Darka e gabuar’, për trevjetor

Për nder të trevjetorit të pavarësisë së Kosovës, sonte (e mërkurë) në orën 20, në Teatrin Kombëtar në Prishtinë jepet shfaqja “Darka e gabuar”, sipas romanit të shkrimtarit Ismail Kadare, e dramatizuar nga regjisori Fatos Haxhiraj.
Në shfaqje luajnë aktorët Bujar Asqeriu, Artan Imami, Ahmet Pasha, Naun Shundi, Anastas Kristofori, Mehdi Malka, Guri Koço, Marjana Kondi etj. Skenografia është realizuar nga Taulant Pustina, kompozitor është Ardit Gjebrea, e kostumograf Durim Neziri.
“Darka e gabuar” është kronikë e ndryshimeve dramatike, përmbysjeve, përjetimeve të dhunshme, pra, e tragjikomedisë që kaloi Shqipëria që nga kapitullimi i Italisë, pushtimi gjerman e deri në vdekjen e Stalinit, kur hidheshin themelet e ‘Rendit të Ri’ komunist.
I bazuar në një ngjarje të vërtetë, për të cilën janë dhënë interpretime të ndryshme, Ismail Kadare bën ‘autopsinë’ jo vetëm të qytetit, por edhe të periudhës historike të fillimit të diktaturës komuniste, viktimë e së cilës në radhë të parë ishin intelektualët. Ngjarjet ndodhin në Gjirokastër, ku jeton e punon kirurgu i qytetit, doktor Gurameto (Bujar Asqeriu), i cili studio në Gjermani.