E Shtunë, 31 Tetor 2026

Darka e Topit, grabiten sendet e gruas së diplomatit

Tiranë, 5 gusht - Bëhet “pre” e bandave hajdute bareze makina e ambasadorit shqiptar në Itali Llesh Kola, së bashku me bashkëshorten e tij Bardha Kola.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e dy ditëve më parë, kur ambasadori shqiptar me bashkëshorten, po shoqëronin Presidentin e Republikës Bamir Topi gjatë një darke në Bari.
Presidenti Bamir Topi gjendej në Itali, në rajonin e Puglias ku ndoqi nga afër koncertin e Al Banos në Cellino S. Marco, “Mea Puglia Festival”, një event që korri një sukses të veçantë. E në rrugën e kthimit për në Shqipëri, ka ndodhur incidenti gjatë darkës në një nga restorantet luksoze të Barit.
Sipas policisë lokale të Barit, pas denoncimit që është bërë nga Bardha Kola, është vjedhur në makinën e ambasadës shqiptare (Audi A4 me targa CD) çanta personale e të shoqes së ambasadorit.
Dhe nuk kanë qenë pak, por shuma e deklaruar në polici prej diplomatit shqiptar ka qenë plot 5 000 euro, pasaporta diplomatike dhe bizhuteritë e çmuara që zonja i kishte në çantë.
Policia njofton se makina e ambasadorit nuk është thyer, as nuk është dëmtuar, hajdutët kanë zgjedhur metoda të sofistikuara për ta hapur. Dhe duket kanë qenë me fat: përveçse nuk janë evidentuar fare nga policia, as nga eskorta italiane që shoqëronte presidentin shqiptar, kanë përfituar një shumë cash prej 5 000 eurosh, dhe bizhuteri me vlerë. Policia ka bërë menjëherë këqyrjen e vendit të ngjarjes, duke u përpjekur që të marrë gjurmë gishtash nga makina e ambasadorit shqiptar, ashtu sikurse kanë marrë dhe deklaratat e ambasadorit dhe bashkëshortes së tij për sendet që gjendeshin në çantën e vjedhur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›