Dashi lë jashtë spitalit pacientët e rretheve, mbyll dyert e QSUT dhe për rastet urgjente
Sistemi i Ri i konsultave në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza i cili ka ndryshuar për të gjithë pacientët që mbërrijnë nga rrethet për tu ekzaminuar në spitalin më të madh shtetëror, duket se është një tjetër skemë e dështuar e drejtorit të QSUT-së Ilir Dashi.
Kanë mjaftuar vetëm disa fletushka të cilat u janë dhënë mjekëve e shefave të shërbimit për ti ngjitur në pavijonet e tyre në të cilat shkruhej prerë se nuk do të lejohen më vizitat e pacientëve të rretheve pa librezat shëndetësore dhe dokumenta të tjera përkatëse. Është dashur vetëm një urdhër, dhe dyert e spitalit më të madh në vend janë mbyllur për të gjithë pacientët që me siguri, apo me urgjencë kanë menduar se do të gjenin në QSUT shërbimin më të mirë. Por jo vetëm për pacientët e përhershëm, një gjendje tepër absurde është krijuar edhe për rastet urgjente të cilët janë refuzuar nga drejtuesit, por janë futur në ambientet e spitalit vetëm duke thyer vetë mjekët rregullat, e duke shpalosur në këtë rast anën njerëzore të bluzave të bardha e cila në të shumtën e rasteve mungon në spitale. Ditën e djeshme një prej mjekëve të QSUT-së ka deklaruar për gazetën SOT se meqë ai ishte mjek roje kishte hasur në një situatë jo fort të këndshme e cila i kishte krijuar për herë të parë në karrierën e tij dyshime. Sipas mjekut pediatër urdhri më i fundit i drejtorit Dashi për mospranimin në spital te rasteve të cilat paraqiten pa vërtetimin e mjekut të familjes, e pa librezën shëndetësore, është një urdhër absurd i cili kryhet vetëm kur pacientët janë të njohurit e drejtuesve të QSUT-së. Mjeku thekson faktin se në turnin e tij ka mbërritur një fëmijë rëndë dhe nga drejtuesit e spitalit këtij pacienti i është refuzuar shërbimi, por është dashur vetëm thyerja e rregullave nga ana e mjekut i cili e ka mjekuar fëmijën pa urdhrin e krerëve të spitalit. Sipas mjekut ky është rast flagrant.
Precedenti
Por në urdhrat absurdë të drejtorisë së QSUT-së numërohen edhe disa vendime të tjera të iniciuara nga vetë kreu i spitalit. Një prej tyre është edhe urdhri i cili ka të bëjë me mundësia e planifikimit të vizitave me anë të telefonave të vënë në dispozicion të qytetarëve në të gjithë vendit. Pavarësisht se për këtë mënyrë të re komunikimi të cilin pacientët do ta shfrytëzonin për të planifikuar oraret e vizitave ky shërbim i ri ka dështuar. Nga ana tjetër ngjitja nëpër muret e poliklinikave apo spitaleve të letrave të vogla, që nuk bien fare në sy, është tërësisht e pamjaftueshme për informimin e pacientëve. Mosplanifikimi i konsultave rrezikon mundësinë e kryerjes së tyre.
Rregullat
Rregullorja e QSUT-së parashikon që pacientët domosdoshmërisht përpara se të kryejnë një vizitë në ambientet e QSUT-së duhet të pajisen me librezën e shëndetit dhe rekomandimin nga mjeku përkatës në mënyrë që të shmangin pagesën e tarifës së detyrueshme në raste të ekzaminimeve të shtrenjta. Që konsulta të justifikojë emrin e vet dhe të mos jetë një vizitë e thatë, rutinë dhe jo produktive, që ajo të fitojë më shumë karakter zyrtar dhe më pak privat duhet që pacientët kur vijnë në QSUT të kenë me vete jo vetëm dokumentet ligjore për të mos paguar tarifën e vendosur (librin e shëndetit dhe rekomandimin e mjekut), por edhe një raport mjekësor (epikrizë) ku të përshkruhet në mënyrë të hollësishme gjendja e pacientit, ekzaminimet e kryera, mjekimi i përdorur, qëllimi i konsultës etj. Sipas deklaratave nga drejtuesit e QSUT-së kjo jo vetëm do të rrisë efikasitetin e konsultës, por edhe do të eliminojë dhe sorollatjet dhe shpenzimet e lidhura me to. Por si pasojë e kësaj skeme duket se vetë pacientët janë më shumë të prekur në mënyrë negative pasi ata duhet të shëtisin për një kohë të gjatë në ambulancat e lagjeve apo të qyteteve edhe më pas do të kryejnë gjithashtu edhe një sërë procedurash në Konsultën e Spitalit.
Shkeljet
Në klinikat e Kirurgjisë në QSU Nënë Tereza në Tiranë vihet re mjaft shpesh një dukuri, e cila për ne është shumë problematike dhe shqetësuese dhe që kërkon zgjidhje të menjëhershme. Në kirurgji ka një rritje të sasisë së ndërhyrjeve rutinore, që mund dhe të kryhen në çdo spital të vendit. Por rregullorja e re e konsultave jo vetëm që ka krijuar Disa nga shkaqet e kësaj dukurie janë niveli i dobët i shërbimit mjekësor që ofrohet në shumë prej spitaleve të qyteteve të tjera, abuzimi me të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur mjekun, abuzimin e mjekëve me pacientët (marrëdhënie që rregullohen me pagesë nën dorë), etj. Kjo arsye e fundit e orienton aktivitetin e mjekëve drejt një numri sa më të madh pacientësh dhe për rrjedhojë drejt interventeve të lehta, pa komplikacione dhe predispozitën dhe gatishmërinë e tyre për të mos i kthyer pacientët që ofrohen.
Arta AGOLLI