E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dashuri pas hekurave të burgut

Ata takohen një herë në javë, duke marrë nga njëri-tjetri intimitetin e nevojshëm, një intimitet me “tollon”

Dashuria e një piloti me vajzën jetime nga Vlora, nuk ka patur zbritje të lehtë në pistën e jetës, kjo për shkak të turbullirave ajrore që, çifti në fjalë, ka hasur. Të shikoje atë turmë njerëzish që priste me padurim të takonte të dashuritë e zemrës në burgun e Vaqarrit, të krijonte një përshtypje vërtet të madhe. Albania rrinte në pritje, veshur me një bluzë dhe pantallona të zeza dhe në qafë mbante varur celularin. Nuk e mbante vendi dhe kjo u bë më e kuptueshme kur ajo tregoi për ndjenjën që lindi mes kangjallave të shkollës, dhe për analogji po vazhdonte pas një palë kangjellash të tjera, hekurave të burgut. Ajo pret të takojë të shoqin, Ardian Nasi, ish-pilot i Forcave Ajrore Ushtarake. Ai është dënuar me gjashtë vjet burg për bashkëpunim në trafikun e lëndëve narkotike. Vetë Ardian Nasi thotë që ishte një viktimë e rastësishme e këtij trafiku por kjo nuk e ka bindur gjykatën që e ka vendosur pas hekurave të qelisë. Kur kujton këtë fakt, Albana merr frymë thellë dhe vazhdon të tregojë historinë e saj e të tre fëmijëve që ka me Ardianin... pa prezencën e tij në shtëpi dhe me të vetmin oaz qetësie për ata të dy, takimin special, çdo ditë të premte.

Njohja

Albana, bashkëshortja e Ardianit, është vajzë e rritur në shtëpinë e fëmijës, nëna i kishte vdekur kur ajo ishte tre vjeçe. Vazhdonte studimet në shkollën Tregtare të Vlorës dhe në atë kohë, Ardiani me origjinë nga Korça, studionte në qytein bregdetar. Piloti i ardhshëm kishte vënë re përtej hekurave të asaj shkolle një vajzë të shkathët vlonjate dhe nuk ju nda për asnjë çast. Viti 1992 ka qenë viti i njohjes së tyre, një dashuri që shpërtheu menjëherë dhe që hasi shumë e shumë peripeci, deri në kurorëzimin ligjor të dashurisë së tyre. Familja e Ardianit nuk e kapërdiu dot faktin se djali i tyre do të merrte për grua një vajzë jetime. Por, sot, ata kanë tre fëmijë, një vajzë dhe dy djem. Djali i fundit, Samueli, u ngjiz në liri dhe lindi kur i ati ishte pas hekurave të qelisë.

Historia

Në vitin 2002, pas një periudhe punë në qytetin e Kuçovës erdhi momenti që familja të transferohej në kryeqytet. Kishin kaluar dy vjet nga momenti që familja kishte ardhur në Tiranë. Shoku i vëllait të Albanës i propozon Ardianit të shkonin të bënin një rrugë në Peshkopi për të marrë disa miq të tyre, kundrejt një shume prej 150 mijë lekësh, dhe kështu veprohet. Bagazhi i makinës ishte mbushur me hashash dhe, sipas Ardianit, ai nuk ishte në djeni për këtë. I veshur me rroba ushtarake, nisen për në qytetin verior dhe bëhen pre e kontrollit policor, por “rastësisht”, Nasi nuk kishte çelësin e bagazhit dhe makina shkon në komisariat, ku i nënshtrohet kontrollit të plotë. “Ai ishte ushtarak dhe nuk kishte dijeni për këtë fakt, këtë e ka thënë dhe i bashkakuzuari tjetër që ka qenë me të, por asnjëherë drejtësia nuk e ka marrë parasysh”, - rrëfen Albana. “Togat e zeza duhet të kishin bërë diçka, qoftë edhe për respekt të uniformës që ai ka mbajtur kaq vite. Një karrierë që tashmë është e shkatërruar. Për ne kjo ngjarje ishte një “bombë”. Gjendja ekonomike e familjes pas arrestimit është përkeqësuar. Albana pohon: “Në kohën që Ardiani u burgos, në shtëpi kisha vetëm 40 mijë lekë të vjetra dhe isha shtatzënë me djalin, i cili ka lindur në kohën kur burri ishte në burg. Motra dhe vëllezërit më kanë mbështetur jashtë mase. Ndihmë sociale nga shteti nuk kam, jam në një shtëpi me qira. Ëndrroj të kem një banesë timen, por nuk kam mundësi”, - ul sytë e përlotur Albana.

Karriera

Kapiteni-pilot Ardian Nasi, ish-efektiv i Forcave Ajrore Ushtarake, ka kryer detyrën e komandantit të ekuipazhit të helikopterit “AB-205”, pranë Repartit Ushtarak 3340, në Farkë të Tiranës. Ka mbaruar studimet pranë Akademisë së Forcave Ajrore të Republikës së Italisë, nga viti 1992 deri në vitin 1996. Është emëruar pilot gjuajtës-bombardues, në mars 1996 dhe është diplomuar në shkencat e aviacionit italian. Ka bërë disa specializime në SHBA, Itali, Greqi, Amerikë, etj. Pas arrestimit, në vitin 2004, u akuzua për trafik droge në bashkëpunim dhe e dënuan me 6 vjet e tëtë muaj burgim, tani ka kryer më shumë se 5 vjet burgim dhe i kanë mbetur tetë muaj. Bashkëshortja tregon se ka bërë kërkesë për lirim me kusht dhe se është në pritje. Aktualisht, Ardiani, vuan dënimin në burgun e Vaqarrit.

Familja e burrit

Sapo mëson se djali i është arrestuar, e ëma dhe i ati i Ardianit vijnë nga Korça në Tiranë dhe, një javë pas kësaj ngjarjeje, nëna e tij ndërron jetë nga trishtimi për të birin. Ai nuk e mori vesh për shumë muaj me radhë që e ëma nuk jetonte më. Vetëm në shkurt të vitit pasardhës mëson se, ajo që e kishte sjellë në jetë, nuk ishte më. Avokati i kërkoi shtetit që klienti i tij të dilte t’i hidhte një grusht dhe nënës, por askush nuk e vuri ujin në zjarr. “Edhe sikur të ishte krimineli më i madh i shekullit, nuk do ishte vepruar kaq rreptë ejo më për një person që rastësia e çoi atje”, - pohon bashkëshortja e tij. Pa bërë vitin e ëma, një tjetër fatkeqësi ndjek familjen e Ardianit, vdes i vëllai. Albana e përfundon rrëfimin e saj, duke treguar se deri tani, jetës së saj i shkon për shtat ajo shprehja: “Kur të vjen e keqja, hapi derën”.

Ka edhe kështu…

E mbani mend çiftin e çuditshëm që u martua në burg? Ai ishte shqiptar dhe ajo rumune. Eltoni dhe Alina, të vënë në pranga për trafik të lëndëve narkotike, kurorëzuan martesën e tyre në mënyrën më të habitshme. Një dasmë në burg, mes të burgosurve dhe, e gjitha kjo, u pasqyrua në televizion. Ai vuan dënimin e tij në burgun e Peqinit, ndërsa Alina në burgun e grave në lagjen Ali Demi në Tiranës. Në burgun e grave u organizua një dasmë madhështore. E burgosura u bë nuse dhe u vesh me vello, ndërsa dhëndrrimbërriti në institucionin e vuajtjes së dënimit me makinën e policisë, i veshur me kostum. Që prej asaj dite, kur është ligjëruar lidhje e tyre, ata kanë mundësi të kryejnë takime speciale katër herë në muaj. Tashmë foleza e tyre e dashurisë është një dhomë burgu pa qirinj dhe pa lule, por e rëndësishme është se ndihen shumë më mirë se më parë. Një rast tjetër është edhe ai i të fortit të Vlorës, Zani Çaushi, ku vetëm një muaj më parë legalizoi martesën e tij me një 27-vjeçare.

“E takoj çdo javë, çdo të premte e nuk mungoj asnjëherë. Të dy kemi nevojë për dashurinë e njëri-tjetrit”

Dhoma ku gjen pak intimitet

Intimiteti i tyre shkrihet në atë dhomë prej 16 metrash katrorë e caktuar për takimet speciale mes atyre që vuajnë dënimin dhe bashkëshortëve. Përkëdheljet e munguara gjatë javës duhet të mbyllen brenda katër orëve kohë në një ditë të vetme. Gjatë kohës së qëndrimit të Ardianit në paraburgim, nuk kishte takime speciale, ndërsa tani, Albana tregon se nuk ka humbur asnjë ditë nga ato që ka caktuar në rregulloren e saj Drejtoria e Burgjeve. “Shkoj e takoj çdo javë, çdo ditë të premte dhe nuk mungoj asnjëherë. Që të dy kemi nevojë për dashurinë e njëri-tjetrit, pavarësisht se shihemi pak. Mezi pres ta përqafoj Ardianin, ne jemi dashur shumë dhe kjo “fatkeqësi” që na ndodhi nuk e ka zbehur këtë ndjenjë, përkundrazi na ka dhënë më shumë fuqi të luftojmë për jetën. Vërtet po vuaj sot, por unë kam nevojë për të nesër, ata fëmijë kanë nevojë për babanë e tyre. E kam dashur dhe e dua shumë, ai pret mbështetjen time, sepse që aty ku është ndihet i pafuqishëm për të bërë gjë, qoftë për mua, qoftë për fëmijët,” - thekson ndërsa gjerb filxhanin e kafesë, që tashmë ka shkuar gjysmë. “Njeriu bëhet shok me hallin që ka, ka pasur shumë raste që jam demoralizuar, shumë raste që kam dashur të zhdukesha, po nuk zhdukesha dot. Ku do t’i lija tre fëmijët e vegjël? Mua me vjen keq për një gjë: Ardiani nuk është kriminel, edhe sikur fajtor të ishte, njeriu në jetë gabon, dhe një mundësi tjetër i jepet, për hatër të tre fëmijëve dhe kontributit që ka dhënë për këtë vend”.

Ashtu si Albana dhe Ardiani ka me qindra çifte të tjera që të vetmen mundësi qëndrimi bashkë kanë takimet speciale në burg. Por takimi special nuk u lejohet atyre që janë të pamartuar dhe në këto kushte nuk kanë munguar rastet e të dënuarve që janë martuar pas hekurave vetëm për të përmbushur dëshirën njerëzore për të qenë pranë...

Pothuajse çdo ditë të kap syri dhjetëra njerëz që presin në radhë përpara burgjeve. Dikush me trasta në duar por shpie ushqimet e javës dhe dikush tjetër qëndron aty në radhë duke ngrënë thonjtë. Që pret të bashkohet me njeriun e jetës në atë që rëndom quhet “takim special.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›