E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja e çmimeve ul nivelin e shitjeve



INSTAT, niveli i shitjeve bie me 13.5% në 2008-ën

Tregti, hoteleria, ndërtimi, sektorët me rënien më të lartë

Rritja e çmimeve ka ndikuar ndjeshëm në fuqinë blerëse dhe kjo ka bërë që të bjerë niveli i shitjeve për të gjitha produktet gjatë tremujorit të parë 2008. INSTAT-i ka publikuar dje të dhënat mbi indeksin e shitjeve në tremujorin e parë 2008, në të cilin rezulton se sektorët që kanë pësuar rënien më të madhe janë tregtia, hoteleri-restorante, si dhe ai i ndërtimit. Sipas INSTAT-it, indeksi i shitjeve në tremujorin e parë 2008 arriti 86.5 për qind duke shënuar një rënie prej 13.5 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Rreth 61.9 për qind e rënies së nivelit të shitjeve këtë tremujor vjen nga dega tregti, hotele dhe restorante. Krahasuar me tremujorin e parë 2007 niveli i shitjeve rezulton me 23.7 për qind rritje. Sipas INSTAT-it, indeksi i shitjeve në sektorin e ndërtimit në tremujorin e parë 2008 rezulton me një rënie prej 27.9 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar indeksi u rrit 39.7 për qind. Indeksi i shitjeve në sektorin e tregtisë, hoteleve dhe restoranteve këtë tremujor shënoi një rënie prej 18.8 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Krahasuar me tremujorin e parë 2007 indeksi i shitjeve u rrit 22.1 për qind. Ndërkaq, me vlera pozitive është sektori i industrisë nxjerrëse, i cili këtë tremujor paraqet 6.3 për qind rritje në nivelin e shitjeve krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Nëndega e nxjerrjes së produkteve energjitike rezulton me 9.3 për qind rritje, ndërsa nxjerrja e produkteve joenergjitike me 2.3 për qind rritje. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë indeksi i shitjeve në industrinë nxjerrëse rezulton me 53.6 për qind rritje. Në degën e industrisë përpunuese, indeksi i shitjeve në tremujorin e parë 2008 ka një rënie prej 4.3 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Me rënie të theksuar të nivelit të

shitjeve rezultojnë nëndegët: punime me dru, fabrikimi artikujve me dru (35.3 për qind), industria kimike (30.4 për qind), industria e kauçukut dhe plastikës (26.0 për qind), fabrikimi i artikujve mineralë e jometalikë 16.9 për qind etj. Brenda industrisë

përpunuese ka degë që rezultojnë me rritje të nivelit të shitjeve ndaj tremujorit të mëparshëm si: fabrikimi i makinave, pajisjeve e pjesëve të ndërrimit (26.0 për qind), fabrikimi i pajisjeve elektrike elektronike (29.6 për qind), metalurgjia e përpunimi i metaleve (15.4 për qind) etj. Krahasuar me tremujorin e parë 2007 niveli i shitjeve në industrinë përpunuese këtë tremujor rezulton me 9.4 për qind rritje. Indeksi i shitjeve në sektorin e energjisë elektrike, gazit dhe ujit këtë tremujor paraqet një rritje prej 20 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, indeksi i shitjeve në këtë sektor rezulton me 24.8 për qind rritje. Indeksi i shitjeve në sektorin e transportit dhe telekomunikacionit, tremujorin e parë 2008 paraqet 2.0 për qind rritje krahasuar me tremujorin e mëparshëm duke shënuar një rënie në degën e transportit prej 7.9 për qind, ndërsa në telekomunikacion një rritje prej 7.5 për qind. Ndaj tremujorit të parë 2007, indeksi i shitjeve paraqitet me rritje 12.4 për qind.

Indeksi i shitjeve në degët e tjera të ekonomisë këtë tremujor vlerësohet me një rënie 13.3 për qind kundrejt tremujorit të mëparshëm. Ndjeshëm në këtë rënie influencojnë nëndegët arsim dhe aktivitete të tjera të shërbimeve kolektive, sociale e personale që rezultojnë respektivisht me 54.7 dhe 8.0 për qind rënie. Krahasuar me tremujorin e parë 2007, degët e tjera rezultojnë me 44.0 për qind rritje.

Bujqësia, rreth gjysma e popullsisë e punësuar në këtë sektor

Pothuajse gjysma e popullsisë punon në sektorin e bujqësisë. Duke qenë se pjesa më e madhe e popullsisë shqiptare jeton në zona rurale, shumica e tyre merret me punë bujqësie. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT-it, bujqësia është sektori që ka numrin më të madh të të punësuarve në vend. Sipas INSTAT-it, në sektorin privat bujqësor punojnë 560 412 persona, prej të cilëve 243 387 janë meshkuj dhe 317 025 femra. Struktura e punësimit sipas aktiviteteve ekonomike tregon një përqendrim më të lartë të të punësuarve në sektorin e bujqësisë, me rreth 47.5%. Nga vrojtimi i INSTAT-it në muajin qershor 2007, rezulton se struktura e punësimit sipas grupprofesioneve, klasifikuar në bazë të nomenklaturës, paraqet një përqendrim të lartë të të punësuarve në grupin e madh “Punëtorë të kualifikuar të bujqësisë dhe peshkimit” me 45%, ndjekur nga grupi “Zejtarë dhe punëtorë të zanateve të ndryshme” me 13%. Sipas specialistëve, këto shifra argumentohen me faktin se në të gjithë vendin janë evidentuar rreth 450 mijë ferma familjare (për të cilat janë dhënë edhe tapitë) dhe për secilën prej tyre kontribuojnë një deri dy persona. Gjatë viteve të fundit, prodhimi bujqësor e blegtoral në vend është rritur me 5-6% më shumë dhe janë rritur sipërfaqet e mbjella me kultura të ndryshme bujqësore, vreshtari etj. Një fakt tjetër që dëshmon punësimin në bujqësi sidomos në këtë sezon, është dhe rritja e prodhimit në sektorë të tjerë si të mishit, vezëve, qumështit etj.

Turizmi shqiptar promovohet në Turqi

Turizmi shqiptar promovohet në Turqi, në një nga vendet që njihet në gjithë botën për resurset e pasura turistike. Dyfishim i të ardhurave nga turizmi deri në vitin 2013. Ky është premtimi i qeverisë aktuale lidhur me zhvillimin e turizmit në vend, i cili është shpallur dhe si një prioritet i saj. Ndërkohë që nga viti në vit janë shtuar ndjeshëm të ardhurat nga turizmi. Këto të dhëna janë bërë publike nga zëvendësministrja e Turizmit Suzana Turku gjatë festivalit I ndërkombëtar të Rumelisë dhe panelit IV ndërkombëtar “Për tregtinë dhe turizmin mes Turqisë dhe Shteteve ballkanike”. Takimi i zhvilluar më datën 14-17 qershor dhe i organizuar nga Federata e Shoqatave Ballkanike dhe bashkia e Buxhës në Izmir të Turqisë, përcolli mesazhe bashkëpunimi dhe miqësie mes vendeve të Ballkanit. Nën kujdesin e veçantë të Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës së Shoqatave ballkanike të Izmirit, Rifat Sait, të Sokol Brahajt, por dhe të kryetarit të Bashkisë së Buxhës, Xhemil Sheboj, 150 përfaqësuesit e vendeve ballkanike përcollën informacione për zhvillimin e turizmit dhe mundësitë që ofrojnë vendet e tyre. Në panelin e organizuar me këtë rast merrnin pjesë përfaqësues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Bullgaria, Bosnja-Hercegovina, Greqia, Sllovenia, Kroacia, Mali i Zi, Serbia dhe Rumania. Përfaqësuesi kryesor për Kosovën ishte ministri Mahir Jaxhillari, ndërsa për vendin tonë ishte zëvendësministrja e Turizmit, Suzana Turku. Ajo përcolli në këtë panel arritjen dhe zhvillimin e turizmit shqiptar kryesisht në tre vitet e fundit, ndërsa theksoi se zhvillimi i turizmit është përparësi e padiskutueshme e saj dhe e qeverisë, prandaj janë ndërmarrë nisma për nxitjen dhe lehtësimin e investimeve të huaja në këtë fushë. Duke folur për zhvillimin e turizmit shqiptar, Turku dha dhe të dhëna konkrete për të ardhurat e sigurua vit pas viti. Të ardhurat bruto nga turizmi në vitet e fundit janë: viti 2004 592 milionë euro, në vitin 2005 692 milionë euro, në vitin 2006 805 milionë euro dhe në

vitin 2007 të ardhurat kanë qenë rreth 1 miliard euro. Pjesë e festivalit I ndërkombëtar të Rumelisë dhe panelit IV ndërkombëtar “Për tregtinë dhe turizmin mes Turqisë dhe Shteteve ballkanike” u bë dhe Kryeministri i Turqisë, Taip Erdogan. Në një drekë me përfaqësuesit e vendeve ballkanike ai vlerësoi bashkëpunimin mes këtyre vendeve. “Në këtë takim madhështor kam kënaqësinë të shpreh para vëllezërve e motrave të mia ballkanase me në krye Shqipërinë, Kosovën e Bosnjën, se kemi qenë, jemi e do të jemi përgjithmonë vëllezër e miq. Asnjë forcë nuk ka mundësi të na ndajë ne. Ne kemi historinë e përbashkët për 500 vite me radhë. Kemi jetuar se bashku si një familje dhe këtë e tregon dhe bashkimi ynë i sotëm”, - tha Erdogan.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›