Mediu: Projektligji i ri për mjedisin, kusht i MSA
për sektorin e mjedisit. Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, duke përgëzuar hartuesit e këtij projektligji, u shpreh se është bërë një punë mjaft cilësore, e cila ka në bazë të saj mbrojtjen e mjedisit, si dhe përafrimin e Shqipërisë me standardet mjedisore evropiane, metodikat e Bashkimit Evropian për vlerësimin e ndikimit në mjedis. Ai tha se një ndër pikat shumë të rëndësishme të këtij ligji është se tashmë Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe degët e saj rajonale, do të kenë gati një legjislacion të plotë dhe mjaft mirë të koordinuar, i cili forcon rolin mbikëqyrës të saj, si dhe krijon mundësi për të monitoruar, vlerësuar, por edhe të bërit oponencë, përsa i përket lejeve mjedisore, të cilat nuk do të firmosen më, në rast se nuk janë në përputhje me ligjin e Mbi vlerësimin e ndikimit në mjedis. Një tjetër çështje, të cilës ministri Mediu i kushtoi vëmendje të veçantë, ishte edhe licencimi i ekspertëve mjedisorë. Tashmë, - theksoi ministri Mediu, - ka ardhur koha për një ritestim të këtyre ekspertëve mjedisorë, gjithnjë në kuadër të një efektshmërie sa më të plotë në zbatimin e ligjit. Në këtë kontekst, ministri Mediu la porosi që të përcaktohen kritere akoma më të forta për certifikimin e ekspertëve mjedisorë. Gjithashtu, gjatë prezantimit të këtij projektligj, ministri Mediu e cilësoi si një arritje shumë të vlefshme, përfshirjen e publikut, në diskutimet mbi çështjet mjedisore, të cilat kanë një impakt gjithëpërfshirës për qytetarët. Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu ka zhvilluar një vizitë dyditore në Itali, pak kohë më parë ku ka qenë i ftuar i nderit i ministres italiane të Ambjentit, Stefania Prestigiacomo dhe atij francez Jean Louis Borloo, me rastin e firmosjes së një memorandumi mirëkuptimi Italo-francez. Gjatë kësaj vizite, pala italiane ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar Shqipërinë në planin e menaxhimit të ekosistemit të liqenit të Shkodrës dhe të lumit të Bunës, si dhe përsa i përket parkut rajonal të Alpeve me Malin e Zi dhe Kosovën. Në këto takime është diskutuar edhe mbi forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve edhe në fushën e mjedisit.
Tafaj takon vlerësuesit e provimit të matematikës
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, u takua ditën e djeshme në mjediset e shkollës Sabaudin Gabrani me vlerësuesit e testit të provimit të matematikës të Maturës Shtetërore 2010. Ministri Tafaj e cilësoi këtë proces shumë të rëndësishëm dhe vlerësoi punën e mësuesve për të korrigjuar në mënyrë korrekte rezultatet për të gjithë maturantët.
Ai u njoh nga afër me procedurën e korrigjimit të testeve dhe theksoi se kjo mënyrë vlerësimi garanton vlerësim objektiv të maturantëve. Vlerësimi i testeve të Maturës Shtetërore kryhet fillimisht nga 2 mësues korrigjues, që vlerësojnë në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri dhe më pas, nëse përgjegjësi që e rikontrollon testin vëren mospërputhje të pikëve në këto vlerësime, kërkon korrigjimin e testit të maturantit nga një vlerësues tjetër. Prej disa ditësh vlerësuesit e provimit të Matematikës që janë përzgjedhur nga mësuesit më të mirë në të gjithë vendin, janë mbledhur në 4 qendra kombëtare vlerësimi, ku po kryejnë procesin e korrigjimit të testeve për rreth 38 000 maturantë.
Shirat mbërthejnë motin në vend, rikthehet dielli në fundjavë
Moti i keq do të mbizotërojë dhe për dy ditë në vend, kurse fundjava premton se do të rikthehen ditët me diell dhe temperaturat e ngrohta. Por, ashtu si dje, edhe dita e sotme do të karakterizohet nga mot i vranët me shira të rrëmbyeshëm në të gjithë vendin. Nga sot dje temperaturat kanë shënuar një rënie me 2 gradë dhe ne 3-4 gradë në zonat malore. Nga të dhënat sinoptike për parashikimin e motit mësohet se ditën e sotme temperaturat në zonat malore variojnë nga 18-11 gradë, në zonat e ulëta 20-18 dhe në ato bregdetare 21-15 gradë Celsius. Dita e sotme do të karakterizohet nga reshje shiu që do të përfshijë pothuajse të gjithë vendin. Temperaturat në qytetet kryesore për ditën e sotme do të jenë: Tirana 21 gradë me e larta dhe 17 më e ulëta, Shkodër 18-14, Vlorë 21-17, Kukës 19-11, Elbasan 18-14, Fier 21-18, Korçë 18-10, Fier 22-16, Durrës 22-15, Gjirokastër 18-14 dhe Sarandë 21-17 grade Celsius. Moti pritet të përmirësohet duke nisur nga dita e Enjte ku pritet që temperaturat të rritem me nga dy gradë krahasuar me të Mërkurën. Në ditët kur zyrtarisht ka trokitur stina e Verës, moti në Shqipëri prej disa ditësh është përkeqësuar duke prishur kështu planet e pushuesve në zonat bregdetare në vend. Temperaturat e ulëta dhe shirat e shumtë në gjithë vendin kanë ndalur dhe vrullin e pushuesve drejt zonave bregdetare këto ditë Qershori. Përmirësime të dukshme premton disi dita e Enjte, por edhe gjatë kësaj dite nuk do të reshtin reshjet e shiut sidomos në zonat malore. Temperaturat gjatë kësaj dite do të kenë rritje me 1 ose 2 gradë krahasuar me ditën e martë dhe të mërkurë.