E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ne mars nis puna per thellimin e Bunes

Marrëveshja

Shtrati i lumit Buna do të thellohet dhe brenda muajit mars pritet që të fillojë puna. Shqipëria dhe Mali i Zi kanë nënshkruar mesditën e djeshme marrëveshjen dypalëshe për thellimin e shtratit të lumit Buna, territor i cili administrohet juridikisht nga dy shtetet. Kjo marrëveshje është nënshkruar për palën shqiptare nga ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu ndërsa për palën malazeze nga ministri i Bujqësisë, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Milutin Simoviç. Ministri Mediu e ka vlerësuar faktin se projekti ambicioz ka gjetur mbështetjen e plotë të shtetit malazez dhe se falë realizimit të tij, Shkodra do të mbrohet nga përmbytjet. Ndërkohë, i pyetur për afatet konkrete të nisjes së punës, Mediu është shprehur se aktualisht ekspertë italianë janë në terren për të parë mundësitë e ndërhyrjes, dhe brenda muajit mars pritet të nisë projekti. Ndërsa ministri malazez, Milutin Simoviç shprehu gatishmërinë e shtetit të tij në këtë projekt, që do t’u shërbejë të dyja vendeve për mbrojtjen nga përmbytjet. Më tej, Simoviç tha se “përveç interesave të përbashkëta si vende fqinje, kemi edhe interesa politike, pasi të dyja vendet janë aspirantë për t’u bërë pjesë e BE-së”. Më konkretisht, pjesë e projektit për thellimin e shtratit të lumit Buna janë pastrimi i shtratit nga mbetje të ndryshme si ura të vjetra e anije, si dhe thellimin apo gërryerja e shtratit, duke bërë që të rishikohen dhe kuotat e argjinaturave. Kjo marrëveshje ndërshtetërore është bazuar në konventat ndërkombëtare për administrimin e ujërave ndërkufitare, si dhe në iniciativën e Barcelonës për menaxhimin e integruar të ujërave mesdhetarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›