E Diel, 1 Nëntor 2026

Rumania mbetet “gogol” në një stadium të zbrazur

SHKRUAN: Jeton Selimi 12-10-2011 15:29

I ka shërbyer kombëtares kuqezi për 61 vjet dhe dje, në ndeshjen e fundit zyrtare që luhej në fushën e tij të blertë, meritonte si shpërblim një fitore. Por natyrisht që stadiumi “Qemal Stafa” ka parë edhe më keq se kaq. Barazimi me Rumaninë, një skuadër që na ka mposhtur gjithnjë duke na shënuar një thes me gola, është një luks për Shqipërinë. E mbi të gjitha, duke qenë se ishte një nga ato ndeshjet e lamtumirave të shumëfishta, mbase rezultati duhej të ishte ndryshe. Por e vërteta është se nga kjo përfaqësuese nuk mund të presësh më shumë sesa kaq.

Ndeshja nis me një Rumani më të vendosur, ndonëse Picurka ka lënë në shtëpi 7 titullarë, por me kalimin e minutave do të jetë Shqipëria ajo që do të fitojë terren. Lojtarët nuk ua kursejnë shkelmat njëri-tjetrit dhe gjyqtari Mazheika nga Lituania kishte vendosur të mos e fuste dorën shumë në xhep. Pas disa sulmeve të shpejta në të dyja portat, do të vijë goli për kuqezinjtë. Elis Bakaj harkon një top të saktë nga këndorja për Salihin, që i pashqetësuar nga mbrojtja kundërshtare, gjen golin dhe avantazhin për Shqipërinë. Skuadra e Kuzhes shtyn akoma dhe ka disa momente të tjera të mira. Në fillim Roshi lëshon një diagonale të rreptë, por portieri mik tregohet i vëmendshëm, ndërsa më pas Salihi bën më të vështirën në një tap-in të thjeshtë dhe me portën e boshatisur. Gjuajtja e Bogdanit e detyron portierin Lung në një pritje të vështirë, por topi i grushtuar nga ai shkon në këmbët e shkodranit, që gjuan jashtë nga dy hapa larg portës! Në pjesën e dytë Rumania nis e bëhet më agresive, ndërsa kuqezinjtë me largimin e Bogdanit të dëmtuar (në vend të tij Januzi), humbasin shumë në fazën ofensive. Kuzhe do të përpiqet që këtë ta kompensojë me shpejtësinë e Hykës apo Muzakës, por Rumania është e vendosur. Trikolorët shohin më shumë nga porta e Ujkanit dhe në minutën e 77-të, Luçin gjen golin e barazimit. Protestojnë “Tifozët Kuq e Zi” (shumë pak persona në shkallët e stadiumit dje) që lëshojnë tymuese të shumta, çka e detyron kryesorin Mazheika që të ndërpresë ndeshjen për pak çaste. Megjithatë, asgjë nuk ndryshon. E mbyllim me një barazim dhe me 9 pikë në grupin D.

Kuzhe: Objektivi ishte kualifikimi

Ka grumbulluar vetëm 9 pikë dhe pas dy vjetësh kroati Josip Kuzhe tregon objektivin e tij, atë që ai do të kishte dashur të arrinte në krye të Shqipërisë. Kuzhe, në përfundim të ndeshjes së djeshme kundër Rumanisë, pranoi publikisht se synimi i tij ishte kualifikimi. “Sigurisht që erdha me ndjesi të mira në Shqipëri. Mendoj se pas një fillimi të mirë në pjesën e parë, pasuan probleme në pjesën e dytë, por gjithmonë kam kërkuar nëpërmjet punës sime, referuar sezonit, pikët për kualifikim, pavarësisht se gjërat nuk shkuan sipas parashikimeve. Rinovimi? Sigurisht që gjatë 10 ditëve të ardhshme, do bisedoj me presidentin Duka për këtë çështje. Për momentin edhe unë nuk mund të përgjigjem sepse nuk jam i kthjellët në këtë pikë për të treguar saktësisht se çfarë duhet të bëj”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›