E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS i propozon paktin PD-së

• Kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, propozoi dje draftin e PS-së për ndryshimet e Kushtetutës.Aristir LumeziDje në Konferencën e Kryetarëve, e cila u zhvillua nën drejtimin e nënkryetarit të Kuvendit, Fatos Beja, Leskaj avancoi më tej në lidhje me reformën zgjedhore, duke i formalizuar pikat e saj që çojnë në një sistem proporcional rajonal. Përmes një drafti të përgatitur nga departamenti juridik në PS, Leskaj propozoi ndryshimet kushtetuese që synojnë në kalimin nga sistem maxhoritar, në një sistem proporcional. Gjithashtu përmes këtij drafti vendi ndahet në 12 rajone në bazë qarku, ku partitë politike do të depozitojnë për çdo qark lista të mbyllura të kandidatëve. "Në thelb nisma konsiston në amendimet kushtetuese lidhur me sistemin zgjedhor, konkretisht, kalimin në sistemin proporcional me lista shumë emërore bazuar në ndarjen administrative, sipas qarqeve aktuale. Ne besojmë se kjo është një reformë që e ndan vendin dhe politikën nga sistemi i kalbur që kemi aktualisht, nga një sistem që deformon përfaqësimin politik. Ne besojmë se ky propozim na jep një sistem zgjedhor të drejtë, përfshirës e me përfaqësim politik të ndershëm. Duke bërë këtë propozim, ne dëshirojmë një zgjidhje konsensuale dhe jemi të hapur për kontribute të forcave të tjera politike", tha Leskaj pas Konferencës së Kryetarëve. Kryetarja e grupit socialist shprehu besim "se forcat e tjera politike do të mbështesin këtë po ta shohin me kujdes. Ky është një sistem që nuk është në favor të një force të vetme politike, por është në favor të Shqipërisë, është në favor të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri". Burime pranë PS-së thanë se në bisedimet me maxhorancën kanë këmbëngulur që njësi administrative për zgjedhjet e përgjithshme të merret qarku, i cili në krahasim me rrethin, i jep më shumë hapësira partive të vogla, duke ulur ndjeshëm pragun elektoral të hyrjes në Kuvend. AleatëtKryetarja e grupit parlamentar socialist kërkoi që kjo nismë të gjejë konsensusin e palëve. Pas reagimeve disaditore të tyre, ajo është shprehur se mbetet e hapur për të marrë dhe sugjerime rreth këtij drafti. "Ne besojmë dhe shpresojmë, që partitë e tjera gjithashtu, do të jenë të gatshme të pranojnë një sistem, që i shërben shqiptarëve dhe jo individëve apo partive të veçanta, qofshin këto të mëdha apo të vogla", tha Leskaj. Sipas kryetares së grupit parlamentar socialist, drafti është mirëpritur në Konferencën e Kryetarëve për t'u përfshirë në kalendarin trejavor të punimeve të Kuvendit. Vetëm dy ditë më parë kreu socialist Edi Rama, gjatë një konference për shtyp, la të kuptohet se PD dhe PS i kanë votat e nevojshme për të miratuar ndryshimet kushtetuese që kërkon reforma zgjedhore. Por deputetët socialistë dje pasdite pohuan se mbetën të befasuar nga shpejtësia e veprimit parlamentar me depozitimin e nismës në Konferencën e Kryetarëve. Madje, ata u shprehën se në dy mbledhjet e fundit të grupit socialist, nuk ka pasur as diskutim dhe as informim për një nismë të tillë, e cila do të kërkojë votat e deputetëve socialistë në Kuvend.Drafti i PSNeni 1Neni 64 ndryshohet si vijon:1. Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur mbi bazën e sistemit zgjedhor proporcional me zona zgjedhore shumë emërore.2. Caktimi i zonave zgjedhore shumë emërore bazohet në ndarjen administrative të Republikës së Shqipërisë.3. Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor proporcional për caktimin e zonave zgjedhore dhe për numrin e mandateve për secilën zonë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet.b. Pika 2 e nenit 68 ndryshon si vijon:Rregullat për caktimin e kandidatëve, për regjistrimin e zgjedhësve, për zhvillimin e fushatës zgjedhore, administrimin, shpalljen e rezultateve dhe vlefshmërinë e zgjedhjeve si dhe rregulla të tjera të nevojshme për zhvillimin e zgjedhjeve përcaktohen nga ligji për zgjedhjet.Neni 2Ky ligj hyn në fuqi më datë…Berisha: Mirëpresim çdolloj bashkëpunimi me opozitënPas propozimit të draftit për reformën zgjedhore nga ana e Partisë Socialiste, ka ardhur edhe reagimi i demokratëve të cilët e kanë përshëndetur atë. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Kryeministri Sali Berisha garantoi mbështetjen nga ana e forcës më të madhe të koalicionit të djathtë. "Unë dua të garantoj opozitën dhe shqiptarët, u shpreh Kryeministri në mbledhjen e Grupit parlamentar, që kjo qeveri e ka bazuar platformën e vet vetëm tek reformat dhe në ketë kontekst mirëpres me kënaqësi çdo lloj bashkëpunimi që opozita ofron për promovimin e tyre, duke ruajtur të pacenuara çdo lloj të drejte për të kritikuar qeverinë". Duke rivlerësuar bashkëpunimin me opozitën si kusht vendimtar për mbarëvajtjen e reformave, Kryeministri ftoi deputetët që propozimet e bëra të trajtohen me seriozitet, për të ecur bashkërisht drejt konsolidimit të reformave. Madje sipas Berishës ka ardhur koha që konsensusi mes maxhorancës dhe opozitës të mos bëhet vetëm për ligje dhe reforma të rëndësishme, por të ketë konsensus edhe për ligjet që duan shumicë të thjeshtë për t'u miratuar. "Qeveria nuk mund të bazojë platformën e vet në kritikat ndaj opozitës. Në një vend normal demokratik qeveria e bazon platformën e vet në reformat që kryen. Natyrisht reagimet bilaterale janë normale, por ne vlerësojmë shumë ecjen përpara bashkërisht me reformat dhe jo vetëm në ligjet që kërkojnë votime të kualifikuara, por ka ardhur koha që edhe në ligjet e thjeshta ne të përpiqemi të funksionojmë konsensualisht. Ndaj dhe ju ftoj që propozimet e bëra sot, t'i trajtojmë me seriozitetin më të madh dhe të ecim përpara në konsolidimin e reformave", theksoi Berisha. Edhe më parë demokratët kanë pritur propozimet e opozitës lidhur me reformën zgjedhore, pa tentuar të bëjnë propozime të tyre. Në disa dalje para mediave, Kryeministri Berisha i ka kërkuar pakicës që të sjellë propozimet konkrete për këtë reformë dhe ai do të pranojë çdolloj varianti. Alternativa e paraqitur nga socialistët për një sistem proporcional rajonal kënaq edhe partinë demokratike, e cila pritet të japë të gjitha votat në grupin e saj parlamentar për ta miratuar këtë variant.Madhi: PS po shmang institucionetKreu i grupit parlamentar të republikanëve, Arian Madhi, reagoi pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve në lidhje me depozitimin e nismës së PS-së për ndryshimin e Kushtetutës. "PS vazhdimisht ka demonstruar që e shpërfill Komisionin për Reformën Zgjedhore dhe nuk është e gatshme të kontribuojë së bashku me gjithë faktorët politikë për reformën zgjedhore. Ajo që na bëri përshtypje sot, ishte fakti që PS ka marrë një nismë për ndryshimin e Kushtetutës, për sa i përket çështjes së sistemit zgjedhor. Konferenca e Kryetarëve vendosi që kjo çështje të kalojë në procedura të rregullta, në mënyrë që brenda kalendarit trejavor të punimeve të Kuvendit të shqyrtohet edhe kjo nismë e PS-së", u shpreh Madhi. Por, sipas tij, kjo nuk është e kundërligjshme, PS po vepron sipas procedurave, por shtoi se nuk janë njohur ende me draftin e socialistëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›