Danimarka shkon në Botëror, Suedia mbetet jashtë
TIRANE- Danimarka ka siguruar matematikisht kualifikimin për në Botërorin e Afrikës së Jugut, duke fituar 1-0 në derbin skandinav përballë Suedisë. Goli vendimtar i ndeshjes është shënuar në minutën e 79-të nga mesfushori i Juventusit Kristian Poulsen, që i ka ngjitur danezët në kuotën e 21 pikëve. Suedia kishte nevojë për një fitore në Kopenhagen, por ekipi i Morten Olsen ka luajtur thjeshtë dhe në fund është shpërblyer. Me humbjen e mbrëmshme Suedia u ka dhënë fund shanseve për të zënë një vend në zonën plejof, vetëm nëse Portugalia do të gabojë përballë Maltës në ndeshjen e së mërkurës. Një gjë e tillë do të thotë se skuadra suedeze do të luajë thuajse e pamotivuar në takimin e së mërkurës përballë Shqipërisë. Sa i përket Danimarkës, ajo ka qenë skuadra më stabël e edicionit, duke arritur 6 fitore dhe 3 barazime dhe duke mos regjistruar asnjë humbje. Të mërkurën ajo pret Hungarinë.
(s.g/BalkanWeb)
(s.g/BalkanWeb)