Milo: Do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese
• Kuvendi i mbyll dyert deputetëve të partive të vogla për të realizuar mbledhjen e tyre të Komisionit të Reformës Zgjedhore.Në lidhje me këtë fakt, përfaqësuesit e partive të vogla kanë protestuar ashpër ndaj këtij veprimi, si dhe ndaj nismës së fundit të PS-së për ndryshimin e Kushtetutës. Pas më shumë se çerek ore pritjeje, reagoi kreu i PDS-së, Paskal Milo, i cili e cilësoi të turpshëm bojkotin e dytë të PS dhe PD të Komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore. "Nuk jemi këtu për të bërë një lloj diversioni apo për të bojkotuar institucionet, siç po i bojkotojnë dy partitë e mëdha. Nuk është e ndershme që të bëhen veprime të tilla arbitrare, jashtë institucioneve legjitime të Kuvendit, e aq më pak nuk është e këshillueshme dhe e pranueshme që në prag të Samitit të Bukureshtit të dëshmohet një përçarje kaq e thellë e politikës shqiptare, për një reformë kaq të rëndësishme, e cila është vënë si një nga kushtet kryesore për marrjen e ftesës për në NATO", deklaroi Milo. Ai bëri të ditur se opozita do të realizojë të gjitha nismat e duhura për të bllokuar nismën e dy partive të mëdha, duke provuar Gjykatën Kushtetuese, si dhe bërjen e referendumit për çështjen e sistemit zgjedhor. Partitë e vogla për përgatiten të hartojnë një nismë të tyre për ndryshimet në Kushtetutë, për t'iu kundërpërgjigjur dy partive të mëdha. Sistemi që ato propozojnë është proporcional i personalizuar dhe me lista të hapura, ku pragu elektoral nuk duhet të ndryshojë, pra të jetë 2.5 për qind.