Dashi është bërë fenomen ndërkombëtar, duhet kuruar
Deputetët socialistë, Fidel Ylli dhe Alfred Dalipi, kanë ironizuar gjatë seancës së sotme plenare me deputetin Dashnor Sula, pasi ky i fundit qëlloi me pistoletë në stadium.
Sipas Dalipit, për Sulën tashmë shkruajnë edhe mediat ndërkombëtare. Madje, në Itali më shumë u shkrua për të, se për takimin Berisha-Monti. Ai tha se Dashi duhet të kontrollohet sa herë hyn në stadium dhe të kurohet.
Kërkoj që punonjësit e gardës ta kontrollojnë Sulën. Shumë gazeta sportive kanë vendosur tituj komik. Gazetave italiane dhe spanjolle u kanë bërë përshtypje më shumë këto se sa takimi i Berishës me kryeministrin italian Monti. Dashi duhet vizituar, që të kurohet, të kurojë imazhin e deputetit, të mazhorancës, të sportit dhe kryeministrit që zë më pak vend se sa Dashi në gazetat ndërkombëtare, tha Dalipi gjatë fjalës së tij.
Ndërkohë, Fidel Ylli u shpreh se Dashnor Sula kërkon lojë luftash, jo lojë futbolli.
Shkumbini falë trimërisë së Dashnorit rrezikon rënien në kategorinë e dytë. Peqini nuk ka nevojë për trimërinë e Dashnorit. Trima si Dashnori e kanë eklipsuar për ta përmendur këtë qytet për tytën e pistoletës. Si arrin ti marrë votat ky zotëri në Peqin? Në vend të kërkojë një futboll të bukur, kërkon lojë luftash, tha deputeti Ylli.