E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Darka e gabuar”, Kadare bën “autopsinë” e diktaturës

Autori i Lajmit: Gerilina Kodheli

“Darka e gabuar”, një “autopsi” e bërë nga autori i këtij romani Ismail Kadare, por jo vetëm “autopsi” e qytetit, por sidomos të periudhës historike të fillimit të vendosjes së diktaturës komuniste, këtij mashtrimi të madh, viktimë e të cilit janë në radhë të parë intelektualët. Ndërsa romani i shkrimtarit të mirënjohur shqiptar vazhdon të thyejë rekorde shitjesh, Fatos Haxhiraj do të ngjisë në skenën e Teatrit Kombëtar dramatizimin që i ka bërë kësaj vepre. Një kast aktorësh, nga më të mirët të skenës shqiptare do të interpretojnë në këtë shfaqje, që do të vijë për publikun më 15 maj. Dje, në një konferencë për shtyp, autorët e kësaj shfaqje bëjnë të ditur motivet teknike që kanë sjellë shtyrjen e shfaqjes, e cila sipas programacionit të Teatrit Kombëtar duhet të ngjitej sonte në mbrëmje në skenë. Data 15 e këtij muaji do të sjellë edhe premierën e kësaj shfaqjeje, e cila do të interpretohet nga stafi i aktorëve: Ndriçim Xhepa, Bujar Asqeriu, Artan Imami, Ahmet Pasha, Naun Shundi, Anastas Kristofori, Mehdi Malka, Guri Koço, Marjana Kondi, Erjona Kakeli, Pirro Malaveci, Andon Qezari, Merkur Bozgo, Sokol Angjeli, Bajram Dosti, Gjergji Mena, Dritan Boriçi, Marsiaz Lila dhe Anil Frashëri. Skenografia është realizuar nga Taulant Pustina, muzika nga Ardit Gjebrea dhe kostumografia nga Durim Neziri. Aktori Ndriçim Xhepa ngjitet në këtë shfaqje me rolin e kolonelit gjerman Fritz Von Schwabe, një rastësi e çuditshme me një personazh tjetër si gjenerali tek vepra “Kthimi i ushtrisë së vdekur” i Kadaresë. Ndërkohë që bashkëpunëtor artistik është Artan Imami, i cili i rikthehet skenës së Teatrit Kombëtar, e me sa duket për të vijuar bashkëpunimin me këtë institucion. Aktori Artan Imami do të interpretojë në rolin e hetuesit. “Vendosa të kthehesha, se është një fat i madh për mua të luaj një vepër të Ismail Kadaresë”- është shprehur ai gjatë konferencës.
Synops i shfaqjes
“Darka e gabuar” është kronikë e ndryshimeve dramatike, përmbysjeve, përjetimeve të dhunshme, tragjikomedisë që kaloi Shqipëria që nga kapitullimi i Italisë, pushtimi gjerman e deri në vdekjen e Stalinit, kohë kur hidheshin themelet e “Rendit të Ri”, komunist. I bazuar në një ngjarje të vërtetë, për të cilën janë dhënë interpretime të ndryshme, Ismail Kadare bën “autopsinë” jo vetëm të qytetit, por sidomos të periudhës historike të fillimit të vendosjes së diktaturës komuniste, këtij mashtrimi të madh, viktimë e të cilit janë në radhë të parë intelektualët. Ngjarjet ndodhin në Gjirokastër ku jeton dhe punon doktor Gurameto i madh, kirurg i qytetit, i cili ka studiuar në Gjermani.
Pararoja e trupave gjermane që futen nga Greqia për të pushtuar Shqipërinë, qëllohet nga komunistët. Si rrjedhojë qyteti bombardohet dhe në vazhdim merren peng 80 civilë. Doktor Gurameto i madh fton për darkë komandantin nazist, Fritz Von Shvabe që ka qënë dikur shok shkolle me të. Në përfundim të Darkës pengjet lirohen dhe doktor Gurameto shihet si hero në sytë e disave, shpëtues i qytetit dhe si armik, në sytë e të tjerëve. Kjo Darkë u bë e “Gabuar” pasi fatalisht përcaktoi kthesën në jetën e doktorit.
Fatkeqësisht, akoma edhe sot, ne nuk jemi ndarë nga ajo e kaluar e hidhur. Me qindra janë viktimat të cilët ende nuk kanë një varr ….
Doktor Gurametoja i madh
Doktor Gurametoja i madh, nuk do të jetë kurrë në gjendje të sqarojë arsyet e darkës. Ai kthehet në hero për disa e në armik për disa të tjerë. Kronike ne gur nga Ismail Kadare “Bëje, o Zot, ëndërr!”, thoshin ata që mendonin se me hyrjen e gjermanëve në Gjirokastër, në shtator 1943, qyteti do të hidhej në erë. Kjo jo vetëm që sndodhi, qyteti jo vetëm që përjetoi kohën gjermanike, po si rrjedhojë ngriti historinë e shpëtuesit më të famshëm të pengjeve, doktor Gurametoja i madhi, mbi misterin e të cilit Ismail Kadare ka ndërtuar subjektin e romanit më të ri “Darka e gabuar”. I bazuar në një ngjarje të vërtetë për të cilën qyteti ka dhënë në kohë të ndryshme interpretime të ndryshme, me personazhin e doktor Gurametos që më shumë se karakter është një “belle epoque”, është një njeri kohë, Kadare rimerr takimet me historinë ku i ka lënë me babazotin e “Çështjeve të marrëzisë”, kështu pra nga ajo stuhi otomane tek flladi perëndimor që i fryu Shqipërisë midis dy luftërash. “Darka e gabuar” lidh dy njerëz dhe dy kohë historike. Më një anë doktor Gurameton dhe komandantin e divizionit gjerman, koloneli Fritz von Schëabe, mbajtës i Kryqit të Kuq, në anë tjetër “Shqipërinë gjermanike” me atë komuniste. Kalimi “miqësor” i gjermanëve nazitë në qytetin e jugut lidhet me darkën në fjalë që patën dy miqtë e vjetër të shkollës, dhe që u bë e “gabuar” sepse fatalisht përcaktoi kthesën në jetën e personazhit.

“DARKA E GABUAR"
Dramatizimi - Fatos Haxhiraj
Regjisor - Fatos Haxhiraj
Skenograf - Taulant Pustina
Kompozitor - Ardit Gjebrea
Kostumograf - Durim Neziri
Produksioni muzikor - Shpetim Saraçi
As/Regjisor - Andon Koço
Bashkëpunëtor artistik - Artan Imami
Ne role : Ndriçim Xhepa- Bujar Asqeriu- Artan Imami-
Ahmet Pasha – Naun Shundi – Anastas Kristofori – Mehdi Malka- Guri Koço – Marjana Kondi – Erjona Kakeli – Pirro Malaveci – Andon Qezari – Mërkur Bozgo – Sokol Angjeli – Bajram Dosti – Gjergji Mena – Dritan Boriçi – Marsiaz Lila – Anil Frashëri – Harilla Vjero – Florian Kokona – Klodian Hoxha – Elidon Alikaj – Ergys Dama

Ky lajm është publikuar: 13/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›