E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policët në pension të parakohshëm, bllokohen pagesat

Autori i Lajmit: Redaksia

Një vendim i munguar i Gjykatës Kushtetuese ka bllokuar prej disa muajsh pagesën për rreth 3 mijë punonjës policie, që kanë dalë në reformë pas vitit 2005.
Ligji i ri
Shkak për këtë situatë është bërë fillimisht pezullimi i zbatimit të ligjit nr.10142, datë 15.05.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi dhe të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, nga Gjykata Kushtetuese dhe më pas mosnxjerrja e vendimit nga kjo e fundit për këtë ligj.
Punonjësit e policisë
Për shkak të ndryshimit të ligjit “Për sigurimin shoqëror suplementar”, i cili tashmë ka hyrë në fuqi, pavarësisht se palët e përfshira në të janë ankuar në Gjykatën Kushtetuese për ndryshimin e tij, për këta punonjës Policie të dalë në reformë nuk ka më para. Por, për policët e dalë në reformë pas vitit 2005, hyrja në fuqi e këtij ligji ka sjellë një sërë problemesh sociale, pasi u janë ndërprerë pagat që merrnin. Ndërprerja është bërë për shkak se me këtë ligj, ata nuk përfitojnë njëzet paga, aq sa është deklaruar kur kanë dalë në reformë, por vetëm 13 të tilla. Pavarësisht se ata kanë dalë në reformë disa vite më parë dhe tashmë përfitonin paratë për shkak të asaj reforme, ligji është hartuar me fuqi prapavepruese. Sipas specialistëve të Policisë, ky ligj ka sjellë probleme të ndryshme ekonomike, jo vetëm për Policinë, por edhe për Ushtrinë, apo organet e tjera të përfshira për zbatim të ligjit. Me ligjin e ri, shpërblimi, bashkë me pagesën kalimtare, (ku pagesa kalimtare fillon në muajin e tretë pas daljes në lirim), nuk mund të kalojnë 13 paga të plota. Ndërsa me ligjin e mëparshëm, për të cilin Policia këmbënguli që mos të ndryshonte, punonjësi i Policisë përfitonte dy paga shpërblim dhe për 36 muaj gjysmën e pagës referuese të muajit të fundit të punës. Pra, me pagën që ai kishte dalë në reformë, i llogariteshin 36 gjysma page, ose 18 paga të plota. Kështu, këto 18 paga të plota bashkë me dy pagat shpërblim, punonjësit të Policisë i bëheshin 20 paga, ose e cilësuar ndryshe shtatë paga më shumë se me ligjin e ri.

Ankesat te
Avokati i Popullit

Ish-ushtarakët dhe ish-policët që kanë humbur detyrën për shkak të reformave dhe, sipas ligjit, shtetit i duhej të kujdesej për ta për një kohë të gjatë me një trajtim financiar. Meqenëse ndryshimet në ligj kanë sjellë pasoja në vonesat e pagesave të pensioneve, punonjësit e policisë të dalë në reformë kanë parë si zgjidhje të vetme ti drejtohen Avokatit të Popullit. Shkresës së tyre i janë bashkuar edhe ish-ushtarakët të dalë në lirim, edhe këta për shkak të reformës.

Nenet që penalizuan të prekurit nga reformat

Neni 3
Vjetërsia në shërbim
1. Vjetërsia në shërbim, sipas kategorive të përfituesve, është ajo e përcaktuar në Ligjin Nr. 9210, datë 23.3.2004 “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”; në Ligjin Nr. 9749, datë 4.6.2007 “Për Policinë e Shtetit”: në Ligjin Nr.8869, datë 22.5.2003 “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar; në Ligjin Nr. 9357, datë 17.3.2005 “Për Shërbimin Informativ të Shtetit”, Ligjin Nr. 10032, datë 11.12.2008 “Për Policinë e Burgjeve”, Ligjin Nr. 8766, datë 5.4.2001 “Për mbrojtjen nga zjarri dhe për shpëtimin” dhe Ligjin Nr. 10002, datë 6.10.2008 “Për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme”.
2. Për efekt të zbatimit të këtij ligji, vjetërsia e shërbimit, e njohur sipas ligjeve të sipërpërmendura, bashkohet.
3. Për efekt të përllogaritjes së përfitimeve, viti i shërbimit njihet vetëm kur është vit i plotë.
4. Në vjetërsinë në shërbim përfshihen edhe:
a) koha e ndërprerjes së karrierës, për shkak të një urdhri apo vendimi të padrejtë, të deklaruar me vendim gjykate;
b) koha e plotë e vuajtjes së dënimit me burgim ose internim, për motive politike, pas titullimit në karrierë, nga personat, që kanë shërbyer në strukturat e përcaktuara në këtë ligj, kur kanë përfituar sipas Ligjit Nr. 7514, datë 30.9.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”.
5. Për efekt të llogaritjes së vjetërsisë në shërbim, koha e shërbimit në disa funksione organike, me specifikë të veçantë vështirësie, llogaritet me 1,5-fishin. Për përmbajtjen e kësaj dispozite shprehen strukturat respektive, me shkrim, se cilat do të jenë funksionet e veçanta organike, që do të rivlerësohen me 1,5-fishin. Këto funksione organike miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 4
Paga referuese
1. Përfitimet që jepen nga ky ligj llogariten në bazë të pagës referuese.
2. Paga referuese përbëhet nga paga bazë mujore për gradë, sipas viteve të shërbimit dhe shtesat mbi pagë, ose nga paga bazë mujore për funksion dhe shtesat, të cilat përcaktohen e zbatohen për të njëjtën gradë apo funksion në datën e lindjes së të drejtës së një përfitimi.
Për efekt të përcaktimit të përfitimeve, paga referuese llogaritet si mesatare e pagave referuese, sipas viteve të qëndrimit në atë gradë apo funksion.
Pagat referuese të njësuara dhe rregullat e llogaritjes së pagës mesatare referuese për të gjithë karrierën përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
3. Për studentët e shkollave të larta, që përgatiten si ushtarakë, si punonjës të Policisë së Shtetit, si punonjës të Gardës së Republikës së Shqipërisë, si punonjës të Policisë së Burgjeve e të tjerë, apo kursantët, që përgatiten si punonjës të Shërbimit Informativ të Shtetit, paga referuese, për efekt përfitimi, është paga e gradës apo funksionit më të ulët të oficerit ose e inspektorit të SHISH-it, ndërsa për kursantët për nënoficerë, paga referuese është paga më e ulët e gradës apo funksionit të nënoficerit ose ndihmësinspektorit të SHISH-it të nivelit përkatës.

Ky lajm është publikuar: 13/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›