“Rama-Berisha, komplot antikushtetues”
• Kryesia e LSI-së e cila u mblodh dje pas dorëzimit të nismës për ndryshimin e kushtetutës nga ana e socialistëve, denoncoi këtë akt duke e konsideruar atë një komplot antikushtetues ndaj reformës zgjedhore.Aristir LumeziSekretari i përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili tha se "ky komplot bëhet në funksion të interesave të ngushta të dy personave". "Kryesia e LSI vlerësoi se komploti antikushtetues Rama-Berisha për reformën zgjedhore është tashmë një realitet i pakundërshtueshëm dhe mishërimi i funksionimit të një karteli politiko-ekonomik mediatik në dëm të Shqipërisë dhe në funksion të interesave të ngushta personale të këtyre dy individëve", tha Vasili. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së akuzon kreun socialist se më këtë përpjekje po i lihet shteg i ri dhunimit të zgjedhjeve të ardhshme. "Rama është përgjegjësi kryesor i atentatit ndaj kushtetutës dhe zgjedhjeve të lira në Shqipëri dhe instrumenti në duart e Berishës për realizimin e një tjetër masakre elektorale. Rama gjithashtu mori përsipër ekzekutimin e institucioneve demokracisë dhe ligjshmërisë në këtë vend", tha Vasili. Sipas tij, Rama është përgjegjësi i dëmtimit të së majtës duke e lënë Berishën në pushtet. "Gjithashtu propozimi i një kodi zgjedhor antikombëtar dhe që dëmton dukshëm të majtën dhe favorizon Berishën është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Ramës", tha Vasili. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së u shpreh pas mbledhjes së kryesisë se kjo parti nuk do lejojë që ky komplot të kalojë tek shqiptarët. Sipas tij kryesia e LSI-së vendosi të demaskoi komplotin dypalësh Rama-Berisha. "LSI vendosi të vazhdojë me një intensitet të lartë demaskimin e këtij komploti antikushtetues dhe anti-reformë në çdo skaj të vendit si dhe të informojë të gjithë partnerët ndërkombëtarë që dyshja Rama-Berisha në vend të një procesi transparent kushtetues dhe gjithë përfshirës zgjodhën pazarin e ndyrë personal jo transparent antikushtetues dhe shpallën asgjësimin e Komisionit të Reformës Zgjedhore institucionit kushtetues të ngritur po prej tyre", tha Vasili. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së duke analizuar këtë situatë brenda të majtës shprehet se nga këto lëvizje PS-ja do të jetë e humbura e madhe. "LSI vlerëson se e dëmtuara e madhe do të jetë po vetë PS dhe ndërkohë konfirmoi se "E majta për Integrim" do të vazhdojë të integrojë gjerësisht mijëra socialistë të ndershëm pushtetin dhe fuqinë elektorale të së cilëve Rama po ia shet Berishës në këmbim të garantimit të interesave të tij personale dhe të një grupi të ngushtë njerëzish pa identitet politik dhe pjesë e klientelës së tij politiko-ekonomike", tha Vasili.KoalicioniLSI u shkëput nga koalicioni opozitar me PS-në menjëherë sapo u mësua se partia kryesore e bllokut opozitar po përgatiste një reformë zgjedhore në bashkëpunim të ngushtë me Partinë Demokratike. Vendimin e këtij largimi e mori kryesia e LSI-së e cila denoncoi sistemin proporcional rajonal dhe listat e mbyllura të kandidatëve, pika këto që binin në kundërshtim me kërkesat e partive të tjera opozitare në lidhje me reformën zgjedhore.ReformaLSI dhe nëntë parti të tjera parlamentare mbështesin sistemin proporcional të personalizuar dhe me lista të hapura. Çështja e listave mbetet dhe pika më e debatueshme e reformës zgjedhore, pasi dy partitë e mëdha këmbëngulin për lista të mbyllura. Me sistemin spanjoll që kërkojnë dy partitë e mëdha, rritet shumë dhe pragu elektoral, i cili në rajone të veçantë shkon mbi 15 për qind duke penalizuar të gjitha partitë e tjera.ReferendumiPartitë e vogla parlamentare kërcënojnë me referendum popullor për çështjen e reformës zgjedhore. Sipas tyre, nëse dy partitë e mëdha mundohen të kalojnë ndryshimet kushtetuese për reformën me kartonat e tyre, ata do t'i drejtohen popullit ku do të kërkojnë rrëzimin e draftit të tyre dhe bërjen e një reforme me konsensusin e plotë të të gjitha partive politike.