Dashuri partizanësh
Ajo vazhdon të jetojë me kujtimet. “Rrëmon” në dosje, në ditarë, në copëzat e letrave futur në xhepa apo të fshehura në faqe fletoresh. Pas vdekjes së të shoqit, Mynever Shuteriqi i është kushtuar një misioni: sistemimin e dorëshkrimeve, botimin dhe ribotimin e veprave të bashkëshortit, Dhimitrit. E gjen thuajse gjithnjë të zhytur në të tilla punë, kur kemi shkuar ta takojmë në shtëpinë e saj, në një pallat nga ata të vjetrit. Dje është shënuar 95-vjetori i tij i lindjes. Në ambientet e një lokali në Tiranë, familja ka organizuar një takim miqësor. Më herët, nga përtej telefonit, me fjalë që vijnë të shkëputura, në shqiptimin e të cilave dëgjohen edhe gulçe, Myneveri të thotë se është e sëmurë. E pafuqishme të flasë këtë radhë. Veç kujtimeve, ditarëve, Myneveri është “kredhur” edhe në punët studimore të të shoqit, ndonëse për të dorëshkrime të tilla janë të padeshifrueshme në kuptime. Shuteriqi i mbylli sytë, i vetëdijshëm për misionin e të shoqes. Në një shënim të ditarit të tij, që mban datën 26 korrik të vitit 2001, ai shkruan: “Sot u bëra 86 vjeç. Myneveri, si dhuratë për datëlindjen time, filloi sot një punë të madhe: sistemimin e dosjeve me dorëshkrime të miat, sidomos korrespondencën. Unë vetëm sa e ndihmoj, se është punë e lodhshme vërtet. Eliminon p.sh., nga korrespondenca një pjesë të mirë. Ndërsa unë i kam ruajtur gati të gjitha e më vjen keq që s’ruhen më. Më mirë ta bëj thjeshtimin vetë sa jam gjallë. Po me sa duket një punë të tillë mund ta bëjë një tjetër dhe ky tjetri është Myneveri (asaj i them përherë je e tëra, jo gjysma ime), po dhe Myneveri është unë dhe ai tjetri”. Kjo dëshmi kundërshton Dhimitrin 60-vjeçar, i cili shkruante në ditarin e tij: “E ardhmja e veprës sime? S’më ka preokupuar kurrë. Nëse ajo shërbeu sa kohë që jetova vetë, - dhe shërbeu, ajo e bëri detyrën e saj, e dha një kontribut sado modest, sado të vogël, për ndërtimin e kulturës sonë, të shkencës dhe të letërsisë sonë”. E gjithë kjo histori e mëvonshme do të ishte pasojë e viteve të rinisë, e ditëve dhe netëve që Myneveri dhe Shuteriqi kaluan bashkë në kohët e luftës. Myneveri do të kishte së pari një takim letrar me Shuteriqin. E shpërngulur me familjen në Elbasan më 1938-n, në koleksionin e revistës “Bota e Re” do të lexonte edhe shkrime të Dhimitrit. Admirimin për rreshtat që lexonte, vajza e re ia veshi përfytyrimit të një shkrimtari plak, nga ata që i kanë mbaruar gëzimet e hidhen në të përpjetat e jetës. Takimi i radhës do të ndodhte pas pesë vjetësh, kur Myneveri ndiqte vitin e fundit të shkollës Normale të Elbasanit. I sapokthyer nga Franca, profesori i ri ishte ftuar të mbante një bisedë mbi revolucionin borgjez francez të vitit 1789. “Për çudinë time, në katedër zuri vend një djalë i ri, me një paraqitje që më tërhoqi menjëherë vëmendjen dhe që e regjistrova në kujtesë në mënyrë të pavetëdijshme, por tepër besnike: flokë të zinj pak të valëzuar, fytyrë e bardhë e fisme, buzë mishtore me pjesën e poshtme disi të varur. Ndërsa nën syzet e vegjël me një rreth ari të hollë, që nuk më lejonin t’i shquaja ngjyrën e syve, arrita të dalloj gjithsesi vështrimin e tij të vëmendshëm, që m’u duk se më drejtohej mua, e ulur siç isha bashkë me shoqen time S.B. në bankën e parë, përballë katedrës dhe fare pranë saj”, kujton Myneveri. Dy vjet më vonë, në verën e vitit 1944, Myneveri kishte dalë në mal për të marrë pjesë në Brigadën e 17-të Sulmuese. “Ndërsa shokët e mi u nisën, mua më thirri sekretari politik i partisë, Zihni Muço, i cili më komunikoi vendimin e Komitetit Qarkor: isha caktuar të punoja në bazën e re ilegale të shtypit të partisë së bashku me shokun Dhimitër Shuteriqi!”. Kaluan tri muaj duke punuar bashkë. “Ne u njohëm krejt rastësisht, por kushtet në të cilat jetuam, krijuan mundësinë ta njohim mirë njëri-tjetrin. Jetuam në të njëjtën kasolle, në rrogoz e në kashtë, hëngrëm në të njëjtin çanak bukën e misrit e të elbit për afro tre muaj. Netëve nën dritën e kandilit prisnim me orë të tëra të dëgjonim dhe regjistronim lajmet e fundit që transmetonin radiot e huaja, Moska dhe Londra, me veshin ngjitur te radioja jonë e vogël pranë e pranë në frymën e njëri-tjetrit”, shkruan Myneveri në librin e saj me kujtime “Një jetë në dashuri”. Nga ana e tij, Dhimitri do të shkruante se e kishte provuar edhe më parë dashurinë, por ajo nuk arriti ta mbante lidhur përjetësisht. Ishte pikërisht vajza franceze Blansha që Myneveri e sjell si episod në kujtimet e saj. “Në faqen e pasme të defterit ishte vizatuar në sanguine një vajzë e bukur franceze. është “Blansha, më tha, vajza që kam njohur para teje, u bë mirë edhe për mua, edhe për të që kjo lidhje rinore mbeti jetëshkurtër”. Por ai e kujtoi shpesh Blanshën dhe u hidhërua shumë kur mësoi vdekjen e saj”.
* * * *
Gjëmimet e topave që sillnin honet e maleve me uturima, atë natë, si asnjëherë, na u dukën më të forta dhe shumë pranë. Brofa te dritarja frëngji për të dëgjuar më mirë krismat dhe shpërtheva në gëzim: “Dëgjo, dëgjo shoku Dhimitër, kjo më duket se është përleshja e fundit, çlirimi është punë ditësh!” Ai nuk m’u përgjigj, por pas pak dëgjova të thotë: “A thua se do të ndahemi e nuk do të shihemi më? Unë nuk e dua këtë. Dua të jemi gjithnjë e përngaherë bashkë”. Shikimet tona u ndalën mbi sytë e njëri-tjetrit për t’i dhënë përgjigje këtij pohimi; sytë e mi edhe me habinë e rastit, kurse të tijtë, duke shprehur një lloj përmallimi, që kohët e fundit nuk më kishte shpëtuar pa e vënë re. Nuk arrita të përgjigjem, ndjeva një përqafim të vrullshëm, por sakaq të butë e ledhatues. Nuk iu shmanga siç do të kisha dashur e siç e kisha menduar, sepse kuptova menjëherë se ajo ndjenjë e panjohur deri atëherë, kishte lindur prej kohësh tek unë, që kur e pashë në klasë për të parën herë dhe më tërhoqi me tërë qenien e tij, duke fiksuar në mënyrë të pavetëdijshme modelin e burrit, të bashkëshortit tim të ardhshëm. Nuk dëgjova premtime dhe përbetime, nuk mendova as për rrezikun që mund t’i shkaktoja vetes dhe atij (ligjet e luftës sonë i dënonin marrëdhëniet dashurore), sepse i besova dashurisë sime të dëlirë, ndjenjës së pastër të shokut tim të luftës, profesorit të ri, që si në klasë edhe gjatë atyre tre muajve të punës sonë të përbashkët, më kishte ngjallur respekt, miqësi, por edhe shumë adhurim.
* * * *
E mësova që vuante nga zemra që prej fillimeve të lidhjes sonë, kur mes lumturisë që na kishte pushtuar më foli për të parën herë për sëmundjen e tij. “Ndoshta do të pendohesh për këtë hap që bëre pa u menduar gjatë. Unë vuaj nga zemra, sëmundje e pashërueshme. Këtë ma kanë konstatuar që në moshën 21-vjeçare mjekët në Francë, gjatë një kontrolli mjekësor për pranimin në universitet”. Shtanga, por nuk ia vura veshin. Kisha përpara një djalë të ri që i ngjiste të përpjetat e maleve lehtë-lehtë, që flinte në rrogoz si ne të tjerët dhe nuk qahej kurrë, që kishte një trup atleti, pra një burrë i fortë e i shëndetshëm. Por edhe nëse do të ishte vërtet i sëmurë, asgjë nuk do të ndryshonte. Unë tashmë isha dashuruar keq pas tij.
Vite më vonë, pas çlirimit të vendit, filloi të ankohej nga therjet në zemër e në kraharor, nga aritmitë. Shumë shpejt çështja u bë serioze dhe kjo për mua nënkuptonte më shumë përgjegjësi. Fillova të kujdesem për të si për një fëmijë të katërt dhe ky i katërti u bë shqetësimi më i madh i gjithë jetës sime, deri në ditën e ndarjes përfundimtare. Mësova të jetoj ndryshe, të zgjohem disa herë natën për të mbikëqyrur “të sëmurin e shtrenjtë”, për të kontrolluar me rigorozitet mjekimet, dietat etj. Veç dy gjëra nuk munda t’i bëj kurrë: të kontrolloja të rrahurat e pulsit gjithnjë të çrregullt të tij, që kurdoherë më tmerronin dhe t’i vija kufi punës së tij marramendëse dhe jashtë çdo norme, veçanërisht për një të sëmurë nga zemra.
#