E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan Përcillet për në banesën e fundit gjimnazistja

Autori i Lajmit: Redaksia

Është përcjellë për në banesën e fundit gjimnazistja Gerta Bahja, e cila u ekzekutua mëngjesin e dy ditëve më parë në klasën e saj në shkollën e mesme të përgjithshme "Mahir Domi". Familjarë, të afërm, mësues, shokë dhe shoqe të së ndjerës shoqëruan kortezhin mortor deri ne varrezat e qytetit, ku u krye riti i fundit për maturanten. Në ceremoni morën pjesë deputeti i qarkut të Elbasanit dhe ministër i Brendshëm, Lulzim Basha, i shoqëruar nga deputeti Luçiano Boçi, zëvëndësministri i Arsimit dhe Shkencës, Halit Shamata, Prefekti Shefqet Deliallisi dhe kryetari i Bashkisë, Qazim Sejdini. Të martën në mëngjes 19-vjeçari, Endri Llambaj hyri i armatosur në shkollë në 5-minutëshin e pushimit ndërmjet orëve të mësimit, dhe ishte drejtuar në klasën ku mësonte Gerta, pasi i ishte afruar bankës së saj e kishte qëlluar me tre plumba dhe më pas ishte larguar. 2 km larg shkollës kur kishte parë veten të rrethuar nga policia, adoleshenti nuk kishte kursyer plumbin as ndaj vetes. Policia po heton zbardhjen e plotë të shkaqeve që çuan në vrasjen e dyfishtë si dhe lidhjet që mund të kenë ekzistuar mes Endri Llambajt, djaloshit vlonjat dhe Gertës. Dyshohet se vrasja mund të ketë ndodhur për motive xhelozie.

Ky lajm është publikuar: 13/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›