E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE: Zgjedhjet janë kusht për integrimin

Kryeministri Sali Berisha priti dje në takim drejtorin e përgjithshëm të koordinimit dhe zgjerimit në Komisionin Evropian, Michael Leigh. "Faza e MSA-së është faza kontraktuale, e cila duhet të zhvillohet në mënyrë që të kalojmë në hapa të mëtejshëm, që kanë të bëjë me anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Në disa mënyra, MSA-ja është si marrëveshjet e tjera që janë bërë me vendet e tjera të Evropës Qendrore e Lindore, të cilat janë tashmë shtete anëtare të BE-së", u shpreh Leigh. U kënaqa, vijoi ai, kur dëgjova nga zoti Kryeministër se ndikimi i krizës financiare botërore për Shqipërinë ka qenë deri tani tepër i kufizuar. "Në diskutimet tona biseduam edhe për zgjedhjet në Shqipëri dhe rëndësinë që kanë ato për ecurinë e mëtejshme dhe përparimin që do të ketë Shqipëria drejt BE-së", u shpreh ai. Për sa i përket anëtarësimit në BE, vijoi Leigh, zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të drejta është një parim kyç. "Kryeministri më shpjegoi faktin se qeveria ka një plan, me anë të të cilit do të përshpejtohet dhënia e kartave të identitetit, gjatë muajve që do të vijnë. Ne kemi besim se kjo gjë do ta ndihmojë Shqipërinë dhe publikun shqiptar të kalojnë vështirësitë që mund të ketë për sa ka të bëjë me regjistrimin e votuesve, në mënyrë që zgjedhjet të zhvillohen në mënyrën më të mirë të mundshme", nënvizoi zyrtari evropian. Pata mundësinë, shtoi ai, të përgëzoja Shqipërinë për konsensusin ndërpartiak që ajo ka pasur, sidomos në aspektet e gjyqësorit dhe zgjedhjet. "Për sa i përket gjyqësorit, një gjyqësor i pavarur dhe efikas është tepër thelbësor për Shqipërinë. Siç e dini, për sa i përket ecurisë së Shqipërisë në BE, edhe BE-ja vetë është një komunitet shtetesh anëtare, në të cilat gjyqësori luan një rol të rëndësishëm. Prandaj duhet të ruhet pavarësia e gjyqësorit dhe ajo e institucioneve kushtetuese", sqaroi Leigh. Nga ana e tij, Kryeministri Sali Berisha ka shprehur zotimin se qeveria mbetet e vendosur dhe tërësisht e përkushtuar për zbatimin e kritereve të Kopenhagenit, të demokracisë dhe shtetit ligjor. "Kërkova që komisioni të inkurajojë vendet anëtare të BE-së për të sjellë numrin më të madh të mundshëm të vëzhguesve në zgjedhje", tha Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›