E Shtunë, 31 Tetor 2026

Darkë n’mesditë

Dimën n’EXIT.

Blerta (Zeqiri) më kujtohej zbehtë prej një dimri të ftohtë me rrugë të shtruara në akull, pa rrymë, në Prishtinë. Ajo pat ardhur prej Parisit për ta montuar versionin e gjatë të filmit `EXIT´. U takuam shpesh në atë dhomë pune të cilën çuditërisht natyrshëm e ndamë atë dhjetor...Vjeti nuk më kujtohet...

Muaj ma parë ia organizuam një premierë intime filmit të saj ‘Darka’. Pjesën e fundit të rrugës deri në kuzhinën e Blertës e gjeta përmes udhëzimeve të sakta në telefon.

´Ec drejt, a pe sheh një njeri duke lexuar gazetë në parking? Ok, tash shko kah ai, shumë afër. Qashtu, tash këqyr lartë, aty jam unë në një dritare, po bëj me dorë...`

Ndërtesa është e re, njëjtë si krejt kaosi në qytetin tonë, ka lift me muzikë por jo edhe dy dyer që e mbyllin atë, pavarësisht, unë shkoj lart.

Blerta ësht’ e heshtun por artikulohet rrjedhshëm nëse e pyet diçka. M’tregoi se kishte jetu në qytezën e vogël t’Suharekës ku shumë kohë i kishte kalu n’vetmi me nja 4 vetë, disa personazhe librash, mandej muzikën anglisht t’cilën nuk e ka kuptu. Por, meloditë kanë qenë mjaftueshëm t´bukura sa me u ulë e me imagjinu poezinë e krejt atyre burrave ekscentrik që gjithsesi kanë mbjell lule n’fëmininë pa parqe t’qytezës me nji rrugë n’mes.

Njejt si ata.

´Darka´u hap me një plan të mesëm t’dy burrave t’ri t’cilët m’shikojë drejt n’fytyrë dhe pështyjnë epsh fëminor për fitore...Ata lu’jnë Sony Play Station. Bashkëshortet n’prapavi pregadisin tavolinën për darkë. Banesa e organizuar nën regjimin e planit klaustrofobik, n’princip, iu bije tamam personazheve t’Blertës. Edhepse dollapat gllomaz luftojnë me njeriun për frymë.

Dy cifteve iu shtohet edhe një tjetër dhe darka solemnisht fillon, pa muzikë. Kuadrat e afërt dhe organik (të xhiruara nga Artan Korenica) i qasen këtyre njerzve tejet personalisht, t’fusin në atë tavolinë ku zëshëm diskutohet, hahet me apetit, e vera e kuqe ftohet me akull. Nëse e shikon prej larg këtë takim mund të gabohesh t’a quash festë nën ndriçim konfuz.

Kam qenë edhe unë n’kët darkë. Aty burra e gra ndajnë territorin me konop. Rregulla t’rendit mesjetar. Pavarësisht aparencës që tenton të përshëndetet me imazhin e prindërve n’festë. Aty ku ti ke qenë fëmijë dhe shumë herët diçka t’ka ngushtu n’ato mbledhi. Shpejt e ke kuptu se ngulfatësit potencial janë prindërit, gjithmonë publikisht korrekt.

Blerta është shumë e mirë n’thurje t’dialogut, ajo i bën personazhet që n’sipërfaqësinë e tyre të shtrydhin problemet pa i adresu ceshtjet domosdoshmërisht me spektakël. Pavarësisht që situata nuk eskalon, tensionit nuk i zbehet prezenca.

Të gjithë përbihen.

Çiftet në tavolinën e darkës së Blertës, cdo ditë marrin frymën e parë t’mbyllun në uniformat e një civilizimi aspirues tu mos shkëputë nga vetja ose s’paku shpërla asgjë nga shprehitë e brezave që lam pas. Ata adaptojnë vetëm manire dhe shpesh i keqinterpretojnë ato. E vetmja diferencë ësht’ se sot atyre grave fytyra nuk i ësht’ mbulu nga perdja orientale. Ajo tani pi verë publikisht, dehet dhe jo gjthmonë e mban situatën nën kontrollë, si mami dikur. Por revolti i saj nuk shkon tutje, ai shfaqet n’acar t’syve dhe grimin përciellës.

Filmi ‘Darka’ shpalos mjeshtri n’dy rrafshe, montazhë të punuar nga Kreshnik Berisha dhe skenar. Blerta m’tha se gjithnjë kishte dëgju shumë. Andaj kur ulet me shkru sikur transkribon dialogje nga kujtesa e saj. Ekipa e aktorëve nuk dështon së servuari çdo replikë n’kohë. Ata vërtetojnë të gjitha stereotipet me pamje, andrra e shprehi.

Aty flitet për gjithcka, shqyrtohen rolet dhe obligimet pastaj, tradhëtia. Pyetje që Blerta e shtron në fund. Gjithsesi në përgjegje do të insitojë dikush, personazhja e saj (Anisa Ismaili) tërheq konopin e padukshëm në territor që nuk i takon. Andaj ndëshkohet publikisht nga partneri (Kushtrim Sheremeti), por pa shuplaka në kët’ dekadë. Prologu është i parashikueshëm-ajo gjithmonë falë. Njejt si mami. ‘Darka’ përfundoi pa rrymë, shumë mish pule në dhëmbët e mysafirëve, shije t’tradhëtisë dhe parking kaotik që në nji qytet tjetër kërkon intervenim serioz policije.

Disa ditë nuk dija ta paloj përshtypjen mbi filmin e shkurtë të Blertës. Mandej m’erdhi, ishte ‘normaliteti’ i tij të cilin nuk jam mësu ta hasë në kinematografinë vendore. Filmi i Blertës nuk ishte dramë për padrejtësitë historike i ngarkuar me idetë mbi traditën dhe simbolikën soc-realiste, ose komedi pa takt e ngatrruar n’politika ditore, as vullgaritet n’akcion ku krimi vritet. ‘Darka’ mirrej me shokët e mi, fqinjtë...dhe me të gjitha hijet e prindërve që na përcijellin dhe shpesh përgjigjen, ndërmarrin akte duke dalë papritmas prej gjoksit tonë...dhe si duket prej asaj dite e dimë se kutia është hapë edhe për ne. Pranë saj rrinë të renditur të gjithë, si në portret familjar, prej gjyshërve e tutje, presin të hyjmë brenda ta mbyllim kapakun me mbishkrim Burrë i rritur ose Grua.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›