E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sa mirë flasim (ne) për zgjedhjet në Amerikë!

Politikanët këtu kanë një huq. Edhe në dasëm edhe në gjëmë flasin të parët. E nga ky huq nuk shpëtuan as zgjedhjet presidenciale në SHBA. "Sa e mirë kjo fushatë, sa e mirë ajo... Historike! E shkëlqyer! Fantastike! E mrekullueshme! Brilante!" Dikush madje tha se: "kemi se çfarë të mësojmë?" Vërtet? E dëgjova mirë apo më bënë veshët? Si rregull, sidomos për zgjedhjet, të tjerët kanë se ç'mësojnë prej nesh. Por, meqë dija nuk ka fund nga zgjedhjet e një vendi ku demokracia, sa universale është dhe unike, ka se çfarë të mësojnë politikanët, media dhe votuesit.

Fushata që zgjati 22 muaj, dhe u mbyll dje në mënyrën më të mirë të mundshme, në thelb kishte perfomancën, karakterin e kandidatëve dhe mesazhet e tyre. Nuk ishte fushatë personale. Është e vërtetë se nga kampet respektive pati dhe fushatë negative, por prononcimet e kandidatëve në garë, kur një votues "përgojonte" kundërshtarin, ishin qetësuese dhe kundërshtuese. "Jo zonjë e nderuar nuk është kështu... senatori Obama është një njeri i mrekullueshëm, me të cilin nuk jemi dakord për disa politika dhe drejtimin që duhet të marrë ky vend", - ishte përgjigja e senatorit Mekein, kur një votuese e moshuar tha "fjalën e fundit" për z. Obama. A ka diçka këtu për të mësuar?

Kandidatët nuk shanë, nuk fyen. Para se të zhvillonin garë me njëri–tjetrin, ata zhvilluan një garë më të gjatë, më të sfilitshme brenda shtëpisë së tyre. Ata që mundën brenda partisë u bënë mbështetësit më të zjarrtë. A ka diçka këtu për të mësuar?

Në përzgjedhjen e kandidatëve për zv/president, si z. Mekein ashtu edhe z. Obama treguan kujdes maksimal që me zgjedhjet e tyre të mos humbnin bazën e votuesve të partisë. Vetë kandidatët për president lëvizën drejt qendrës për të marrë votat e të lëkundurve. Liderët ndanë punën me numrat dy dhe nuk ju desh të përdorin fjalën e fundit të parën. A kemi ne numra dy në partitë tona politike?

Fushata filloi duke patur në qendër të vëmendjes e debatit, çështjen e luftës dhe përfundoi me krizën ekonomike. Kandidatët që synonin Shtëpinë e Bardhë ju përshtatën axhendës së publikut dhe nuk i imponuan për asnjë çast axhendë votuesve. Kandidatët u përpoqën të thjeshtëzonin në maksimum politikat e tyre për votuesin. A e mbani mend Xho Hidraulikun? A ka këtu diçka për të mësuar?

Fushatat në SHBA janë kryesisht mediatike. Z. Obama fitoi edhe pse ishte më televiziv dhe më orator. Ai mori mbështetje publike nga media. “Nju Jork Times” e dha "votën" publikisht pro Obamës, po ashtu edhe e mirënjohura "The economist". Kjo mund të keqlexohet këtu sepse harrohet që kemi të bëjmë me media që ndajnë qartazi komentin/opinionin nga lajmi/informacioni. Mbështetja (në një shkrim editorial) për z. Obama nuk çoi në "përbaltje", keqinformime, apo sajesa për z. Mekein. Besueshmëria e lexuesit nuk bie për shkak se këto gazeta kanë të shenjtë: profesionalizmin në raportim dhe raportin me të vërtetën. A ka këtu diçka për të mësuar?

Në fjalimin fill pas fitores, Presidenti i zgjedhur Obama, ju drejtua qytetarëve duke thënë: "kjo është fitorja juaj". Ai i falenderoi të gjithë ata që kishin kontribuar financiarisht me 5, 10, 15 apo 20 dollarë. Z. Obama ndihet "borxhli" ndaj këtyre qytetarëve. Financimi i fushatës në SHBA është i rregulluar me ligj deri në detajet e shumës që mund të dhurohen. Bizneset e mëdha apo korporatat nuk mund të financojnë fushatat me shuma që nesër të marrin peng qeverinë. A ka këtu diçka për të mësuar?

Kandidati fitues triumfoi në zgjedhje se frymëzoi dhe mbajti gjallë mesazhin e ndryshimit dhe shpresës për të ardhmen. Ai nuk premtoi të zgjidhë çdo problem të amerikanëve, por ofroi një qeveri që do të zgjidhë në ato probleme që nuk zgjidhen dot nga individët: daljen nga kriza ekonomike, çështjen e ambientit, shërbimin shëndetësor dhe arsimin e fëmijëve në një botë gjithnjë e më globale. A ka këtu diçka për të mësuar?

Kandidati humbës mbajti një fjalim që do të qëndrojë gjatë në kujtesën e kujtdo që e ka dëgjuar. Një kandidat me një CV si askush tjetër në gjithë SHBA-në, humbi përballë një kandidati me CV modeste. Por ai nuk kishte fyer e sharë gjatë fushatës. Ai jo vetëm pranoi humbjen, jo vetëm uroi fituesin, jo vetëm i kërkoi mbështetësve të njohin rezultatin, por edhe të qëndrojnë pas presidentit të ri. A ka këtu diçka për të mësuar?

A mund të vijë kjo ditë që, të paktën, disa prej shembujve të lartpërmendur të bëhen realitet edhe në Shqipëri. Politikanët tanë (që flasin të parët për sportin e për gjykatën...), do të thonë: sigurisht, patjetër, padyshim, ka mbaruar, por ...harrova.... ne ende nuk kemi kod zgjedhor.

Eshtë detyrë e medias t'i kujtojë politikës se ende nuk kemi kod zgjedhor. Por, këtë detyrë, në të vërtetë ua kemi lënë të huajve që u doli goja mbrapa duke na e kujtuar. Të tjerat pas kësaj vijnë. Lum kush të rrojë e ta shohë zonjë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›