E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediet kineze akuzojnë SHBA-në për “arrogancë”

Mediat shtetërore në Kinë kanë akuzuar sot SHBA-në për “arrogancë” dhe standarde të dyfishta, për shkak të tregtisë me armatim me Tajvanin, duke theksuar se kërcënimi që Pekini të dënojë kompanitë amerikane për shkak të këtyre kontratave është shumë real.

Pentagoni nxiti ngritjen më të re në marrëdhëniet Kinë-SHBA, pasi që miratoi kontratën në vlerë prej 6.4 miliardë dollarë për t’i shitur Tajvanit raketa Patriot dhe helikopterë Black Hawk.

Kina reagoi ashpër, duke theksuar se do të ndërpres kontaktet ushtarake dhe të sigurisë me Washingtonin dhe se do të imponojë sanksione kundër kompanive amerikane, të përfshira në marrëveshje.

Kina, e cila e konsideron Tajvanin si pjesë të territorit të vet, gjithashtu tërhoqi vërejtjen për dëmtimin serioz të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Gazetat China Daily dhe Global Times akuzuan presidentin amerikan, Barack Obama, se nuk ka qenë i sinqertë gjatë vizitës së tij në Kinë, në nëntor të vitit të kaluar, kur theksoi se Washingtoni nuk po synon që të frenojë Kinën.

“Reagimi i Kinës është i justifikueshëm. Hapat e fundit të SHBA-së nxjerrin në sipërfaqe shfrytëzimin e standardeve të dyfishta dhe hipokrizinë për çështjet e mëdha, të cilat ndërlidhen me interesat thelbësore të Kinës”, shkroi China Daily.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›