E Diel, 1 Nëntor 2026

Darka e fundit e emigrantit të vrarë mistershëm në Berat

08/12/2008  Policia ende asnjë version zyrtar. Familjarët, djali jonë nuk kishte konflikt me njeri

Policia e Beratit ende nuk ka një version të saj në lidhje me motivet dhe autorët e vrasjes së 28-vjeçarit nga lagja “Guri i Bardh” i qytezës së Urës Vajgurore. Ndërsa mesditën e së dielës familjarët Shuka i kanë dhënë atij lamtumirën e fundit, policia nuk ka mundur të deklarojë asgjë rreth vrasjes së mistershme të emigrantit. Pranë këtij organi mësohet të jenë shoqëruar të paktën 20 persona që janë pyetur rreth ngjarjes përfshi këtu dhe personat e fundit që kanë pasur kontakt me të, por ende nuk rezulton të ketë të dyshuar kryesor. Lajmi i vrasjes së 28 vjeçarit Erion Shuka nga lagja "Gurr i Bardhë" në Urën Vajgurore nuk ka kaluar pa komente nga banorët e kësaj qyteze. Ndërsa familjarët Shuka apelojnë për zbardhjen e të vërtetës së vrasjes së djalit për banorët e lagjes Erioni njihet si një djalë jo problematik dhe i urtë. Ai mësohet se nuk ka pasur konflikte me askënd dhe bënte një jetë tepër normale. Zija ka pushtuar familjen Shuka sapo është vërtetuar se personi që ishte gjetur i vrarë mëngjesin e së shtunës ishte djali i tyre. Pasi e kanë pritur gjatë të kthehej në banesë mbrëmjen e fundit që u largua gjallë nga shtëpia familjarët kanë marrë në mëngjes lajmin se një kufomë ishte gjetur e vrarë në bregun e lumit Osum në fshatin Moravë dhe se mund të ishte djali i tij, ndonëse për fëmijën e tyre nuk besonin, pasi sipas tyre Erioni nuk ishte njeri që përzihej me gjëra që të çonin deri në vrasje. Por, dyshimet janë zbehur në çastin ku vetë i ati dhe motra kanë identifikuar në morg njeriun e tyre të dashur dhe gjithçka është mbuluar nga vaj dhimbja. Rreth orës 12:00 të së dielës trupi i pajetë i Erionit është përcjell për në banesën e fundit nga familjarë të afërm dhe shokë të shumtë dhe miq të familjes Shuka.

Policia

Burime zyrtare të policisë bëjnë me dije se deri tani janë shoqëruar rreth 20 persona që janë marrë në pyetje rreth ngjarjes, por ende nuk bëhet fjalë për të dyshuar kryesorë të kësaj vrasjeje. Nga marrja nën hetim paraprak të banorëve të bregut të lumit, vendit ku viktima është gjetur, është mësuar se natën kur ka ndodhur krimi është dëgjuar fillimisht një zhurmë makine e shoqëruar me thirrje për ndihmë dhe më pas dy krisma arme. Duket se krismat e armëve kanë frikësuar banorët e zonës, të cilët nuk kanë dalë nga banesat e tyre për të parë se çfarë mund të kishte ndodhur, ndërsa është dashur ardhja e mëngjesit që të zbardhej e vërteta e natës së krimit. Ndër personat e shoqëruar në polici mësohet se kanë qenë dhe shokët që kanë qenë me të në kafe. Dy prej tyre mësohet se e kanë takuar në një lokal në hyrje të lagjes “Guri i Bardh” të qytetit të Urës Vajgurore. Por, nga dëshmitë mësohet se pasi është ndarë prej tyre, Erioni ka shkuar të darkoj me disa persona të tjera me të cilët dyshohet të jetë e lidhur vrasja. Burime zyrtare të policisë bëjnë me dije se nga ekspertiza e bërë ka rezultuar se kanë qenë dy shkrepje arme që kanë përshkuar trupin e 28-vjeçarit, njëri prej të cilëve ka qenë fatal për të pasi i kish prekur zemrën. Po kështu mësohet se viktimës gjatë kontrollit i janë gjetur 5 mijë euro dhe 2 mijë lekë të vjetra shqiptare, gjë e cila hedh poshtë edhe versionin e vrasjes për motive grabitje.

Familjarët

Erioni ditën e enjte ishte kthyer në banesën e tij pas një emigrimi 14-mujor në Athinë të Greqisë. Pamundësia për të gjetur një vend të sigurt pune në qytetin e tij të lindjes duket se ka ndjekur dhe në emigrim 28-vjeçarin. Ai mësohet se ishte nisur drejt Greqisë për një jetë më të mirë duke u sistemuar tek të afërmit, por duket se asgjë nuk ka ecur sipas parashikimeve. Gjatë 14 muajve që ka jetuar në Greqi, Erioni mësohet se kish bërë punë të ndryshme, ndërsa sipas familjarëve ka jetuar normalisht me të ardhurat që siguronte dhe ndarë të njëjtën banesë me të afërmit e tij. Pamundësia për t’u pajisur me dokumente dhe mos sigurimi i një vendi të sigurt pune duket se kanë bindur të riun të kthehet pranë banesës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›