Poloni, Shpresave u ikën barazimi në shtesë
Poloni – Shqipëri 4-3
Shënues: Krishoviak 34’ (p), Klish 54’, Sobiesh 64’, Vozniak 92’/ Sadiku 55’, 90’, Bala 81’
Polonia: Skorupski, Vozniak, Krishoviak, Aldash, Timinski (Drigas 46’), Olkovski (Pribecki 67’), Borisjuk, Sobiesh, Klish (Vsholek 84’), Kupic, Malarcjuk
Trajner: Stefan Majevski
Shqipëria: Frashëri, Baci, Peqini, Bunjaku, Brahimi (Dosti 85’), Bala, Vucaj (Telushi 74’), Sadiku, Vajushi, Sykaj, Gava
Trajner: Artan Bushati
Skuadra U-21 kuqezi, e drejtuar nga Artan Bushati, ka bërë një paraqitje shumë të mirë në Poloni, kundër vendësve të Majevskit. Kuqezinjtë e vegjël kanë mundur që të bëjnë një rikuperim madhështor në minutat finale të sfidës, por janë dorëzuar vetëm në shtesë pas një goli të shënuar nga Vozniak, mes tensionit dhe kartonave të kuq. Por, duke kujtuar rritjen e kuqezinjve nga disfata 0-3 në Korçë ndaj të njëjtit formacion, humbja 4-3 gjithsesi lë një shije pozitive. Më i miri në fushë për tanët padyshim Armando Sadiku, që me 2 golat e tij po afirmohet gjithnjë e më shumë si golashënues.
Ndeshja nis e qetë, por polakët do të fillojnë me kalimin e minutave që të ushtrojë presion, por kuqezinjtë duket se janë të vendosur mirë në fushë. Në minutën e 34-ët do të thyhen ekuilibrat. Krishoviak do të shndërrojë në gol një penallti të fituar nga Sobiesh dhe do t’u japë vendësve avantazhin. Me këtë rezultat do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa në të dytën skuadrat do të shpërthejnë me një lum golash. Klish dyfishon rezultatin për Poloninë dhe duket se fut në kasafortë fitoren, por pa kaluar as 60 sekonda, Armando Sadiku rihap ndeshjen. Polonia do ta rikthejë edhe njëherë avantazhin +2 të golave kur Sobiesh do të tundte rrjetën e Frashërit. Por menjëherë pas këtij momenti, skuadra e Bushatit do të hidhet në sulm. Në fillim do të jetë Bekim Bala që do ta çojë rezultatin në 3-1 në minutën e 81-të, ndërsa në të 90-ën Sadiku do të shndërrojë mjeshtërisht një goditje dënimi në gol. Por Shqipëria U-21 nuk do të arrinte ta mbante dot pikën, pasi në shtesë Vozniak u jep fitoren të tijve. Por këto minuta shtesë janë mbushur me nervozizëm dhe kartona të kuq, ku Drigas për vendësit dhe Sykaj për kuqezinjtë lënë fushën e lojës pas të verdhave të dyta.