Darëzezë ; Shkrumbohet hoteli, evakuohen 3 mijë banorë
Dhjetëra hektarë të shkrumbuar, një hotel i djegur, dikur një bazë ushtarake, banorë dhe turistë që evakuohen njëri pas tjetrit si dhe të gjitha rrugët që të çojnë në fshatin Darëzezë dhe në bregdet janë bllokuar nga policia. Ndërkohë, bilanci përfundimtar i zjarrit të djeshëm në zonën turistike vazhdon të jetë i paqartë, pasi zjarri ka vazhduar deri orët e mbrëmjes, duke u kthyer në një kërcënim për sipërfaqe të tjera. Edhe pse gatishmëria e zjarrfikësve dhe policisë është në shkallë maksimale. Një hotel dhe tre banesa deri tani dihet se janë përfshirë nga flakët, duke shkaktuar djegie të pjesshme, por me dëme të konsiderueshme. Gjithashtu, mësohet se afër 3 mijë banorë, duke përfshirë këtu edhe pushues dhe turistë janë evakuuar nga banesat e tyre. Por ajo që mbetet ende një shqetësim është fakti se disa pushues që kanë qenë buzë detit në kohën kur ka rënë zjarri vazhdojnë të qëndrojnë ende aty dhe duke mos pasur mundësi të dalin prej andej, pasi rrugët janë bllokuar si nga zjarri, ashtu edhe nga policia. Për shuarjen e këtyre vatrave të zjarrit është kërkuar edhe ndihmë nga ajri për shuarjen e sipërfaqeve të tëra të Semanit dhe të Darëzezës.