E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dashuria e fshehtë e Milkanit shfaqet në “Iprial”

Autori i Lajmit: red.
Premiera e filmit "Trishtimi i zonjës Shnajder", një film me metrazh të gjatë, prodhim i vitit 2007, me regji të Pirro dhe Eno Milkanit, filloi të shfaqet që nga mbrëmja e djeshme në kinema "Imperial” në Tiranë. Bashkëprodhimi i parë shqiptaro-çek, realizuar nga Milkanët, bashkëproducente me të cilët është edhe çekja Jana Tomsoven, rikthehet sërish për artdashësit e kinemasë pas interesimit të plotë të publikut kur ai u shfaq në fillim të muajit mars në kinema “Millenium” në kryeqytet dhe në disa rrethe të tjera. Ky film, i konsideruar ndër filmat e parë shqiptarë të shfaqur në kinema vitet e fundit, është ndjekur nga 5300 njerëz vetëm në Tiranë. Pavarësisht se filmi jepet në gjuhën çeke, ai është vlerësuar dhe është ndjekur më shumë sesa pritej nga regjisorët e tij. Përveç faktit që ky film është shqiptar, shikueshmëria e tij është rritur edhe më shumë pas ardhjes në Tiranë të aktorit të njohur Italian, Mikele Plaçido, i cili luan në film një rol kryesor, pikërisht kontin Shtenberg. Skenari i filmit është shkruar nga Radek Shofr dhe Pirro Milkani, drejtorë fotografie janë Miro Gabor dhe Afrim Spahiu, ndërsa në rolet kryesore interpretojnë aktorja çeke Anna Geslerova dhe Kreshnik Xhelilaj, student i dramës në Akademinë e Arteve në Tiranë. Në role të tjera interpretojnë aktorë çekë, sllovakë, shqiptarë dhe italianë, si Ondrej Moravec, Kamil Kollarik, Bara Shqepanova, Tomash Topfer, Mikele Plaçido, Paolo Bulioni, Arta Dobroshi.
Filmi
Tek “Trishtimi i zonjës Shnajder” (2007) i Pirro Milkanit trajtohet dashuria e djemve shqiptarë me vajza të huaja, kuadratizuar me lirizëm dhe romantizëm, ndërkohë që drama e këtij filmi është thënë se është më shumë se e jetuar kinematografikisht. Ngjarjet zhvillohen në vitin 1961, kur një grup studentesh të FAMU-së, çeku Karel (Ondrej Moravec), sllovaku Artur (Kamil Kollarik) dhe shqiptari Lekë (Nik Xhelilaj) xhirojnë në Çeki, në Shternberk një film diplome për fabrikën e prodhimit të motorëve ESO. Në film jepet përballja e jetës së të rinjve, tërheqja e tyre për fshatin çek, jeta që ata bëjnë me disa personazhe pikantë dhe të gjetur, si konti, shefi i policisë lokale, përgjegjësja e hotelit, drejtori i fabrikës. Por nga ana tjetër, filmi tregon edhe dramën personale të Lekës, një student nga një vend i izoluar i Evropës, i cili ndodhet në dilemë mes përkatësisë së tij dhe stilit të jetës çeke, e karakterizuar nga shkujdesja erotike dhe jeta e lirë. Pasioni i dashurisë së djalit të ri me një grua të pjekur, e shoqja e shefit të policisë, është gjithashtu një ngjarje më vete që jepet në këtë film, një nga të paktët që u jepet shqiptarëve, të cilët normalisht ndjekin në ekranet e pakta të kinemave shqiptare kryesisht filma amerikanë.
Ky lajm është publikuar: 04/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›