E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLSH, qeveria të sqarohet për shkeljet

Partia Socialiste kërkoi dje sqarime nga ana e qeverisë për shkeljet e vërejtura në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Nënkryetari i grupit parlamentar të selisë rozë, Erjon Braçe, në reagimin e tij për raportin, vërejti se qeveria është e detyruar të japë shpjegime, pasi ky dokument i KLSH-së ka vërtetuar të gjitha shqetësimet e shprehura nga kjo parti. Braçe vërejti ndërkohë se shpërndarja e raportit në komisionet e Kuvendit është e vonuar dhe sipas tij, kjo është e qëllimshme nga ana e mazhorancës, në mënyrë që të mos jetë koha e mjaftueshme për ta diskutuar atë deri në mbylljen e punimeve të Kuvendit. "Mazhoranca i trembet ballafaqimit me problematikën që e vizaton si më të korruptuarën se kurrë e më të pistën se asnjëherë.

Qeveria, edhe pse e njeh këtë raport, hesht kur duhet të vepronte me seriozitet dhe t‘u kërkonte menjëherë falje taksapaguesve për dëmin e shkaktuar parave të tyre", tha Braçe. Deputeti socialist vuri në dukje se Berisha po hesht përballë konstatimeve të KLSH-së dhe bën faj kur refuzon rekomandimet e këtij institucioni.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›