Premtohet digjitalizimi i bibliotekës
Të hënën në Ferizaj është inauguruar solemnisht objekti i rinovuar i Bibliotekës së Qytetit “Sadik Tafarshiku”. Siç u tha sivjet biblioteka do të përfshihet edhe në programin e digjitalizimit.
I pari i Ferizajt, Bajrush Xhemajli, krahas rinovimit të bibliotekës përmendi edhe investimet tjera infrastrukturore të kuvendit komunal në lëmin e kulturës, si rinovimi i objektit të Teatrit profesionist Ardiana, i cili pritet të funksionalizohet shumë shpejtë, bashkë me atë të qendrës së kulturës.
Ndërkaq, drejtori i Bibliotekë Kombëtare dhe Universitare të Kosovës (BKUK), Sali Bashota, nënvizoi rëndësinë e rritjes së fondit librar, por edhe të modernizimit të bibliotekës ferizajase.
Zëvendësministri i Bujqësisë, Xhabir Morina, me këtë rast i dhuroi bibliotekës 40 ekzemplarë të veprës së tij monografike “Shembull Qëndrese dhe Pathyeshmërie”, kushtuar dëshmorit të kombit Rexhep Bislimi. PTK ndërkaq dha një donacion prej 9,500 eurove për blerjen e 829 titujve librarë, gjegjësisht të 2,747 librave, me qëllim të rritjes së fondit të librave të bibliotekës.