E Shtunë, 31 Tetor 2026

Darragjati mes Drinit dhe Bunes, ku lope e njerez flene bashke

Në fshatin e përmbytur ankohen për mungesë ndihmash dhe për pamundësi ngrohjeje

Qyteti i Shkodrës po i kthehet me shpejtësi normalitetit. Përmbytjet janë tashmë vetëm një ëndërr e keqe për shumicën e banorëve të qytetit më të madh të veriut të vendit. Në zonat e liruara nga uji ka nisur me intensitet pastrimi dhe dezinfektimi, dhe banorët e lagjeve të ulëta janë kthyer prej disa ditësh në shtëpitë e tyre. Uji është tashmë shumë larg qendrës së qytetit dhe vazhdon të tërhiqet drejt liqenit.

Një tjetër realitet shfaqet në Nënshkodër, ku dhjetëra fshatra vazhdojë të jenë të mbuluar nga uji. I ftohti i acartë i ditëve të fundit e ka vështirësuar së tepërmi jetesën në këto zona.

Me shtëpitë e përmbytura, pa anergji elektrike dhe pa ngrohje, mijëra fshatarë po përballen me vështirësi të jashtëzakonshme.

Një nga zonat më problematike të Nënshkodrës është fshati Darragjat. Për shkak të pozicionimit të tij midis lumenjve Drin dhe Bunë, Darragjati ka pësuar dëme të mëdha nga furia e ujit, që ende vazhdon të vërshojë mes rrugicave dhe oborreve të shtëpive.

Në Darragjat shkohet vetëm me varka, por edhe ky udhëtim është i rrezikshëm, për shkak të thellësisë së madhe të ujit në disa pjesë të fshatit. Në oborret e shtëpive uji vazhdon të jetë në nivel mbi 1 metër dhe banorët janë të detyruar të jetojnë në katet e dyta. Madje, disa prej tyre kanë futur nëpër shtëpi edhe bagëtitë, nga frika se mbyten. Dëmet e krijuara nga furia e ujit konstatohen fare lehtë kur shikon shtëpitë nën ujë dhe bagëtitë e ngordhura rreth tyre.

Banorët rrëfejnë se u duhet të bashkëjetojnë me kafshët që prej disa javësh. Preç Jubani, banor i Darragjatit tregon: “Në dhomën e pritjes kam futur bagëtitë. E kam shndërruar shtëpinë në stallë. Nuk e kishim parë, dëgjuar dhe as e kishim imagjinuar se do të vinte një ditë që të mund të krijohej një situatë e tillë. Te dhoma ku kisha planifikuar të prisja miqtë, jam detyruar të fus lopët. Çfarë të them tjetër, po jetoj bashkë me kafshët. Kemi probleme nga më të ndryshme, që nga ngrohja, mungesa me ushqime për njerëzit dhe furnizimin e bagëtive me ushqime. Ndihmat që na kanë sjellë deri më tani janë shumë të vogla në krahasim me nevojat që kemi. Ato që kanë sjellë janë vetëm sa për të mbajtur frymën gjallë, ne dhe bagëtitë. Tani që janë ulur shumë temperaturat, jemi vërtet në hall të madh. Nuk kemi me çfarë të ngrohemi, pasi nuk kemi energji elektrike, ndërsa drutë për ngrohje na i ka zënë përmbytja. E vetmja ngrohje janë batanijet”.

Ngrohja është problem për të gjithë banorët. E vetmja mënyrë për të përballuar të ftohtin e acartë të ditëve të fundit janë batanijet që janë shpërndarë në formë ndihmash. Por, edhe ato në shumë raste janë të lagura. Jetesa në shtëpitë ku janë futur edhe bagëtitë është tepër e vështirë dhe e rrezikshme për shëndetin e njerëzve.

Ndërkaq, banorë të tjerë të zonës raportojnë probleme nga më të ndryshmet. Ardian Jubani tregon për “Shqip” se, përveç situatës së rëndë që është krijuar nga përmbytja dhe temperaturat e ulëta, banorët kanë problem dhe dëmshpërblimin e bimëve dekorative, një biznes i përhapur në fshat. Shteti nuk i ka dëmshpërblyer asnjëherë këta banorë, pavarësisht se janë përmbytur pesë herë gjatë këtij viti. Për pjesën më të madhe të familjeve, rritja dhe tregtimi i bimëve dekorative është e vetmja mënyrë për të përballuar jetesën, por autoritetet shtetërore nuk dëmshpërblyen askënd për këto dëme, me justifikimin se fshatarët nuk i kishin regjistruar bizneset e tyre dhe nuk kishin paguar taksa.

Me afrimin e natës, fshati zhytet në terr dhe duket plotësisht i braktisur. Qetësia prishet vetëm nga zhurma e rrjedhës së lumit Drin, që ende vazhdon të futet në fshat, pasi ka sheshuar argjinaturën e ndërtuar rishtas këtë vit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›