E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kamerieri plagos klientin gjatë shërbimit

• DURRES - Një kamerier është arrestuar nga blutë e Durrësit vetëm pak minuta pasi ai kishte qëlluar me thikë një prej klientëve të lokalit ku ai punonte.Burime policore saktësuan se 37-vjeçari Afrim Pasha, i lindur në Burrel e banues në lagjen 17 të Durrësit, në gjaknxehtësi e sipër ka rrëmbyer një thikë tek banaku duke goditur në bark 30-vjeçarin A.C., i cili ishte ulur në lokal bashkë me vëllain e tij. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orën 23:00 në një bar-restorant të Shkozetit. Konflikti ka pasur motive banale dhe është ndezur për shkak se kamerieri po i vononte dy vëllezërve porosinë. Pasi kanë këmbyer disa fjalë fyese në mënyrë reciproke kamerierit i ka hipur gjaku në kokë duke rrëmbyer një thikë në banak. Vetëm ndërhyrja e menjëhershme e personave të tjerë dhe e vëllait të të plagosurit ka bllokuar tentativën e mëtejshme të Pashës, i cili megjithatë arriti të godiste dy herë klientin. Disa persona njëherazi e kanë neutralizuar kamerierin duke i marrë atij thikën nga duart. Pak minuta më pas ka mbërritur policia, e cila bashkë me arrestimin e Afrim Pashës ka sekuestruar edhe armën e krimit. Burimet policore konfirmojnë se i dëmtuari ndodhet i shtruar në spitalin e qytetit të Durrësit jashtë rrezikut për jetën. I plagosuri ka marrë disa plagë të rënda në bark, por për fat të mirë thika nuk i ka prekur organet jetësore. Materialet për veprën penale të plagosjes së rëndë me dashje iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.                                                                 o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›