe i pari që goditet fatkeqësisht është arti. Nuk them nga ana cilësore, por edhe nga ana organizative, apo financiare nga ana e shtetit. Nuk shoh ende që firmat e mëdha të kenë edukatën për të financuar për artin. Do të vijë ajo ditë, por gjithçka do kohën e vet. Ndërkohë shoh që Teatri Kombëtar mbahet me dhembë. Mbahet me shumë sakrifica. Është sublime, por problemi qëndron se kur është vetëm një teatër, kur nuk ka të tjerë me të cilët të krahasohesh, atëherë do të ketë probleme cilësore. Nuk dua të bëj krahasime, por në Greqi, gjatë sezonit të dimrit funksionojnë 120 teatro dhe që të guxosh të vësh një pjesë teatrale duhet të matesh mirë, sepse është krahasimi në mes. Nuk e di në funksionojnë teatrot e rretheve, por nëse do të ishin si dikur, të paktën si funksion, atëherë do të ishte pak më ndryshe. Kur më parë bëhej një festival teatrosh angazhoheshin të gjithë dhe bëhej një farë krahasimi. Kur ka krahasim, ka edhe cilësi.

Legjenda ballkanike

Në Greqi i njohin si Aretia dhe Konstandis në greqisht, Dhoqina dhe Konstandini në shqip, Jelica dhe Jovan në serbisht, Pektana dhe Lazari në bullgarisht, Vojka dhe Konstandin në rumanisht.  “Besa e vëllait të vdekur” një baladë ballkanike ngjitet sot në skenën e Teatrit Kombëtar si vepër 5-gjuhëshe e regjisorit grek Sotiris Haxaqis. Mes aktorëve që vijnë nga vende të ndryshme të Ballkanit është edhe Margarita Xhepa dhe ajo rumune Maia Morgenstern, e njohur për rolin e Maries në filmin “Pasioni i Krishtit”, nga Mel Gibson. Kjo vepër ka nisur të ngjizet tek Haxaqis, prej 15 vitesh, gjatë të cilave ai ndeshi 3 mijë variante të legjendës së njohur. Ai vë në dukje edhe faktin që ajo është shfrytëzuar gjithashtu nga shumë shkrimtarë ballkanas, mes të cilëve edhe nga shkrimtari i tij i preferuar Ismail Kadare. Për të kjo vepër ka vlera kulturore dhe politike, duke kapërcyer çdo kufi dhe ndasi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›