E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria humb 2-1 me G.Furth, Kuzhe: Jam i zhgënjyer

BERLIN- Kombëtarja shqiptare ka humbur 2-1 në miqësoren me gjermanët e Greuther Furth, testi i fundit përpara sfidës me Suedinë më 14 tetor. Ndeshja u zhvillua në stadiumin Playmobil në Bavari dhe u shoqërua nga një shi i fortë në 90 minutat e saj. Të tre golat në këtë takim u shënuan në pjesën e parë, ndërkohë që në të dytën lodhja dhe terreni e bënë të pamundur shënimin e golave të tjerë. Shqipëria kaloi e para në avantazh me anë të Erjon Bogdanit, i cili pasi shmangu edhe portierin, e dërgoi topin në rrjetë. Por, vendasit reaguan shpejt dhe arritën të realizonin dy herë me dy kundërsulme. Humbja e ka lënë të mërzitur jo pak trajnerin Josip Kuzhe, që edhe në miqësoren e luajtur të enjten, pati kërkuar më shumë impenjim nga futbollistët. “Jam shumë i zhgënjyer nga impenjimi i skuadrës, megjithëse diccka e tillë është normale kur ke përballë kundërshtarë të një niveli më të dobët. Kjo ishte një ndeshje ku futbollistët nuk dhanë maksimumin në fushën e lojës, por shpresoj shumë që gjërat të ndryshojnë deri ditën e mërkurë. Në pjesën e parë mund të kishim shënuar edhe gola të tjerë, por impenjimi jo i duhur nuk na lejoi”, ka deklaruar Kuzhe në përfundim të takimit. Pas këtij testi, kombëtarja do të luajë të mërkurën në Stokholm përballë Suedisë së Ibrahimoviç, që është ndeshja e fundit në eleminatoret e Botërorit 2010.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›