Gjykatë; Prokuroria shtyn prej një viti pretencën për “14 shtatorin”
Bllokohet dhënia e pretencës për pesë të pandehurit e grupit të parë, të akuzuar për ngjarjet e 14 shtatorit 1998. Në prag të dhënies së pretencës, prej tetë muajsh prokurori i çështjes i kërkon trupit gjykues shtyrjen e njëpasnjëshme të seancave me arsyetimin se ende nuk ka arritur në konkluzionet përfundimtare, për të përcaktuar sesa do të jetë dënimi që kërkon për secilin të akuzuar. Sipas burimeve, prokurori e ka dërguar dosjen për Sali Lushën, Izet Haxhinë, Adem Dollapin, Kliton Dobranin dhe Myftar Lumneshin në Prokurorinë e Përgjithshme për t'u konsultuar. Ndërkohë që vonesat që kanë tejkaluar çdo afat kohor të përcaktuar me ligj, e kanë detyruar kryesuesin e trupit gjykues, gjyqtarin Gjin Gjoni, t'i dërgojë letër kreut të Prokurorisë së Tiranës për të përshpejtuar këshillimin. Që prej muajit dhjetor 2007, pikërisht atëherë kur pritej që prokurori të dilte para gjykatës dhe të lexonte akuzën e kryengritjes së armatosur të 14 shtatorit për të pandehurit e këtij procesi maratonë, gjyqi ka dështuar pikërisht në këtë fazë. Ky proces gjyqësor nisi shqyrtimin e tij 7 vjet më parë, konkretisht në vitin 2001, dhe është drejtuar nga gjyqtari Gjin Gjoni, ndërkohë që konsiderohet si një nga proceset gjyqësore më të gjata në gjyqësorin shqiptar. Materialet për këtë ngjarje nga ana e prokurorisë janë ndarë në tre grupe, pasi bëhet fjalë për 20 të pandehur, të gjithë të lirë, përveç Izet Haxhisë që ndodhet i arrestuar në Turqi për vrasjen e deputetit Azem Hajdari, dhe po në grupe u depozituan edhe për gjykim në Gjykatën e Tiranës. Akuza që rëndon mbi 20 të pandehurit e këtij procesi maratonë, të zhvilluar në tre trupe gjykuese të ndarë, është ajo e kryengritjes së armatosur, marrjes pjesë në miting të kundërligjshëm dhe dhunim i institucioneve të rëndësisë së veçantë.