Klandestinët zbulojnë trafikantët, iu morën nga 2 mijë euro
• GJIROKASTER/SARANDE - Trafiku klandestin nga pikat jugore të vendit nuk po ndalet. Vetëm dje, nga komisariatet e Gjirokastrës dhe Sarandës janë ndaluar 5 persona për dhënien e ndihmës për kalim ilegal të kufirit.Burime nga policia e Gjirokastrës bënë të ditur se dje u deportuan nga pala greke 9 persona, dy prej të cilëve u identifikuan si organizatorë të grupit, duke i marrë të tjerëve nga 2 mijë euro. Maringlen Zelo, 24 vjeç nga Lushnja dhe Lorenc Mahmuti, 19 vjeç nga Gjirokastra u arrestuan nga policia pas dëshmive të 7 klandestinëve, të cilët javën e shkuar kishin mundur të depërtonin në tokën greke. Ndërkohë që janë identifikuar edhe dy persona të tjerë të implikuar në këtë trafik të qenieve njerëzore nëpërmjet kufirit dhe po punohet për vënien e tyre para përgjegjësisë penale. Policia e Gjirokastrës ka arritur të ndalojë shoferin e automjetit me të cilin u transportua grupi i klandestinëve. Behar Tafani 41 vjeç nga Divjaka e Lushnjës u prangos, duke iu bashkuar dy personave të tjerë me akuzën e kalimit të klandestinëve kundrejt përfitimit. Një tjetër rast i trafikut klandestin është bllokuar mbrëmjen e së dielës nga policia e Sarandës. Tre persona të kapur si klandestinë zbardhën itinerarin e lëvizjes së tyre të paligjshme drejt kryeqytetit grek, Athinë. Menjëherë pas denoncimeve të tyre, policia ka identifikuar dhe më pas arrestuar, dy personat që do të kryenin trafikimin. Atdhetar Proi, 36 vjeç, lindur dhe banor i Konispolit, me precedentë të mëparshëm penalë dhe Lulëzim Çukaj, 27 vjeç, lindur në Fushë-Arrëz dhe banues në Tiranë, janë arrestuar në flagrancë, nën akuzën "dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, me qëllim përfitimi, në bashkëpunim". Ata u premtuan klandestinëve se kundrejt shumës prej 1200 eurove do t'i transportonin nga Konispoli në Athinë. Sipas tyre, udhëtimi do të mundësohej nëpërmjet kufirit të gjelbër, në rrugë ilegale për të vazhduar më tej me taksi drejt kryeqytetit helen. p.n/sh.d