E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis procesi i privatizimi të trojeve turistike

Tiranë, 5 gusht - Nis procesi i privatizimit për trojet e fshatrave turistikë. Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale ALUZINI ka informuar se prej 10 gushtit personat e interesuar mund të aplikojnë për kalimin e të drejtës së pronësisë mbi truallin e njësive të ndërtuara në zonat me përparësi turistike.
Kërkesat duhet të paraqiten pranë drejtorisë qendrore të ALUIZNI-t brenda 60 ditëve nga nisja e procedurës”, është shprehur koordinatorja ligjore pranë ALUIZNI-t, Jeta Velaj.

Ajo ka bërë të ditur kategoritë e personave që do të përfitojnë nga privatizimi i truallit.

“Kanë të drejtë të paraqesin kërkesë subjektet e interesuara, personat fizikë apo juridikë të cilët gëzojnë njësinë e ndërtuar dhe që kanë kryer një veprim juridik të drejtpërdrejt ose të rrjedhur me personin e stimuluar për kalimin e të drejtave reale mbi njësinë e ndërtuar të ngritur brenda zonës së stimuluar. Personat e stimuluar, personat fizikë apo juridikë që kanë lidhur marrëveshje qiraje me qiradhënësin apo autoritetin shtetëror”, theksoi Velaj.

Ligji për trojet e fshatrave turistikë është kundërshtuar fort nga opozita, e cila akuzoi qeverinë se përmes këtij drafti po grabit tokat në bregdet.

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, janë rreth 23.5 hektarë toka në bregdet, në të cilat janë ngritur fshatra turistikë nga kompani private të licencuara nga qeveritë shqiptare të asaj kohe.

Ligji sanksiononte se vilat e ndërtuara në këto fshatra nuk mund të shiteshin, por të përdoreshin vetëm për qëllime turistike. Por kjo pikë e ligjit është shkelur, pasi shumë nga vilat janë shitur sakaq dhe opozita thotë se blerësit e tyre janë kryesisht ministrat dhe funksionarët e lartë të shtetit.

ALUIZNI përmes këtij drafti, u jep të drejtën atyre që i kanë blerë vilat që të privatizojnë edhe truallin mbi të cilin ato janë ndërtuar, me një çmim të fiksuar

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›