Dashuria PD-PS shtyn për herë të dytë Legalizimet
• “Dashuria” e re mes PD dhe PS sjell shty-rjen e projektligjeve me anë të konsensusit mbipartiak.BLEDAR HOTI Për hir të mosprishjes së konsensusit të reformës zgjedhore, demokratët në pushtet po pranojnë çdo kërkesë të socialistëve për projektligjet apo për emërimin e anëtarëve të Entit Rregullator të Telekomunikacionit. Qeveria pranoi të tërheqë një propozim të sajin për anëtar të ERT-së, duke caktuar emrin e propozuar nga PS-ja, Ilir Zelën. Kështu ishte edhe ligji për disa ndryshime te Legalizimet. Kjo u bë me kërkesë të kreut të grupit të PS-së, Valentina Leskaj.LegalizimetNë fillim të seancës, drejtuesi i seancës, Fatos Beja ka hedhur për shqyrtim projektligjin për “Legalizimin e zonave informale”, por fillimisht hasi në rezistencën e kreut të grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj. Ajo kërkoi që të mos votohej ky projektligj në seancë, pasi nuk janë dëgjuar të gjithë grupet e interesit, si dhe opozita nuk ka qenë e pranishme në diskutime në komisionet përkatëse. Por Beja nuk ka pranuar fillimisht, pasi për këtë është bindur nga deklarata e deputetit të PD-së, Ilir Bano, se “Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese ka ndjekur të gjitha procedurat, duke dëgjuar në një seancë dhe nënkryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Shalsin”. Më i ashpër në qëndrimin e tij ka qenë deputeti i PS-së, Pandeli Majko, i cili u shpreh se nisma e paraqitur është në kundërshtim me Kushtetutën. “Ne nuk mund të miratojmë ligje të tilla që nuk janë konform Kushtetutës. A duhet dikush të na thotë këtu se pse sillet pas dy vjetësh një ndryshim i tillë ligjor, duke bërë që të dështojë ky proces. A ka të drejtën një institut që drejtohet nga Shaban Memia t’i marrë tokën pronarit dhe t’ia japë atij tjetrit pa e kompensuar më parë ish-pronarin? Ju kërkoj që të mos bëni gabimet që kemi bërë ne më përpara”, deklaroi Majko. Ai theksoi se, “PS-ja është pro dhënies së legalizimit të këtyre banesave, por nuk duhet të realizohet një nismë e tillë, e cila nuk ka garanci që pas 40 vjetësh, dikush t’ia marrë pronën e tij”. Pas këtij qëndrimi, që dhanë sinjale se do të ketë debate të ashpra për këtë projektligj, ka ndërhyrë menjëherë kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, i cili ka kërkuar shtyrjen e projektligjit. “Pa dashur të hyjmë në këto debate se kur është diskutuar apo jo me grupet interesit, unë mendoj se të pranojnë kërkesën e opozitës ta shtyjmë këtë projektligj për t’u votuar të hënën e ardhshme. Deri në këtë periudhë komisioni do të realizojë diskutimet me grupet e interesit”, deklaroi Patozi. Pas këtij qëndrimi, Beja u detyrua të nxjerrë nga seanca p/ligjin. Qeveria i ka kërkuar Parlamentit që ta miratojnë një draft të tillë me procedurë të përshpejtuar. Edhe pse Kuvendi parashikoi që të votohej në datën 26 shkurt, votimi i këtij projektligji është shtyrë dy herë radhazi. Kuvendi më pas votoi dy projektligjet e tjera të parashikuara në rendin e ditës.Shehu kreu i ERT-sëIlir Shehu do të jetë kryetari i ri i Entit Rregullator të Telekomunikacionit. Kuvendi votoi me 64 vota pro, 27 kundër dhe 10 abstenime këtë kandidaturë të propozuar nga ana e qeverisë. Anëtarët e tjerë të këtij Enti do të jenë Afrim Tonuzi, që u votua me 69 vota pro, 22 kundër dhe 9 abstenime, Edlira Kasaj, që u votua me 69 vota pro, 20 kundër dhe 12 abstenime. Ndërsa Shehi si anëtar u votua me 64 vota pro, 24 kundër dhe 9 abstenime. Qeveria tërhoqi emrin e parë të Benon Palokës si anëtar, duke pranuar kërkesën e PS-së që të caktohet Ilir Zela, që u votua me 77 vota pro, 18 jo dhe 6 abstenime. Për Zelën kishte edhe vendim të qeverisë.Të dhënat personaleKuvendi votoi me shumicë votash projektligjet “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, si dhe “Për trajtimin e të dënuarve”. Për draftin për mbrojtjen e të dhënave, deputeti i PS-së, Blendi Klosi kontestoi ngritjen e një institucioni të ri, të pavarur që ka të drejtën të ruaj mbrojtjen e të dhënave. Sipas tij, kjo kompetencë duhej t’i jepej ndonjë institucioni të pavarur, si Avokati i Popullit, apo Inspektoratit të Lartë të Pasurive. Por një gjë e tillë është kontestuar nga ana e ministrit të Drejtësisë, i cili e cilësoi jetike ngritjen e inspektoratit të ri. Ndërsa Kuvendi tërhoqi nga votimi p/ligji “Për falimentin”.Ndokaj kunder AlibeajtNënkryetari i grupit të PDK-së, ka kërkuar dje në Kuvend që të ndalen akuzat ndaj gjyqtarëve. “Disa ditë më parë folën vetë gjyqtarët dhe e shprehën këtë shqetësim. Përpjekja për të barazuar çdo gjyqtar me kriminelin apo për të etiketuar pa fakte të gjithë gjyqtarët si të paaftë dhe të korruptuar, është gabim i madh, i pavërtetë dhe spekulim me pasoja për vetë besimin tek drejtësia. Të gjithë e dimë se ka gjyqtarë të akuzuar për korrupsion, por ne gjithashtu e dimë se ka gjyqtarë të ndershëm, ashtu siç ka gjyqtarë që kanë dhënë dorëheqje nga profesioni për të bërë karrierë politike”, theksoi Ndokaj.