E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ferguson per rekord kalon Busbyn 24 vjet te Man UTD

Rekordi Është trajneri më jetëgjatë, me 8811 ditë i ulur në të njëjtën pankinë

Sër Aleks Ferguson ka vendosur një rekord për jetëgjatësinë e një trajneri pikërisht në vendlindjen e futbollit, në Angli. 68-vjeçari kaloi me 8811 ditët e tij si trajneri i Mançester Junajtid legjendarin Matt Busby, bashkëkombësin e tij, i cili e kishte drejtuar Mançesterin në fitimin e Kupës së parë të Kampioneve. Më saktë, 24 vjet, 1 muaj dhe 14 ditë ka mbushur të dielën Fergusoni në pankinën e “Red Devils”-ave. Sër Aleks do të kishte dashur ta festonte këtë eveniment me një fitore kundër Çelsit, por superndeshja e Premier League u shty për shkak të kohës së keqe. I lindur në Skoci, Matt Busby në karrierën e tij si lojtar kishte punuar te Liverpuli. Më pas ai refuzoi një ofertë të “Reds”-ave për të pranuar më vonë, më 1945-n, pankinën e Mançester Junajtid. Në vitin 1952 ai fitoi me Man. UTD titullin e tij të parë. Për shkak të moshës mesatare të ulët skuadra e tij quhej “Busby Babes” (“Bebet e Busbyt”). Por gjatë aksidentit tragjik të 6 shkurtit 1958 humbën jetë tetë lojtarë të ekipit. Busby vetë mbijetoi i plagosur rëndë. Pas shërimit ai ndërtoi një skuadër të re me Sër Bobi Çarlton, Herri Greg dhe Bill Fulkes. Gjithashtu mori tek Mançester edhe Denis Lau, një vit më vonë zbuloi mes të rinjve, talentin Xhorxh Best. Në 1968-n, Kupën e Kampioneve (4-1 ndaj Benfikës). Një vit më vonë u nderua nga mbretëresha me titullin Sër dhe dha dorëheqjen. Gjithsesi mbeti besnik i Mançesterit: punoi si drejtor klubi dhe nga 1982 deri në vdekje më 20 janar 1994, si president. Ferguson, si paraardhësi i tij i famshëm, erdhi nga Aberdin te Mançesteri dhe u emërua më 6 nëntor 1986 si trajneri i Mançesterit. Që atëherë e deri më sot Ferguson e ka pasuruar vitrinën e Junajtid me 26 trofe, mes të cilëve dy Kupa Kampionesh (1999, 2008), 11 tituj Kampionë të Anglisë, dhe 11 FA Cup, duke e shndërruar kështu në skuadrën më të suksesshme të botës së futbollit. Por ai thuajse e kishte harruar ditën e rekordit të tij: “Nuk dija gjë” u tha ai gazetarëve. “Ky është një moment i bukur, që më befason. Nuk e kisha imagjinuar kurrë të qëndroja kaq gjatë, veçanërisht në futbollin modern. Unë nuk mendoj se mund të ndodhë kështu edhe një herë tjetër dhe ndihem shumë i lumtur, që më lejuan të punoj këtu gjatë gjithë kësaj kohe”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›